Përfaqësues të Organizatës komunale të Kryqit të Kuq nga Tetova, këtë javë kanë dërguar 22 pako me ushqim dhe ilaqe higjienike te po aq familje në fshatrat e Malit Sharr dhe Suva Gorë.
Dërgesa është kryer për shkak të rekomandimeve që popullata të mbetet në shtëpi dhe të zvogëlohet lëvizja nëpër vendbanime tjera.
“Janë dërguar 22 pako, me të cilat janë përfshirë 92 persona. Janë dërguar në fshatrat Bozovc dhe Veshalë në Malin Sharr në komunën e Tetovës, si dhe në Kopaçin Doll në komunën e Zhelinës në Suva Gorë”, tha Shkëlqim Murati, sekretar në organizatën komunale.
Edhe më tej për këtë shërbim qytetarët mund të paraqiten prej të hënës deri të enjten në Kryqin e Kuq të Tetovës në numrin 044-336-374 prej orës 9:30 deri ora 13:00. Produktet transportohen të premten.