7.3 C
Tetovo
E enjte, 25 Prill, 2024
BallinaOpinionProf.Dr Mislim Zendeli / Universiteti i Tetovës, ‘ku e lamë dhe ku...

Prof.Dr Mislim Zendeli / Universiteti i Tetovës, ‘ku e lamë dhe ku na mbeti’?!

Në kushtet kur kërkohen ndryshime të gjithanshme në shoqëri, ekonomi madje dhe politikë, përgjatë procesit të demokratizimit dhe perspektivave të anëtarësimit në BE dhe strukturat tjera evropiane e botërore, Universiteti i Tetovës është gjetur në pozitë të palakmueshme, madje dhe të paqëndrueshme përball sfidave për një transformim dhe reformim të vazhdueshëm të shoqërisë tonë. Vallë kujt i leverdis kjo letargji e universitetit tonë popullor ? A mos kemi të bëjmë me forcat e padenja, gjithmonë të padukshme që duan të realizojnë thënien e famshme të kohërave kur u themelua ky tempull nga “miku” ynë Lubomir Fërçovksi ,,Në Tetovë ka lindur një foshnje e vdekur”? Apo dëshmojmë edhe në këtë rast, si në shumë raste të tjera, se nuk kemi kapacitete për të ndërtuar një shoqëri me atribute civilizuese?

Marrja e menaxhmentit me vetveten dhe me rrethin e tij familjar e klanor, krijoi pengesa për realizimin e strategjisë zhvillimore të universitetit. Kjo sjell pasoja mjaft të rënda siç është, rrënimi i imazhit të krijuar me sakrifica të shumta të një plejade të dashamirëve të arsimit, rënia e numrit të studentëve nëpër fakultetet dhe programet ekzistuese, kompetencat e mangëta të studentëve të diplomuar gjë që shihet nga terreni dhe të ngjashme të kësaj natyre dhe të tjera!

Vakumi menaxherial i krijuar në Universitetin e Tetovës  s’ do mend se është pengesë e madhe në realizimin e misionit dhe vizionit të këtij tempulli të dijes të fituar me gjak. Krahas problemeve të natyrave të ndryshme, ky universitet disa muaj funksionoi pa organet më të larta udhëheqëse. Ka kohë që rektorit të deritanishëm i ka kaluar mandati, ndërkohë që mezi u konstituua senati me anëtarë të “ri, të vjetër”. Kjo gjendje edhe më tej krijon amulli dhe nxit jofunksionalitetin në këtë institucion të arsimit të lartë, me kaq rëndësi edhe ndër ne. Hutesa e krijuar kësisoj ngjall elemente të mosbesimit si në opinionin e jashtëm ashtu edhe te studentët dhe te të punësuarit.

Pse nuk hapet konkurs për rektor ashtu siç parashihet me normat juridike? A thua përzgjedhja e organeve udhëheqëse më saktë e rektorit në Universitetin e Tetovës duhet edhe më tej të ngel peng i pazareve dhe politikave partiake apo klanore, siç ka qenë deri tani, apo duhet të vazhdojë rrugën e zhvillimit  drejt autonomisë institucionale të cilën e garanton ligji për arsimin e lartë në RMV- si dhe në përputhshmëri me objektivat strategjike të universitetit, siç ndodh me institucionet simotra gjithandej në shoqëritë bashkëkohore ?

Për këto tema tabu siç duket është e ndaluar të flitet, apo nuk merret guximi për të folur!Derisa opinioni tetovar e më gjerë animohet me tema bajate të cilat nuk përkojnë me kërkesat e botës së zhvilluar, në ambientet e Universitetit të Tetovës ka rënë një heshtje e rëndë. Dhe heshtja është shenjë e pajtueshmërisë ose ndërlidhet me pafuqinë e organeve udhëheqëse të institucionit të zgjidhin problemet e grumbulluara me vite në Universitetin e Tetovës. Problemet për dikë nuk ekzistojnë (Sic!), kurse për forcat progresive brenda institucionit, të njëjtat nuk kanë fund. Heshtja ndonjëherë vret gjithçka të ndërtuar me mundim e sakrifica. Por fshehja e të vërtetës është afatshkurtër dhe ajo del në sipërfaqe herët a vonë…

Kohë më parë pati tronditje të opinionit deri në skandal me punimet shkencore të Fakultetit të Mjekësisë, të cilat në sytë e veshët e mbyllur të inspektoratit për arsimin e lartë u shuan në mënyrë perfide, pa epilog inspektimi. Por siç duket problemet që shpërthyen në Fakultetin e Mjekësisë janë maja e Ajsbergut të katrahurës universitare.  Në Universitetin e Tetovës, sipas ligjit në fuqi, të arsimit të lartë dhe statutit,  duhej të ishte hapur konkurs për rektor. Por për çudi, në vend të konkursit kemi heshtje. Heshtje e plotë, e pashpjegueshme. Heshtin pothuajse të gjitha palët që duhej të gjenin zgjidhje të problemeve madje t’i parandalojnë ato. Fjala është për organet institucionale legjitime siç është rektorati, senati, dekanatet, parlamenti studentor por edhe Ministria  e Arsimit dhe Shkencës, organet tjera kompetente, studentët, prindërit e studentëve, opinioni i gjerë, mediet, etj.

Ndërkohë që  po ashtu në heshtje, një pjesë e shtresës “intelektuale” është e preokupuar me fejsbukun duke bërë ‘like’ për foto, duke uruar, duke thurur lëvdata për njëri tjetrin dhe…veprime këto, që nuk i kanë hije një intelektuali, e aq më pak një akademiku, në heshtje si shumëherë, larg nga publiku, papritur, ndodh rotacioni nga posti në post, i disa personave me interesa të ndërlidhura meskine. Ky i ashtu quajturi “ndryshim”, që korrespondon me logjikën “ik ti pak të vij unë, pastaj të vjen radha sërish ty”, nuk sjell ndryshimet e pritura në institucionin publik të arsimit të lartë ndër shqiptarët e RMV.

