17.9 C
Tetovo
E diel, 5 Maj, 2024
BallinaEkonomiMinistri Bekteshi për “Politiko”: Korridori 8 do të lehtësojë qarkullimin e njerëzve...

Ministri Bekteshi për “Politiko”: Korridori 8 do të lehtësojë qarkullimin e njerëzve dhe mallrave! (VIDEO)

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi në intervistë për portalin “Politiko.mk”,  ka folur për masat e qeverisë për uljen e pasojave nga krizat energjetike dhe stabilitetin fiskal. Ai ka prezantuar edhe dy ligje të reja që do të miratohen së shpejti, të cilat kanë të bëjnë me ndalimin e praktikave të padrejta tregtare dhe mbështetjen financiare të investimeve.

Ministri Bekteshi në intervistë mes-tjerash informon se Qeveria ka marrë një sërë masash që kanë të bëjnë me rritjen e likuiditetit të kompanive nëpërmjet ligjit për mbështetjen financiare të investimeve, ku përpjekjet maksimale kanë qenë që të ndihmohen kompanitë për të krijuar vende të reja pune, por në të njëjtën kohë të mos ndalet investimet që kanë planifikuar gjatë kësaj periudhe.

Ky ligj, shprehet ministri Bekteshi, do t’u mundësojë kompanive të regjistruara në Maqedoninë e Veriut të aplikojnë për kredi me interes shumë të ulët ose pa interes nga fondet e BE-së dhe Banka Botërore.

Politiko.mk: Qeveria ka marrë një sërë masash për të reduktuar pasojat e krizave energjetike dhe qëndrueshmërisë fiskale. Cilat janë masat kryesore dhe a planifikohen edhe të tjera?

Kreshnik Bekteshi: Pikërisht në vazhdimësi, pothuajse që nga fillimi i pandemisë, pastaj dhe me krizën energjetike dhe tash me ballafaqimin sa i përket, përpjekjeve maksimale të qeverisë për uljen e inflacionin qeveria merr një sërë masash. Pra kemi marrë masa që kanë të bëjnë me rritjen e likuiditetit të kompanive nëpërmes ligjit për mbështetje financiare të investimeve ku përpjekjet maksimale kanë qenë që të ndihmojmë kompanitë, që të krijojmë vende të reja të punës, por njëkohësisht edhe të mos i ndalojnë investimet të cilat i kanë planifikuar gjatë kësaj periudhe, por edhe masat të cilat e tangojnë drejtpërsëdrejti qytetarin apo konsumatorin siç është ngrirja e çmimeve, ngrirja e marzhave të fitimit edhe për tregtarët me pakicë edhe me shumicë, dhe kjo jep rezultatet duke u bazuar edhe në raportet e bankës botërore por njëkohësisht edhe raportet e Entit Statistikor të Maqedonisë së Veriut ku kemi pothuajse ulje dyfish të inflacionit në krahasim me vitin paraprak edhe në pjesën e përgjithshme të inflacionit por edhe në pjesën sa u përket ushqimeve bazë.

Politiko.mk: Çmimet e reduktuara sollën edhe mbylljen e disa marketeve. Qytetarët janë të kënaqur me këto veprime, por çfarë thotë biznesi? Keni ankesa?

Kreshnik Bekteshi: Sigurisht që po. Të jem sa më i saktë për qytetarët por edhe t’i njoftoj qytetarët se cilat janë detyrat edhe të sektorit privat, edhe për mbrojtjen e sektorit privat, edhe të organizatave për mbrojtjen e konsumatorëve por edhe të qeverisë në përgjithësi, e në veçanti të Ministrisë së Ekonomisë. Pra detyrë kryesore e odave të ekonomisë është të mbrojë interesin e bizneseve. Detyrë kryesore e organizatave për mbrojtjen e konsumatorëve është të mbrojë të drejtat e konsumatorëve, që konsumatorët të mos dëmtohen nga praktika të cilat nuk konsiderohen se janë të drejta në përputhje me të gjithë zinxhirin e tregtisë në Maqedoninë e Veriut dhe këtu pra është roli edhe i qeverisë, e cila në një lloj mënyre i krijon ato politika që të mbajë bilancin në mes të interesit të biznesit dhe interesit të konsumatorit.

Por duhet marrë parasysh që në kohë krizash, siç është kriza globale edhe duke filluar edhe nga invazioni rus në Ukrainë ku kishte mungesë të produkteve ushqimore duhet t’i jepet më shumë rëndësi konsumatorit, me të vetmin qëllim që të mos ndikojmë negativisht në standardin jetësorë të të njëjtit, dhe kryesisht mbi 90 për qind të masave të cilat i aprovon Ministria e Ekonomisë dhe pastaj i realizon nëpërmjet instrumenteve të ndryshme kanë të bëjnë me mbrojtjen e standardit jetësor të qytetarëve, edhe paralelisht me atë edhe rritja e pagave të cilat duhet ta mbulojnë rritjen e inflacionit dhe rritjen e çmimeve në përgjithësi.

Poltiko.mk: Zoti ministër çfarë parasheh ligji i ri për ndalimin e praktikave të padrejta tregtare?

Kreshnik Bekteshi: Është ligj i cili harmonizohet me direktivat e BE-së në pjesën e mbrojtjes së konsumatorëve dhe në pjesën e ligjit për tregti, ka të bëjë me obligimet dhe detyrimet të cilat kanë prodhuesit ndaj tregtarëve por edhe ata ndaj prodhuesve, e në veçanti ndaj prodhuesve vendorë, por nuk parashihen të dhëna shtesë nga ana e prodhuesve vendorë dhe në këtë mënyrë duhet të ndikojmë në uljen e çmimeve të produkteve bazë por edhe nga produktet të cilat i importohen, duke marrë parasysh që marzhat e fitimeve në tregtarë me pakicë mund të tejkalojnë edhe 40 për qindëshin nga çmimi fillestar i prodhimit, marzhë e cila është shumë e madhe në kuadër të të gjithë zinxhirit të tregtisë.

