10.4 C
Tetovo
E premte, 26 Prill, 2024
BallinaLajmeKrenar Lloga fton partitë politike që me konsensus të miratohet Kodi zgjedhor

Krenar Lloga fton partitë politike që me konsensus të miratohet Kodi zgjedhor

 Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga u bëri thirrje të gjitha partive politike që me konsensus ta miratojnë Kodin e ri zgjedhor. Në paraqitjen e tij në konferencën “Reformat zgjedhore në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, të cilën e organizoi Instituti Nacional Demokratik (NDI), ministri Lloga tha se nisma e tij është që partitë politike të ulen në një tavolinë me qëllim që të hartohet një model sipas të cilit do të veprohet në drejtim të përgatitjes së një Kodi të ri zgjedhor dhe të arrihet konsensus për çështje të përcaktuara të cilat kanë konotacion politik, sepse ky është edhe rekomandim i dhënë nga Komisioni i Venecias. 

“A na duhet kjo reformë?- përgjigja është ‘po’. Kodi zgjedhor duhet të hyjë në fuqi të paktën gjashtë muaj para zgjedhjeve që institucionet të mund të përgatiten pa vështirësi t’i zbatojnë ndryshimet. Në raportin e fundit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, Misioni i posaçëm i vlerësimit të zgjedhjeve të ODIHR bëri të qartë se ka ende një sërë çështjesh në kornizën ligjore lidhur me zgjedhjet që duhet të zgjidhen. Kodi zgjedhor duhet të rishikohet në mënyrë gjithëpërfshirëse që të mund të harmonizohet brenda kornizës dhe me ligjet e tjera përkatëse konform me objektivat e OSBE-së, detyrimet ndërkombëtare dhe praktikat e mira“, tha Lloga.

Ministri i Drejtësisë informoi se dikasteri që drejton ai është në proces të formimit të një grupi të punës për të gjetur zgjidhjen më të mirë të mundshme.

“Qëllimi im i qartë është që Kodi zgjedhor të jetë i përgatitur para zgjedhjeve të ardhshme, ndërsa nëpërmjet një procesi gjithëpërfshirës të garantohet siguria juridike me atë që do të dëgjohen mendimet nga të gjitha partitë politike. Prandaj i ftoj të gjitha partitë politike që me konsensus ta miratojmë Kodin zgjedhor dhe t’i përcaktojmë rregullat zgjedhore. Apeloj deri te VMRO-DPMNE, si parti më e madhe opozitare të kontribuojë dhe të nominojë anëtar të saj në grupin punues. Jam i pajtimit që kryetari i grupit punues të jetë propozim i tyre”, nënvizoi Lloga. 

Në konferencë, ai falënderoi NDI-në dhe të gjitha organizatat civile që morën pjesë aktive në proceset reformuese për vendin dhe që kontribuojnë në rrugën e vendit drejt Bashkimit Evropian.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments