Nazim Bushi: Spasovski nuk ma mohoi të drejtën e fjalës! Musliu: Të dy janë zgjedhur në Kuvend! ASH-AAA kërkon dorëheqjen

184

linku https://tv21.tv/bushi-spasovski-nuk-ma-mohoi-te-drejten-e-fjales-musliu-te-dy-jane-zgjedhur-ne-kuvend-ash-aaa-kerkon-doreheqjen/

“Jo unë do të përgjigjem, sepse ai është i dënuar. Për shkak se është i dënuar tani mbanë maskë. Të mos ishte i dënuar ndoshta nuk do të mbante tani maskë”, u shpreh Oliver Spasovski – Ministër i Punëve të Brendshme.

Kështu ministri i brendshëm Oliver Spasovski dje nuk e la të përgjigjet zëvendësin e tij, Nazim Bushi, në foltoren e konferencës për media, kur u pyet për ligjin për shtetësi.  Spasovski u përgjigj vet, duke mos e liruar vendin për zëvendësin e tij. 

Por zv/ministri Bushi për TV21 tha se nuk i është mohuar e drejta e fjalës.

“Nuk është mohuar e drejta ime për të folur, mirëpo pyetja e gazetarit ka qenë se a do përgjigjet zv/ministri apo ministri që të jep epilog mbi rastin në Ministrinë për sistem politik, që për këtë rast është përgjigjur z.Grubi që është kompetent”, tha për TV21, Nazim Bushi – zëvendësministër i Punëve të Brendshme.

Por a është Spasovski shef i Bushit, qe t’ia mohoje të drejtën e fjalës? Analisti Albert Musliu tha se me hierarki Spasovski është shef u Bushit, por të dy ata janë të zgjedhur në kuvend dhe secili ka të drejtë ta thotë mendimin e vet.

 “Spasovski me hierarki është shefi i Bushit sepse është zv.ministër. Kjo çështje e mohimit të fjalës nuk e di si është rregulluar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, por nuk besoj se Spasovski ka kapacitet politik ta limitoj Bushin që ta ketë mendimin e vetë dhe ta shpreh mendimin e vetë.

Unë përsëri do të them, nuk besoj se dje Spasovski e ka pasur për qëllim t’i drejtoj ndonjë mesazh Bushit, por as që mund t’i drejtoj sepse të dy ata janë të zgjedhur prej Parlamentit dhe Parlamenti mund t’i ndërroj ose të vendosë dikë tjetër. Ashtu që mendoj se gjithë qëllimi i Spasovskit nuk ishte ai, por ishte për ta miniminizuar zgjerimin e bisedës lidhur me ngjarjen e cila ndodhi në Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive”, potencoi Albert Musliu – analist politik.

Nga ana tjetër koalicioni ASH-Alternativa rastin e vlerësojnë si degradim të votës shqiptare andaj kërkojnë dorëheqjen e zëvendësministrit Bushi.

“Kërkojmë nga Spasovski të ndalë cirkun, të cilin e pamë dje se si e trajton zëvendësin e tij Nazim Bushin, kurse nga ky i fundit kërkojmë dorëheqje të menjëhershme për arsye morale me qëllim që të mos e degradojë edhe më shumë votuesin shqiptar”, tha Bujare Abazi nga Aleanca për Shqiptarët.

Ndryshe zëvendësministri Bushi është në mesin e 15 funksionarëve të BDI-së të cilat u gjobitën për mos mbajtje të maskës në mbledhimin e organizuar në përurimin e hapësirave të reja të Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, ku edhe u festua ditëlindja e liderit të partisë Ali Ahmeti.