Vakumi i krijuar nga keq-menaxhimi ka krijuar shanse të reja  për punësime sipas çelësit “unë fëmijën tënd pastaj ti timin”! Janë me dhjetëra, mos me qindra, raste të punësimeve në bazë të lidhjeve klanore, farefisnore apo partiake, me nepotizëm! Kuptohet për bashkëpunëtorë janë zgjedhur kryesisht “fëmijët e prindërve me poste” qeveritare dhe akademike. Pothuajse nuk ka dekan/e apo prodekan/e, fëmijët e të cilëve nuk janë punësuar në Universitetin e Tetovës ! Fëmijëve të “pronarëve” të Universitetit, fillimisht ua kanë fry’ notat, që të mund të përmbushin kushtet ligjore për konkurset e kurdisura. Ndërkaq, ta themi troç, se në Universitetin e Tetovës  janë plot njerëz që s’e meritojnë dhe nuk gjejmë plot sosh që e meritojnë të jenë aty!

Në këto rrethana përpara komunitetit akademik të shqiptarëve të RMV-së  shtrohen pyetjet vijuese: Pse tolerohen këto veprime devijante? Pse lihet që të zhbëhet bërthama akademike e Universitetit të Tetovës? Si ndodhi në një hapësirë të vogël gjeografike të hapen tre Universitete me fakultete të njëjta? Pse u lejua që këto universitete t’i konkurrojnë njëri tjetrit por jo me cilësi? Pse nuk u analizua dhe hulumtua tregu i  fuqisë punëtore për t’i dhënë përgjigje çështjes së profileve të nevojshme në tregun e punës? Dhe për fund, si lejoi bota akademike ndër ne, e cila sot nuk është e vogël, së paku për nga numri, që rinia jonë të bie në agoni, të ngulfatet në pesimizëm dhe shpëtimin ta kërkojë jashtë vendlindjes?

Përgjigjen duhet ta japin të gjitha forcat progresive brenda dhe jashtë universitetit dhe të formatojnë “një universitet tjetërqysh”, modern, që do të merr përsipër barrën e rëndë të çojë shoqërinë shqiptare ndër këto troje, përpara drejtë zhvillimit të gjithëmbarshëm shoqëror ekonomik dhe social, siç e kërkon epoka e teknologjisë së re në shoqëri të shkencës, përparimit e dijes? Pra është nevojë, mbase duhet të jetë dhe prioritet, i strukturave udhëheqëse të sotme dhe të ardhshme  të ngrihen kapacitete institucionale dhe kapital njerëzor, i cili do të jetë i gatshëm të ju prijë reformave për modernizimin e arsimit të lartë këtu te ne. Ngritja e temave të “nxehta” për arsimin dhe jetën e të rinjve duhet bërë përmes përpjekjeve të guximshme për të nxitur debate rreth reformimit të vlerave të arsimit të lartë në vend.  Përmes shkrimeve në shtyp, emisioneve debative në televizione dhe forume të platformave  ‘online’ të komunikimit, konferencave shkencore dhe tryezave të rrumbullakëta, me një fjalë duhet shfrytëzuar të gjitha mjetet dhe metodat që të rifitohet besimi i të rinjve që të afrohen rreth këtij strumbullari të dijes, që për fatin tonë të keq është lëkundur.  Për të mundësuar dhe lehtësuar ridimensionimin e suksesshëm të universitetit konform kërkesave të kohës duhet përvjelë mëngët dhe punuar, pa hile, të gjithë ata që marrin paga nga buxheti i krijuar nga shtresat e gjera popullore.

Nga ne, të gjeneratës së ‘boomer-ave’, kërkohet t’i themi gjërat troç dhe pa drojë, pasi jemi gjeneratë e sakrificave. Shkrimet do lënë gjurmë për gjeneratat e ardhshme se megjithatë “të gjithë në kohën tonë nuk kanë ngrënë bar, nuk kanë kullotur”.

Unë jam i vetëdijshëm, njëkohësisht i përmendur, se përmes këtij shkrimi të paktën shpreh publikisht brengën  shpirtërore për ti thënë gjërat ashtu siç janë, e siç duhet, jo ashtu siç i shohim me syze dielli, i erdhi dikujt mirë apo jo! Unë duke qenë pjesë e këtij universiteti synoj kontributin vullnet-mirë nga një këndvështrim dhe përceptim dashamirës, i imi, qofsha dhe gabim! I thashë në mënyrë të hapur, jo tinëz e pas shpine siç bëhet nëpër kafene. Të vazhdosh të heshtësh dhe të përfitosh nga situata, duhet kujtuar dhe menduar mirë e mirë edhe ‘karmën’ individuale e kolektive !

Për fund, do të ndërlidhem me idetë e mendimtarit dhe filozofit grek Platonit i cili në librin e tij, “Republika”, identifikon një numër të ndryshimeve që duheshin bërë, për të ndryshuar shoqërinë e atëhershme, e për të cilat kemi nevojë ne sot t’i zbatojmë: “fëmijëri më të mirë, arsimim më të mirë, nevoja për censurë dhe nevoja për heronj të rinj”.

Sipas tij ndryshimi është një mjet për të na ndihmuar ta ndryshojmë botën. Një shembull që mund të vazhdojë të frymëzojë…

Autor: Mislim Zendeli

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments