Të dielën në Dibër do të ketë rivotim në një vendvotim, pasi Gjykata Administrative e pranoi padinë e koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, ndërsa KSHZ-ja në bazë të kësaj solli vendim për përsëritjen e votimit.
Kjo duke e pasur parasysh se numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar në këtë vendvotim ndikon mbi rezultatet e përgjithshme në këtë komunë.
“Rivotim për kryetarin e komunës dhe për këshilltarët do të ketë në vendvotimin 0543 të vendosur në hapësirat e gjimnazit. Në listën e vetme të votuesve janë regjistruar 777 persona me të drejtë vote. Në raundin e parë këtë të drejtë e realizuan 484 prej të cilave 16 fletëvotime ishin të pavlefshme. Gjithçka është gati dhe presim votimi të kalojë pa probleme”, deklaroi për MIA-n, Rilind Hasa, kryetar i KKZ Dibër.
Siç informoi paraprakisht zëdhënësi i Sektorit për Punë të Brendshme Ohër, Stefan Dimoski, për shkak të ekzistimit të dyshimit për kryerjen e veprës penale “shkelje të së drejtës zgjedhore”, prë shkak të pamundësimit të votimit, Sektori i Punëve të Brendshme Dibër më datë 22 të këtij muaji shtroi padi penale kundër kryetares së këshillit zgjedhor pikërisht në vendvotimin 0543.
Në ankesën e ASH-Alternativa ishte potencuar se procesverbali i Këshillit zgjedhor është jovalid pasi nuk është nënshkruar nga shumica e anëtarëve të KZ. Gjithashtu, ishte potencuar se kryetari i Këshillit të vendvotimit në ditën e votimit është shkarkuar nga KKZ Dibër, por ka vazhduar ta kryejë funksionin.
Dje Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve e shkarkoi Komisioni Komunal Zgjedhor për Dibrën, më saktë eshalonin e parë të tij, derisa ngeli edhe më tej zëvendëskryetarja dhe zëvendësit e anëtarëve të Komisionit.
Kryetar i ri i KKZ Dibër është Rilind Hasa, ndërsa nënkryetare e komisionit edhe më tej është Jovanka Josifovska.
Ndryshe, në këtë vendvotim në raundin e parë kandidati i BDI-së dhe kryetar aktual i komunës, Hekuran Duka i fitoi 195 vota ose 40,29 për qind të votuesve të regjistruar (777), Bekim Pocesta nga Aleanca për Shqiptarë – Alternativa 271 ose 55,99 për qind dhe Petrit Klenja, kandidat për kryetar nga PDSH-ja, dy vota ose 0,41 për qind.
Të dielën nuk do të ketë votim për kryetar të komunës në Mavrovë-Rostushë dhe Qendër Zhupë sepse nuk u përmbush censusi ligjor i votimit në rrethin e parë të zgjedhjeve të dalin së paku një e treta e votuesve të regjistruar në Listën zgjedhore. Për këto dy komuna KSHZ do ta njoftojë Qeverinë, e më pas në Mavrovë-Rostushë dhe Qendër Zhupë do të organizohet përsëritje e votimit për kryetar komune në pajtim me Ligjin për vetëqeverisje lokale. Anëtarë të këshillit janë zgjedhur sepse për ta nuk nevojitet censusi.