4.3 C
Tetovo
E enjte, 25 Prill, 2024
BallinaLajmeMinistri i Financave Fatmir Besimi: Mbi dhjetë milionë euro investime për objekte...

Ministri i Financave Fatmir Besimi: Mbi dhjetë milionë euro investime për objekte publike me efikasitet energjetik në të gjitha komunat

26 maj 2021, Shkup – Injektimi i mjeteve në projekte që kanë vlerë të lartë të shtuar ka rëndësi të madhe për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe më pas për përshpejtimin e rritjes ekonomike, – theksoi ministri i Financave Fatmir Besimi në sesionin informues të organizuar nga Ministria e Financave lidhur me “Projektin për efikasitet energjetik në sektorin publik”, i cili realizohet me përkrahjen e Bankës Botërore. Objektivi i sesionit informues është që kryetarët e komunave të informohen për mënyrën e aplikimit të thirrjes publike, publikuar para një jave për shfrytëzimin e mjeteve për investime në objektet komunale me efikasitet energjetik, me fond të përgjithshëm prej 10.5 milionë euro.

Ky projekt ka rëndësi të madhe sa i përket forcimit të kapacitetit fiskal të komunave. Prandaj, besoj se shumë shpejt do të vendosni se në cilat objekte në komunë duhet të veprohet si dhe të aplikoni për mjetet në dispozicion. Interesi i madh për këtë projekt dëshmon se jemi të gatshëm të përballemi me sfidat globale si qëndrueshmëria e së ardhmes energjetike dhe mjedisi jetësor i shëndetshëm “, theksoi Besimi.

Fjalim kishte edhe drejtori i Bankës Botërore për Maqedoninë e Veriut, Massimiliano Paolucci.

Paolucci theksoi se një nga objektivat kryesore të këtij projekti është krijimi i mekanizmit financiar të qëndrueshëm që do të mundësojë rritjen e investimeve me efikasitet energjetik në sektorin publik.

“Krijimi i Fondit për efikasitet energjetik, i cili është planifikuar në kuadër të këtij projekti, si mekanizëm financiar revolving do të mundësojë përkrahjen e rritjes së investimeve që synojnë përmirësimin e efikasitetit energjetik në sektorin publik dhe më vonë edhe në sektorët e tjerë. Ky mekanizëm revolving do t’i mundësojë Fondit që të vazhdojë me investime në sektorin publik, veçanërisht në komuna, përmes financimit të vazhdueshëm në efikasitetin energjetik pas përfundimit të Projektit,” informoi Paolucci.

Ai theksoi se projekti, përveç kursimit energjetik, do të kontribuojë në krijimin e vendeve “të gjelbërta” të punës. Gjithashtu informoi se rinovimet e objekteve dhe përmirësimi i cilësisë së ndriçimit publik bëhen zakonisht nga kompanitë lokale.

Vlera e e përkrahjes financiare për një vetëqeverisje lokale mund të variojë nga 50 mijë euro deri në 750 mijë euro dhe kjo varet nga vlera e vlerësuar e projektit të propozuar të komunës. Si rezultat i nënshkrimit të marrëveshjes me Ministrinë e Financave, 80% e këtyre mjeteve do të merren nga komuna si nënhua, ndërsa pjesa tjetër prej 20% si grant. Njëherit nga Ministria e Financave në kuadër të mjeteve të siguruara për këtë projekt, do të mbulohen edhe shpenzimet për përgatitjen e revizionit energjetik dhe për dokumentacionin teknik për projektet.

Përfaqësuesit e komunave theksuan se ky projekt ka rëndësi të veçantë për komunat e tyre, si dhe se aktualisht janë duke i përcaktuar objektet publike me të cilat do të aplikojnë lidhur me thirrjen publike në kuadër të këtij projekti.

Vlera e përgjithshme e “Projektit për efikasitet energjetik” është 25 milionë euro, me ç’rast një pjesë e këtyre mjeteve janë të dedikuara për investime me efikasitet energjetik në objektet e pushtetit qendror, në sektorin shëndetësor, si dhe për krijimin e Fondit për efikasitet energjetik.

Pjesa më e madhe e mjeteve të parapara për këtë projekt, përkatësisht 10.5 milionë euro, janë dedikuar për të gjitha njësitë e vetëqeverisjes lokale në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ndërsa objektivi kryesor është zvogëlimi i konsumit të energjisë në sektorin publik si dhe përmirësimi i nivelit dhe cilësisë së objekteve publike dhe ndriçimi publik.

Në sesionin informuaes, koordinatorja kryesore e Projektit për përmirësimin e shërbimeve komunale – MSIP, Tanja Tomiq dhe ekipi i njësisë informuan përfaqësuesit e komunave për mënyrën e aplikimit, si dhe për tërë procesin.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments