BallinaLajme‘Na detyroni të ikim nga vendi!’, banorët e Kosternikut-Kumanovë në këmbë kundër...

‘Na detyroni të ikim nga vendi!’, banorët e Kosternikut-Kumanovë në këmbë kundër mbylljes së shkollës (VIDEO)

Banorët e Kosternikut të Kumanovës protestuan sot para shkollës së fshatit kundër paralajmërimeve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) për mbylljen e disa shkollave me numër të vogël të nxënësve në RMV. Në shkollën e tyre periferike “Vëllezërit Ribar” procesin edukativo-arsimor zakonisht e ndjekin nga dhjetë nxënës, gjë që e vëndos në kategorinë e shkollave për mbyllje duke u nisur nga paralajmërimet e ministres së Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska. Banorët thonë se nëse mbyllet shkolla fëmijët do të duhet të udhëtojnë 7 kilmetra për në shkollë kurse kështu dhe do të rritet numri i të rinjve që emigrojnë, shkruan Portalb.mkBanorët nënshkruan edhe një peticion e cila do t’i dërgohet MASH-it, për të mos e mbyllur shkollën në këtë fshat.  Shkolla në fjalë është periferike e cila qendrën e ka në fshatin Tabanocë.

Qahil Qaili, tha se ata kanë dalë të protestojnë për ta mbrojtur shkollën që të mos mbyllet. Qaili tha se shkolla është ndërtuar me vetëfinancim nga banorët e fshatit dhe shtoi se nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën është më e pranueshme ta kenë shkollën afër dhe të mos udhëtojnë deri në Kumanovë për të ndjekur procesin edukativo-arsimor.  

“Fëmijët edhe ashtu nga klasa e gjashtë deri ndjekin shkollimin në SH.F. Bajramin Shabani në Kumanovë”, nënvizoi Qaili. 

Valdrin Qerimi banor i fshatit Kosternik, tha se përmes këtij vendimi të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, në periudhë afatgjate stimulohet shpërngulja lokale e banorëve të fshatit.

“Plaga më e madhe e vendit tonë shtë migrimi. Pikërisht familjet e reja të cilat i kanë fëmijët e vegjël janë të detyruar të largohen nga fshati nëse shkolla jonë do të mbyllet. Me këtë Ministria e Bujqësisë dhe Ministria e Arsimit, bien në kundërshtim me njëra tjetrën. Nga fakti që nga pushteti qendror me njërën anë proklamohet dhe promovohet jeta në fshat me subvencione të ndryshme, ndërsa Ministria e Arsimit, me këtë lëvizje i shtynë qytetarët ta lëshojnë fshatin si banorë”, tha Qerimi

Lindita Azemi, duke folur për rrezikun e mbylljes së shkollave tha se për atë si nënë e një vajze gjashtë vjeçare është problem që fëmijën e saj që nga klasa e parë ta dërgojë në Kumanovë. 

“Qytetin e kemi larg gati 7 kilometra nga këtu. Ne si prind dhe fshat jemi kundër mbylljes së shkollë”, u shpreh ajo. 

Një prind i dy fëmijëve, Hajdin Azemi, shprehu keqardhje për paralajmërimin e mbylljes së shkollës në fshatin Kosternik të Kumanovës. Hajdini tha se njëri fëmijë në shtator do të jetë klasa e katër, ndërsa nga viti tjetër fëmija i dytë do të fillojë klasën e parë. 

 “Ne jemi fshatë i vogël, asnjëherë nuk kemi pasur numër të madh të nxënësve dhe nuk kemi rënie drastike të numrit të nxënësve. Prandaj është e palogjikshme të mbyllet shkolla”, u shpreh Azemi.  

Portalb.mk ka kërkuar qëndrim nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës në lidhje me mbylljen e kësaj shkolle.

Kujtomë se Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska deklaroi se ka shkolla me nga pesë apo gjashtë fëmijë dhe sipas saj po bëhen analiza se cilat prej tyre mund të mbyllen.

Ndryshe, sipas statistikave, në shtatë vitet e fundit numri i nxënësve në Maqedoninë e Veriut është zvogëluar për rreth 17 mijë. Vetëm gjatë një periudhe pesëvjeçare, 30 shkolla në mbarë vendin janë mbyllur për shkak të mungesës së nxënësve. Krahas mbylljes së objekteve shkollore, ka rënë edhe numri i paraleleve (klasave), duke u reduktuar me dhjetëra çdo vit. Fshati Kosternik ka rreth 300 banorë, por migrimi ka bërë që ai të zbrazet edhe më shumë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments