Ministri për Punë të Brendshme në Republikën e Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar që sot ka nënshkruar marrëveshjen që mundëson Kosova dhe Maqedonia e Veriut të kenë pikë të përbashkët kufitare.
“Nga sot, Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë së Veriut me pika të përbashkëta të kalimit kufitar. Duke marrë parasysh marrëdhëniet miqësore, bazuar në vlerat e barazisë dhe me qëllim të fuqizimit të bashkëpunimit rajonal, sot kam nënshkruar marrëveshjen e cila do të mundësojë themelimin e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar me Republikën e Maqedonisë së Veriut”, njoftoi Sveçla.
Ai sqaroi që dy pika të përbashkëta kufitare do të jenë në vendkalimet kufitare “Hani i Elezit – Bllacç dhe Glloboqiçë – Jazhincë.
“Kjo marrëveshje ka për qëllim thjeshtimin e procedurave dhe lehtësimin e lëvizjes së personave dhe automjeteve. Tani e tutje, qytetarët do të legjitimohen vetëm në njërën pikë kufitare”, njoftoi Sveçla.
Ndryshe, Qeveria e Maqedonisë së Veriut më 4 korrik të këtij viti, në kuadër të seancës së 164-të e miratoi tekstin e Marrëveshjes mes Qeverisë së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut që mundëson krijimin e pikës së përbashkët kufitare ndërmjet këtyre dy vendeve.
Raportohet që me këtë nismë, do të ketë pikë të përbashkët kufitare ndërmjet Jazhincës dhe Glloboçicës, dhe në pikën tjetër kufitare mes Bllacës dhe Hanit të Elezit.
Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria më 31 korrik të këtij viti ka filluar zbatimin e pikës së përbashkët kufitare në pikën kufitare Qafthanë me Republikën e Shqipërisë. Me të duhet të mundësohet fluks më i shpejtë i qytetarëve nga të dy vendet, si dhe kompanive që transportojnë produkte në këtë pikë kufitare.