7.4 C
Tetovo
E shtunë, 4 Maj, 2024
BallinaLajmeMinistria e Financave: Sektori publik do t’i shlyejë detyrimet ndaj kompanive private...

Ministria e Financave: Sektori publik do t’i shlyejë detyrimet ndaj kompanive private në afat prej 30 ditëve

Sektori publik do t’i shlyejë detyrimet ndaj kompanive private në afat prej 30 ditëve. Ndryshimet e propozuara në Ligjin për Disiplinë Financiare, i cili është propozim i Ministrisë së Financave dhe është pranuar nga Qeveria, parashikon që afati për pagesën e detyrimeve të shtetit ndaj sektorit privat të jetë 30 ditë nga viti 2025.

Me këtë propozim, parashikohet ulje graduale e afatit të shlyerjes së detyrimeve të subjekteve nga sektori publik, llogaritë e të cilëve janë në Llogarinë e Thesarit të Ministrisë së Financave. Kështu që, nga 60 ditë që është tani, nga data 1 janar i vitit 2023, ai afat të zvogëlohet në 50 ditë, nga data 1 janar i vitit 2024, do të zvogëlohet për 10 ditë dhe do të arrijë në 40 ditë, ndërsa nga muaji janar i vitit 2025 do të jetë 30 ditë.

Zvogëlohet afati nga 90 në 60 ditë edhe për pagesat e sektorit publik, llogaritë e të cilëve janë në kuadër të Llogarisë së Thesarit të Fondit të Sigurimit Shëndetësor të Maqedonisë. Gjegjësisht, me ndryshimet e propozuara parashihet që nga muaji janar i vitit 2023, afati për shlyerjen e detyrimeve financiare të këtyre subjekteve të bëhet 80 ditë, nga muaji janar i vitit 2024 afati të jetë 70 ditë, ndërsa nga muaji janar i vitit 2025 afati të jetë 60 ditë.

Ndryshimet bëhen me qëllim të harmonizimit të afateve për plotësimin e detyrimeve financiare sipas Direktivës së BE-së për pagesë të vonuar.

Me Ligjin aktual për Disiplinën Financiare, parashihet se transaksionet afariste ndërmjet subjektit të sektorit publik dhe operatorit ekonomik nga sektori privat, në rast kur subjekti nga sektori publik paraqitet si debitor, nuk mund të përcaktohet afat më i gjatë se 60 ditë për plotësimin e detyrimeve financiare.

Po ashtu, me këtë ligj parashihet se në transaksionin afarist kur Fondi i Sigurimit Shëndetësor të Maqedonisë dhe shfyrytëzuesit e mjeteve financiare nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor të Maqedonisë, institucionet shëndetësore publike dhe institucioni publik nga fusha e shëndetësisë për nevojat e institucioneve publike shëndetësore, klinikat universitare, enti dhe qendra urgjente që paraqiten si debitorë, nuk mund të caktohet afat më i gjatë se 90 ditë për përmbushjen e detyrimit të borxhit.

Ligji aktual për Disiplinë Financiare ka hyrë në fuqi nga muaji maj i vitit 2014 dhe me të sigurohet arkëtimi i sigurt i kërkesave dhe likuiditeti i kompanive.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments