Mbeturinat në qytetin e Tetovës vazhdojnë të mbeten një nga sfidat kryesore për komunën…Mbeturinat në qytetin e Tetovës vazhdojnë të mbeten një nga sfidat kryesore për komunën, por edhe për kompaninë private, e cila menaxhon me grumbullimin e tyre. Gjatë ditëve me temperatura të larta, qytetarët ankohen se në disa lagje periferike kontejnerët mbeten të papastruar për ditë të tëra, ndërsa në pjesët qendrore të qytetit grumbullimi i mbeturinave bëhet më shpesh. Qytetarët kanë mendime të ndryshme për nivelin e pastërtisë, ndërsa disa prej tyre kërkojnë edhe më shumë ndërgjegjësim nga vetë banorët.
“Nuk jemi të kënaqur.”, – tha një qytetar.
“Nuk jemi të kënaqur me nivelin e organizimit.”, – tha një qytetar tjetër.
“Ne asnjëherë nuk mund të jemi të kënaqur, ajo dihet. Ne qytetarët qelqin e hedhim te kanoçet e kanoçet te lëvoret e patateve dhe duhet të ndërgjegjësohemi. Sigurisht duhet të pastrohen, sepse mund të përhapen infektime, por edhe zjarre. Tash temperaturat janë mbi 30 gradë dhe ata duhet të punojnë 24 orë në ditë.”, – u shpreh një qytetar.
“Shumë pastër është. Si janë njerëzit, shumë mirë është. Çmimet janë të ngritura në krejt Evropën, jo vetëm këtu.”, – u shpreh një qytetar tjetër.
“Ka qytete që nuk pastrohen me javë, këtu mirë është. Sipas mundësive është mirë të pastrojnë më shpesh, sepse tani është edhe fluksi më i madh i qytetarëve.”, – tha një qytetar.
Kasami: Po shtohet frekuenca e grumbullimit
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, pranon se gjatë sezonit veror sasia e mbeturinave pothuajse dyfishohet. Ai thotë se komuna është në komunikim të vazhdueshëm me kompaninë që menaxhon mbeturinat për të rritur frekuencën e grumbullimit, ndërsa u bën thirrje qytetarëve të jenë më të kujdesshëm në hedhjen e tyre.
“Sipas statistikave që i kemi gjatë kësaj periudhe dyfishohet sasia e mbeturinave që duhet të transferohet në stacionin, domethënë deponinë rajonale në Rusino. Ne lusim në të njëjtën kohë që qytetarët të jenë më të kujdesshëm gjatë bartjes së mbeturinave nga shtëpitë e tyre deri te kontejnerët. Po ashtu, ne jemi në komunikim të rregullt edhe me ndërmarrjen, sipërmarrjen që bën menaxhimin e mbeturinave, që ta shtojë frekuencën e grumbullimit të tyre. Kemi edhe aplikacionin përmes të cilit qytetarët, nëse ka ndonjë lokacion ku janë grumbulluar më shumë mbeturina, e denoncojnë dhe më pas realizohen aksione shtesë, përveç atyre që i ka me program ndërmarrja.”, – deklaroi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Me vendim të Këshillit Komunal, faturat për shërbimin e grumbullimit të mbeturinave janë rritur për 20 për qind. Ndërkohë, një numër i konsiderueshëm qytetarësh janë në procedura përmbarimore për shkak të mospagesës së borxheve ndaj kompanisë.
