BallinaLajmeMevlan Ademi i reagoi Mickoskit dhe Fillkovit, atyre u pengon mungesa e...

Mevlan Ademi i reagoi Mickoskit dhe Fillkovit, atyre u pengon mungesa e flamurit shtetëror dhe paralajmërojnë dërgimin e ligjit në Komisionin e Venecias

Organizatori i protestave studentore, Mevlan Ademi ka reaguar ndaj kryeministrit Hristijan Mickoski dhe ministrit Igor Fillkov, duke i akuzuar për qëndrime kundër gjuhës shqipe edhe pas protestës studentore. Ndërsa kryeministri Mickoski, i ka akuzuar studentët për mungesën e flamurit maqedonas dhe mosrespektimin e ligjit të himnit, derisa ka shtuar se zgjidhja lidhore për jurisprudencën do të dërgohet në Komisionin e Vendikut, shkruan Portalb.mk.

Mevlan Ademi, njëri nga organizatorët e protestave studentore, ka reaguar në profilin e tij zyrtar në Facebook duke kritikuar qëndrimet e ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov dhe të kryeministrit Hristijan Mickoski lidhur me çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe. Reagimi i tij vjen në një kohë kur debati për të drejtat gjuhësore dhe përdorimin e shqipes në institucionet shtetërore ka rikthyer tensionet politike dhe etnike në vend.

Ademi shkroi se edhe pas protestës së dytë studentore, kryeministri dhe ministri i Drejtësisë vazhdojnë të mbajnë qëndrim kundër gjuhës shqipe dhe dëshirojnë të paraqiten si “mbrojtës të gjuhës maqedonase”. Sipas tij, kërkesa e studentëve nuk është politike, por lidhet drejtpërdrejt me të drejtën për arsimim dhe trajtim të barabartë.

“Unë nuk e di se si Fillkov, pas asaj proteste masive, ende vazhdon të mbajë qëndrim kundër dhe të simbolizohet si ‘mbrojtës i gjuhës maqedone’. Ne nuk kemi asgjë kundër gjuhës maqedonase, por kemi kundër atyre që e kundërshtojnë gjuhën tonë amtare. Gjithashtu, kryeministri ende insiston që çështja të dërgohet në Komisionin e Venecias dhe ta zvarrisë edhe më tej këtë padrejtësi ndaj nesh. Pse na mundoni çdo herë? Pse jeni kaq kundër gjuhës shqipe? A ju frikëson aq shumë?”, shkruan Ademi.

Ai më tej theksoi se protestat do të vazhdojnë derisa institucionet të reflektojnë ndaj kërkesave të studentëve shqiptarë, duke shtuar se heshtja institucionale vetëm sa ka rritur revoltën dhe pakënaqësinë te të rinjtë.

Në protestën e 18 majit, studentët marshuan me pankarta në duar dhe brohoritje për barazi gjuhësore, ndërsa një pjesë e tyre deklaruan se nuk do të ndalen derisa të sigurohet e drejta për ta dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Jurisprudenca në Komisionin e Venedikut

Nga ana tjetër, kryeministri Hristijan Mickoski thotë se mbështet të drejtën e protestës si vlerë demokratike, por se protesta e pardjeshme e studentëve shqiptarë, sipas tij, në të cilën kërkuan t’u lejohet të japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, shkeli ligjet dhe Kushtetutën. Micksoki thotë se zgjidhja lidhore do të dërgohet në Komisionin e Venedikut.

“Unë gjithmonë mbështes protestat, është një e drejtë demokratike dhe nuk kam asnjë dilemë këtu”, tha ai. Megjithatë, ai shtoi se ishte i shqetësuar nga sjellja e disa prej pjesëmarrësve në protestë, të cilët sipas tij po shkelnin dispozitat ligjore.

Mickoski kritikoi edhe BDI-në opozitare, duke theksuar se partia kishte pasur më shumë se dy dekada në pushtet për të zgjidhur çështje të tilla, por sipas tij nuk kishte ndërmarrë hapa konkretë. Deklarata e tij nxiti reagime të shumta në rrjetet sociale, ku qytetarë dhe aktivistë të ndryshëm debatuan mbi mënyrën se si trajtohet çështja e gjuhës shqipe në vend.

Ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov, reagoi ndaj protestave dhe debatit publik për kërkesat që provimi i jurisprudencës të jepet në gjuhën shqipe, duke i cilësuar ato si përpjekje për presion politik dhe nxitje të konfrontimit etnik. Sipas tij, provimi i jurisprudencës nuk është çështje politike, por proces profesional i bazuar në ekspertizë dhe respekt për rendin juridik të shtetit. Fillkov theksoi se përpjekjet për ta paraqitur përdorimin e gjuhës maqedonase si diskriminim janë “manipulim i rrezikshëm i opinionit publik” dhe, sipas tij, goditje ndaj rendit kushtetues.

Ai shtoi se gjuha maqedonase është gjuha zyrtare në gjithë territorin e vendit dhe themel i sistemit institucional dhe ligjor, duke e bërë të papranueshme politizimin e kësaj çështjeje.

“Reagoj ashpër ndaj përpjekjes për ta shndërruar provimin e jurisprudencës në një fushë për presion politik dhe konfrontim etnik. Provimi i jurisprudencës nuk është çështje politike, por çështje ekspertize, profesionalizmi dhe respekti për rendin juridik të shtetit. Përpjekjet për ta paraqitur detyrimin ligjor për të njohur gjuhën maqedonase si diskriminim janë manipulim i rrezikshëm i publikut dhe një goditje e drejtpërdrejtë ndaj rendit kushtetues. Gjuha maqedonase është gjuha zyrtare në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe themeli i sistemit institucional dhe ligjor. Është e papranueshme që temat e ndjeshme që ndikojnë drejtpërdrejt në sistemin juridik të përdoren për të fituar pikë politike ose për të krijuar tensione ndëretnike”, thuhet në reagim.

Debati për gjuhën shqipe është rikthyer në opinion edhe për shkak të pritjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me dispozita të caktuara të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, çështje që prej muajsh ka nxitur reagime politike dhe qytetare. Studentët kanë paralajmëruar se nëse kërkesat e tyre vazhdojnë të injorohen, protestat nuk do të ndalen.

Një ditë para protestës së studentëve, dy bashkëkryetarët e VLEN-it, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, paralajmëruan zgjidhje në Facebook.

“Provimi i jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe! Së shpejti me lajme të mira”, shkruajtën Kasami dhe Mexhiti.

Përmes statuseve në facebook, ka reaguar edhe sekretari i përgjithshëm i VLEN-it, Bekim Sali. Ai ka shkruar se studentët do ta japin provimin në gjuhën shqipe.

Më vonë, në ditën e protestës në konferencën për shtyp, përfaqësuesit e VLEN-it, sërish thanë se çështja do të zgjidhet “shumë shpejtë”.

Kujtojmë që studentët që erdhën nga Shqipëria, për t’u solidarizuar në përkrahje të kolegëve të tyre nga Maqedonia e Veriut, u ndalën për disa orë në kufijë dhe më pastaj policia i kishte dërguar në drejtim të Kumanovës, e cila rezultoi me mos arritjen e tyre në kohë për në protestë.

Për incidentin me studentët nga Shqipëria, BDI akuzoi VLEN-in duke përmendur se video-inçizimet e publikuara dëshmojnë për një keqtrajtimi të studentëve shqiptarë nga Tirana nga ana e policisë dhe të njejtat janë dëshmi e një skandali institucional.

Kjo është hera e dytë që studentët protestuan.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments