Maqedoni e Veriut: Nuk kalon interpelanca kundër ministrit të rendit

73

Vetëm 11 deputetë të opozitës shqiptare në Palamentin e Maqedonisë së Veriut votuan për interpelancën ndaj Ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ndërsa 60 ligjvënës të shumicës parlamentare ishin kundër. Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kishin ngritur mocionin e votëbesimit kundër ministrit të rendit për shkak të lëshimeve, sipas opozitës shqiptare, të ministrit lidhur me arratisjen e ish-shefit të shërbimit sekret, Sasho Mijallkov, të ish-Kryeministrit, Nikolla Gruesvki dhe për pajisjen me dokumente udhëtimi të një numri kriminelësh dhe dilerësh të huaj të drogës.

Deputeti Halil Snopçe i Aleancë spër Shqiptarët tha se në Ministrinë e Punëve të Brendshme janë bërë një sërë skandalesh për çka e fajësoi zotin Spasovski. Snopçe foli për mosbesimin e qytetarëve tek policia duke theksuar një anketë publike të bërë, sipas tij, nga organizata ndërkombëtare.

Por, ministri Spasovski nënvizoi “sukseset e policisë në zbulimin e krimit e parandalimin e trafikimit të drogës për dhjetra herë më shumë se sa në kohën kur ministrinë e drejtonte një kaudër i VMRO-së”, tani në opozitë.

Ministri Spasovski u bëri thirrje deputetëve të shumicës që të votojnë në bazë të bindjeve të tyre në qoftë se kanë vërejtje mbi punën e tij.

“Nëse mendoni se diçka nuk është në rregull, atëherë mbështeteni mocionin”, u tha para votimit, ministri i rendit ligjvënësve të shumicës.

Ligjvënësit e Lidhjes Social Demokrate në pushtet, përfaqësues i së cilës është ministri Spasovski, thanë se mocioni ishte i panevojshëm dhe se në vend të kësaj tani duhej disktutuar për problemet e qytetarëve.

Ndërkohë, deputetët e partisë opozitare maqedonase u larguan nga salla të revoltuar për shkak se Kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi nuk lejoi që ata ta merrnin fjalën. Z. Xhaferi tha se respektonte rregulloren e punës së parlamentit dhe se përfaqësuesit e opozitës që nuk kishin marrë pjesë në takimin për bashkërenditjen midis drejtuesve të grupeve parlamentare, madje edhe nuk kishin paraqitur me kohë listën e atyre që do të diskutonin. Kështu, ligjvënësit e VMRO-së paralajmëruan se do të ngrejnë nismë për mocion votëbesimi ndaj kreut të parlamentit.

Ndërkaq, ish-shefi i shërbimit sekret Mijallkovski ndodhet në burg, i dënuar me 12 vjet heqje lirie për veprën penale “përgjim i paligjshëm i qytetarëve dhe zyrtarëve shtetërorë”, teksa vepra të tjera rëndojnë po ashtu mbi të. Nikolla Gruevski ndodhet në arrati, në Hungari ku është strehuar dhe autoritetet e atjeshme kanë refuzuar ekstradimin e tij. Lidhur me furnizimin me pasaporta të rreth 200 shtetasve të huaj, ndër ta kriminelë të huaj, organet e rendit dhe të drejtësisë kanë akuzuar 12 punojnës të policisë.voa