9.4 C
Tetovo
E shtunë, 19 Prill, 2025
BallinaLajmeMoskonstituimi i Kuvendit të Kosovës/ Osmani: Deputetët kanë detyrim të mos bllokojnë...

Moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës/ Osmani: Deputetët kanë detyrim të mos bllokojnë formimin e institucioneve, të gjejnë rrugën për konstituimin

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, i është përgjigjur letrës së kryesuesit të seancës konstituive të Kuvendit, Avni Deharit, i cili kishte kërkuar sqarime se si të vazhdohet pas ndërprerjes së seancës të martën.Përmes një letre, presidentja ka kërkuar që seanca konstituive e Kuvendit të mbahet pa vonesa, në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.

Ajo ka cituar aktvendimin e vitit 2014 të Gjykatës Kushtetuese që thotë se “kryesuesi që kryeson seancën konstituive, edhe pse nuk është i zgjedhur, është i obliguar me Kushtetutë dhe me Rregulloren e Punës së Kuvendit për ta realizuar seancën konstituive”. Rrjedhimisht, Osmani kërkon nga Dehari të vazhdojë me seancën jo më vonë se brenda 48 orëve nga ndërprerja e saj.Presidentja e Kosovës ka kujtuar se çdo vonesë në këtë drejtim përbën shkelje të rendit kushtetues dhe bllokim të funksionimit të institucioneve, duke iu referuar aktgjykimit të vitit 2020 të Gjykatës Kushtetuese që thotë se “asnjë normë kushtetuese nuk mund të interpretohet në atë mënyrë që të bllokojë themelimin dhe funksionimin efektiv të pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv”.

Presidentja në letër ka theksuar se të gjitha veprimet e ndërmarra nga persona me autoritet publik duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe frymën e saj, duke kontribuar në mbarëvajtjen e institucioneve dhe interesit publik, duke cituar përsëri vendimin e Gjykatës së Kushtetuese të nxjerrë në vitin 2020 ku thuhet se “të gjitha veprimet që ndërmerren nga personat e veshur me fuqi ose autorizim publik, duhet të jenë në pajtim me Kushtetutën dhe frymën e saj dhe të kontribuojnë në mbarëvajtjen dhe bashkërendimin e punëve në interes publik për Republikën e Kosovës.”

Në përfundim të letrës, Osmani ka shprehur gatishmërinë e saj për të mirëpritur liderët e partive parlamentare në një takim të përbashkët për të diskutuar rrugën përpara, në rast se një gjë e tillë konsiderohet e nevojshme.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments