Sipas analizave të deritashme statistike-krahasimtare nga kontrollet e vazhdueshme dhe të përforcura të komunikacionit që po ndërmerren ditë për ditë në rrugët e vendit edhe më tej mbetet përfundimi se mosrespektimi i dispozitave në lidhje me parkimin, më tej tejkalimin e shpejtësisë së lëvizjes dhe gjithsesi – ngasjen pa leje drejtimi janë kundërvajtjet që më së shpeshti i bëjnë pjesëmarrësit e komunikacionit në shtet, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Në këtë pikëpamje analiza e kontrolleve të ndërmarra dje vetëm se e vërteton përfundimin e këtillë.
“Kështu, dje, prej 949 urdhëresave të lëshuara nga ana e nëpunësve policorë në mbarë territorin e vendit, 313 kundërvajtje kanë të bëjnë me parkimin e parregullt, 154 – me tejkalimin e shpejtësisë së lëvizjes, ndërsa 96 – me drejtimin pa leje drejtimi. Gjithashtu, është e vërejtshme se pas këtij grupi kundërvajtjesh edhe më tej pasojnë për nga numri kundërvajtjet që kanë të bëjnë me mospërdorimin e rripit të sigurisë – 59, si dhe kundërvajtjet nga shkaku i bisedës në celular gjatë ngasjes – 32. Në kuadër të kontrolleve të djeshme për kundërvajtje janë sanksionuar edhe 17 këmbësorë, gjashtë vozitës kanë kaluar në sinjalin e kuq, ndërsa tetë kanë ngarë nën ndikimin e alkoolit”, informojnë nga MPB.
Përndryshe, në përputhje me dispozitat e Ligjit për automjete, dje u evidentuan edhe 27 raste të automjeteve të paregjistruara që kanë marrë pjesë në komunikacion, ndërsa, në anën tjetër, te 34 automjete u konstatua paregullësia teknike.