Në atë mënyrë ne presim që me miratimin e ligjit çmimet e disa prej produkteve bazë nga fillimi i vitit të ardhshëm të zvogëlohen me 30 për qind minimum nga çmimet të cilat janë për momentin.

Politiko.mk: Është duke u hartuar edhe Ligji për mbështetjen financiare të investimeve. Çfarë parasheh ky ligj?

Kreshnik Bekteshi: Ky ligj ka të bëjë me vendosjen e drejtësisë në Maqedoninë e Veriut duke filluar nga mundësia të cilën e kanë rajonet, dhe kryesisht jemi bazuar edhe në metodologjinë e Byrosë për Zhvillim të Barabartë Rajonal, dhe me metodologjinë sa i përket nivelit të zhvillimit të rajoneve të ndryshme.

Prandaj në kuadër të ligjit për mbështetje financiare të investimeve kemi paraparë që kompanitë të cilat do të bëjnë investime në rajonet të cilat janë më pak të zhvilluara se rajoni i Shkupit, të ndihmohen shtesë nga ana e qeverisë me të vetmin qëllim që të inkurajojnë sektorin privat edhe investitorët e huaj në Maqedoninë e Veriut, që pikërisht këto rajone të kenë përparësi duke fituar më shumë. Pra si masë e re është edhe tërheqja e investimeve nga bashkëqytetarët tanë nga diaspora, ku me mbi 20 për qind shtesë do të kenë përfitime, apo deri në 1 milion euro grande të pakthyeshme, nëse dikush vendos që kapitalin e fituar me vite jashtë vendit ta investojë edhe në Maqedoninë e Veriut.

Politiko.mk: Z.Bekteshi cak i kritikave nga qarqe të caktuara jeni edhe për demonopolizimin e tregut të derivateve. Pse?

Kreshnik Bekteshi: Kjo ka ndodhur për shkak se Maqedonia që nga vitet e 30-ta ka krijuar monopole të ndryshme, dhe një nga ata është me siguri edhe sektori energjetik duke përfshirë këtu edhe importin e derivateve, por edhe me pakicë të derivateve, dhe nuk është i vetmi sektor ku ka pasur një lloj monopoli dhe për shkak se pretendimet kryesore të qytetarëve edhe neve si qeveri, me mbi 80 për qind të qytetarëve pretendojnë që të anëtarësohemi në BE.

Ne kemi vendosur themelet dhe parimet të cilat realizohen në BE dhe ajo është që të mos ketë monopole dhe në veçanti në sektor të cilat mund të ndikojnë edhe në sigurimin e shtetit dhe ai është sektori energjetik, dhe këtu nuk do të lejojmë që kjo të vazhdojë në Maqedoni.

Tanimë është bërë verifikimi  i burimeve nga ku furnizohet Maqedonia e Veriut.  Çdo i ri do të ketë mundësi që me vizionin e tij të mundet të konkurrojë me ato kompani të cilat dalin nga koha e tranzicionit dhe Maqedonia shpresojmë se për një kohë të shkurtër do të anëtarësohet në BE, ku monopole të tilla nuk lejohen.

Politiko.mk: Organizata e konsumatorëve ka propozuar që të ketë brenda vitit dy herë lirime sezonale nëpër dyqanee. Është futë në korniza ligjore kjo?

Kreshnik Bekteshi: Ky propozim për momentin është duke u shqyrtuar nga grupi i punës të cilët janë duke e përgatitur ligjin për tregti dhe mendoj që një pjesë e konsiderueshme e Organizatës së Konsumatorëve do të inkorporohen në zgjidhjen e re ligjore, dhe fjala e fundit me siguri do të jetë e deputetëve.

Ne shpresojë që deri në fund të vitit të ketë një ligj i cili do të jetë më i favorshëm për konsumatorët dhe në atë mënyrë nuk do të ketë nevojë të miratojë qeveria në një të ardhme masa të cilat do të jenë kohore, por do të ketë një qëndrueshmëri dhe para-shikueshmëri sa i përket mbrojtjes së konsumatorëve dhe mënyrës se si do të bëhet tregtia në Maqedoninë e Veriut.

Politiko.mk: Z.Ministër, si qëndron Maqedonia e Veriut me shkëmbimin tregtar rajonal, me theks të veçantë me Kosovën dhe Shqipërinë?

Kreshnik Bekteshi: Kemi një rritje sa i përket shkëmbimit tregtar mes vendeve në kuadër të iniciativave rajonale siç është SEFTA, Procesi i Berlinit, dhe iniciativa të tjera ku Maqedonia e Veriut është e gatshme që këtë shkëmbim ta rrisim sa më shumë midis vendeve të rajonit në veçanti edhe me investimet paralele të cilat ndodhin. Siç e din dhe opinioni ne bëjmë përpjekjet maksimale dhe tani kanë filluar dhe punimet e Korridorit 8, i cili do të jetë lehtësim edhe për qarkullimin e qytetarëve edhe për qarkullimin e mallrave, por edhe një alternativë shtesë sa i përket furnizimit me produkte të ndryshme me të gjithë sipërmarrësit në Maqedoninë e Veriut ku do të mundet të shfrytëzohet dhe porti i Durrësit si konkurrencë e portit të Selanikut dhe porteve tjera. (VIDEO)

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments