Në vend të alarmit, mijëra qytetarë këtë mëngjes në Maqedoni i zgjoi thirrja telefonike me prefiks +881. Prefiksi nuk është identifikuar si numër thirrës nga asnjë shtet, ndërsa thirrjet telefonike janë nga numra të panjohur dhe të huaj. Nga Agjencia për komunikime elektronike thanë se janë në kontakt të vazhdueshëm me operatorët celular dhe apelojnë deri te qytetarët që të mos përgjigjen këtyre thirrjeve telefonike.
“Operatorët e telekomunikimeve do t’i bllokojnë numrat prej të cilëve këtë pasdite shfrytëzuesit vendorë kanë marrë shumë thirrje të paidentifikuara nga jashtë. Gjatë ditës së sotme këto thirrje do të ndërpriten”, tha Sashko Dimitriovski, drjtor i AKE.
Shumica e këtyre thirrjeve janë bërë në numrat e dy operatorëve më të mëdhenj mobilë në vend – Telekom dhe A1.
Apel për parandalim të aktiviteteve të këtilla përmes Facebook-ut publikoi ish deputetja Frosina Remenski duke theksuar se institucionet kompetente duhet të japin shpjegim.
“Për t’i shmangur dëmet dhe spekulimet e mundshme, ka institucione kompetente që duhet ta parandalojnë këtë. Nuk dua të besoj se pas këtij “masiviteti” fshihet një operacion inteligjence. Që të mos ketë spekulime, nevojitet një përgjigje”, deklaroi Remenski
Ky mashtrim ndërkombëtar në botën është njohur si “Vangiri”, ndërsa prejardhjen e ka nga Japonia. Nëse u përgjigjeni thirrjeve telefonike, ata ju lidhin me numra të ashtuquajtur “Premium” dhe ju mbajnë sa më gjatë që është e mundur me çka rritet përfitimi i tyre dhe po ashtu edhe shuma e llogarisë suaj.
“Mashtrime të këtilla gjatë disa viteve të fundit janë regjistruar në më shumë vende të botës. Mashtruesit i gjejnë numrat telefonik të njerëzve në mënyrë joligjore, respektivisht me “rrjedhje” të të dhënave. Në javët e kaluara thirrje të këtilla janë regjistruar nga numra telefonik me prefiks nga Estonia, Lituania dhe Nigeria”, Jovica Paunovski- Gazetar Tv21.
Gjatë periudhës së kaluar nën sulme të hakerëve ishin edhe tre media tjera të cilëve u shkaktuan dëme në sistemet e tyre.