Liria e medias në Ballkan, vazhdon të bjerë, me disa qeveri që po shtojnë presionin mbi mediat e pavarura ndërkohë që ushtrojnë kontroll mbi transmetuesit publikë. Raporti i ri i Reporterë pa Kufij, u publikua një ditë më parë, dhe vendet e Ballkanit perëndimor, renditën si mëposhtë:
Bosnje Hercegovina, është vendi i rajonit me median më të lirë, e renditur në vendin e 58 në një klasifikim prej 180 vendesh të botës. Pas saj, renditet Kosova, në vendin e 70, një pozicion më lart se në 2019, ndërsa Shqipëria renditet e 84-ta, me dy pozicione rënie krahasuar me një vit më parë. Pas Shqipërisë gjejmë Maqedoninë e Veriut, në vendin e 92 ndërsa Serbia është në vendin e 93 dhe Mali i Zi i 105-i.
Renditja tregon një panoramë shumë të ndryshme krahasuar me disa vite më parë. Në 2016, Serbia ishte vendi ballkanik që e gjente veten më lart në listë, ndërsa Maqedonia e Veriut e fundit. Por, në katër vite, Maqedonia e Veriut ka njohur një përmirësim të situatës, ndërkohë që Serbia ka bërë të kundërtën.
Sidoqoftë, të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor, ndodhen në zonën e lirisë problematike të medias, që është në mesin e spektrit nga maja deri në fund të klasifikimit. Sipas reporterë pa kufij, pas gjashtë vitesh nën drejtimin e presidentit Aleksandër Vuçiç, Serbia është bërë një vend ku shpesh është e rrezikshme të jesh një gazetar dhe ku lajmet e rreme po bëhen më të dukshme dhe po fitojnë popullaritet në ritme alarmuese
Ndërsa në mal të zi, gazetarët sulmohen e madje edhe vriten, siç është rasti i dushko Jovanoviçit në 2004. Atje, vetëcensura përbën një sfidë të madhe. Ndërsa për Shqipërinë, reporterë pa kufi ndalet tek paketa anti shpifje, që sipas saj cenon lirinë e medias.
Mediat në Kosovë ndërkohë mbeten të ndara në linja etnike, shpesh aksesi në informacion është i kufizuar ndërkohë që ka edhe raste të sulmeve fizike dhe verbale mbi gazetarët. Shumë media po ashtu nuk janë të konsoliduar financiarisht, çka i bën të ekspozuara ndaj ndikimit politik. Në Bosnje Hercegovinë, ndasitë etnike janë po ashtu të dukshme por ndërsa gazetarët investigativë kanë nxjerrë në ditë disa skandale të rënda, muajt e fundit, prokuroria ka bërë pak për ti trajtuar ato.
Ndërsa në Maqedoninë e Veriut, reporterë pa kufij veçojnë dy arritje: krijimin e një regjistri të medias online profesionale dhe nënshkrimin e kartës së gazetarëve për kushtet e punës. Por për fat të keq, ekziston tendenca për të kërcënuar dhe fyer gazetarët. Kultura e ndëshkimit është e dukshme dhe mbetet pengesë.