8.9 C
Tetovo
E diel, 5 Maj, 2024
BallinaLajmeBotaMikhail Khodorkovsky: Si do ta bindim popullit rus të ngrihet kundër Vladimir...

Mikhail Khodorkovsky: Si do ta bindim popullit rus të ngrihet kundër Vladimir Putinit

Nga Mikhail Khodorkovsky “Financial Times

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Ditët e para të luftës në Ukrainë, nuk arrija të flija. Dhe tani që kam parë pamjet e fundit nga konflikti, nuk më zë dot gjumi. Dhjetë vitet e kaluara në burgjet e Vladimir Putinit kam fjetur i qetë. Edhe natën që më goditën me thikë në fytyrë, shkova në infermieri për t’u qepur, u ktheva në shtrat, ktheva në anën tjetër jastëkun e gjakosur dhe rashë sërish në gjumë si foshnjë.

Por tani nuk mundem. Kharkiv, Kiev, Mariupol, gjak, dhimbje, vuajtje. Jetë të pafajshme të shkatërruara. Fëmijë të vrarë. Kufoma mbi kufoma. Dhe për çfarë? Për një mafioz të moshuar, që siç ndodh shpesh, është i fiksuar pas konceptit të rivendosjes së një perandorie ndërsa po i afrohet fundit të jetës së tij.

Putini i ka testuar shumë herë këto çështje. Në vitin 1999, kur u ngrit nga hiçi pas akteve të terrorizmit dhe luftës në Çeçeni, ai e kuptoi se perandoria ishte një temë që prekte “telat e zemrës” së shoqërisë ruse. Në vitin 2008, edhe pse ia dorëzoi presidencën Dmitry Medvedev, ai provokoi një luftë në Gjeorgji dhe siguroi kontrollin e tij në pushtet.

Në vitin 2014, kur pakënaqësia e përhapur popullore nisi të mbushë rrugët dhe sheshet e Rusisë, ai aneksoi Krimenë dhe mbështetja ndaj tij kapi sërish majat. Dhe tani, pas keq-menaxhimit të pandemisë së Covid-19 dhe një dekade pa rritje ekonomike, ai ka nisur një luftë të re.

Si do të reagojë Rusia? Shumë rusë kanë të afërm, miq dhe rrënjët e tyre në Ukrainë. Familja ime u largua nga Ukraina 100 vjet më parë gjatë Revolucionit Rus. Moska është vendlindja ime dhe e prindërve të mi, por Kharkiv, Zhytomyr dhe Odesa nuk janë qytete të huaja për ne.

Paraardhësit e mi janë varrosur atje, dhe unë kam pasur të afërm që jetojnë atje. Dhjetëra miliona rusë mund të thonë të njëjtën gjë. Si po reagojmë ata, të gjithë ne? Të dhënat e një sondazhi duken të tmerrshme.

Ato tregojnë se 65-75 për qind e rusëve e mbështesin luftën. Gjithsesi, sociologë seriozë refuzojnë që t’i marrin seriozisht sondazhe të tilla. Sondazhet e kryera në një diktaturë, dhe veçanërisht në kohë lufte, nuk të thonë asgjë.

Vetëm një pjesë e vogël njerëzisht guxojnë të përgjigjen, dhe prej tyre shumë do ta kenë të vështirë thonë atë që mendojnë në të vërtetë. Megjithatë, duhet pranuar se mbështetja për luftën është e madhe. Njerëzit e dinë se diçka nuk është në rregull, por ose kanë frikë të rezistojnë ose thjesht nuk dinë se si ta bëjnë këtë.

Nëse dalin në rrugë, do të humbin vendin e punës, ose do të përfundojnë në burg, dhe pakkush mund ta përballojë këtë në një vend të varfër. Një turmë e paarmatosur është e pafuqishme kundër gardës së armatosur të Putinit.

Mohimi i fakteve të ofron një arratisje psikologjike, dhe sulmi i propagandës shtetërore u jep njerëzve mjetet për ta arritur këtë: “Ne nuk jemi në luftë me popullin ukrainas, ne po e mbrojmë atë nga nazistët”; “Ne nuk po bombardojmë qytetet, ukrainasit po i bombardojnë vetë ato”; “Ne nuk po luftojmë kundër Ukrainës, por ndaj amerikanëve dhe NATO-s”.

Dhe kështu me radhë.

Shumë pak njerëz dëshirojnë që të jenë ndryshe, duke u shfaqur kundër asaj që “mendojnë të gjithë”. Përcaktimi i asaj që “duhet të mendojnë të gjithë” është detyra kryesore e propagandës së Kremlinit. Kjo është arsyeja pse Kremlini i mbyll rrjetet sociale që nuk janë nën kontrollin e tij.

Rusët e sigurt në Perëndim bien viktimë e së njëjtës propagandë. Ata kanë të afërm, miq dhe burime të ardhurash në atdheun e tyre. Ata duan të jenë në gjendje që ta vizitojnë Rusinë. Rezultati është një përpjekje e suksesshme për të bindur veten se situata nuk është aq e thjeshtë.

Por diçka duhet bërë. Përveç konsideratave humanitare, ne duhet të ndalim një proces jashtëzakonisht të rrezikshëm. Shoqëria ruse rrezikon të bëhet jo thjesht një peng i ideve dhe krimeve fashiste të Kremlinit, por edhe bashkëpunëtore e tyre.

Ky do të ishte një zhvillim jashtëzakonisht i rrezikshëm, jo vetëm duke i dhënë Kremlinit një mandat për vazhdimin e agresionit, por në fakt do ta inkurajonte atë. Për këtë arsye sanksionet kundër Rusisë si vend (diçka për të cilën unë kam qenë gjithmonë kundër) janë të domosdoshme.

Për më tepër, ato nuk duhet të hiqen shpejt. Unë nuk kam qenë kurrë pro shtyrjes së njerëzve, bashkëqytetarëve të mi, për t`i rezistuar rrezikut serioz. Por kjo është luftë. Në të ose vret ose vritesh. Në disa vende kjo është ende thjesht diçka figurative, por në Ukrainë është shumë reale.

Në këtë situatë, rreziku është çmimi që duhet të paguani për mbijetesën, jetën tuaj, për atë të njerëzve të tjerë dhe në fund të fundit për lirinë. Unë e kam bërë zgjedhjen time për këtë shumë kohë më parë. Sikur të doja një jetë të sigurt dhe të qetë, e kisha një mundësi të tillë.

Unë jam i kënaqur që kaq shumë nga bashkëqytetarët e mi po bëjnë gjithashtu të njëjtën zgjedhje. Mijëra, madje dhjetëra mijëra, po dalin në rrugë.

Qindra mijëra janë larguar nga vendi, mes tyre shumë liderë të opinionit publik, të cilët Kremlini po i kërcënon vazhdimisht. Këta njerëz po vazhdojnë luftën e tyre nga jashtë, duke u përpjekur që të depërtojnë në mendjet dhe zemrat e bashkëqytetarëve tanë. Ne kemi krijuar Komitetin rus Kundër Luftës, dhe po përpiqemi që të veprojmë së bashku.

Ne po ndihmojmë refugjatët ukrainas, dhe po përcjellim mesazhin tonë të përbashkët për audiencën ruse që numëron miliona njerëz, dhe për ata në Perëndim që e kuptojnë se kjo tragjedi është diçka e zakonshme për të gjithë ne.

Ne do ta fitojmë luftën për mendjet e popullit rus, duke mposhtur jo vetëm Putinin, por vetë fenomenin e Putinizmit. Për këtë, ne ukrainasit, rusët, britanikët, evropiano-perëndimorë, amerikanët, duhet të kuptojmë se kjo nuk është vetëm një luftë kundër Ukrainës. Kjo është faza e parë e një lufte të re që vendos demokracinë kundër fashizmit dhe diktaturës. Është në duart tona të sigurojmë që kjo përballje të jetë e fundit.

Shënim: Mikhail Khodorkovsky, ish-kreu i kompanisë më të madhe të naftës në Rusi, Yukos. Pas burgimit me urdhër të Putinit, Khodorkovsky jeton tani në Perëndim, ku është anëtar i Komitetit Kundër Luftës.
RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments