17.3 C
Tetovo
E shtunë, 18 Maj, 2024
BallinaLajme“Kosova, toka e askujt”, Edi Rama: Lapsus i Financial Times që u...

“Kosova, toka e askujt”, Edi Rama: Lapsus i Financial Times që u keqpërdor nga sazexhinjtë “non grata

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në Kuvend është ndalur edhe tek lapsusi që prestigjiozja ‘Financial Times’ i bëri komenteve të tij për situatën në veri të Kosovës.

Kreu i qeverisë tha se gazetari që e mori në intervistë kërkoi falje publike pasi kishte harruar që të vendoste fjalën veri për Kosovën kur Rama ishte shprehur se ajo ishte “tokë e askujt”.

Sipas Ramës, kjo u keqshfrytëzua nga “sazexhinjtë dogmatikë e patetikë të planetit “non grata””.

Unë nuk kam shpresë se këto do ma lehtësojnë hë për hë akuzën si tradhtar, përderisa dhe një lapsus i prestigjiozes Financial Times, e cila në zbardhjen e intervistës sime të dhënë në telefon kishte harruar, sikur ia kishte shtyrë dorën djalli, fjalën veri përpara fjalës Kosovë, gjë që u korrigjua menjëherë, bashkë me ndjesën publike të gazetarit britanik, siç i takon një gazetari që e meriton këtë titull, që është një titull fisnikërie në ditët tona, unë e karakterizoja veriun e Kosovës, jo Kosovën sigurisht, me shprehjen angleze, “no man’s land”. Pse nuk qenka “no man’s land”, kur aty lulëzojnë aktivitete të paligjshme kriminale? Kur aty nuk ka asnjë kontroll dhe s’ka asnjë mundësi të parashikosh çfarë vjen nesër? Çfarë është kjo? Çfarë ishte Lazarati? “No man’s land”. Është shumë e thjeshtë. U nxorra nga konteksti me një frymë. U keqshfrytëzua me epsh të posaçëm nga gjithë sazexhinjtë dogmatikë dhe nga kalemxhinjtë e Prishtinës zyrtare dhe të Tiranës përfshirë dhe sazexhinjtë patetikë të planetit ‘non grata’ që e futën me vrap si provë në dosjen e aktakuzës mbi shërbimin tim ndaj Beogradit. Dihet shumë mirë, atyre që propagandojnë dhe pasqyrojnë aktakuzën ndaj meje si agjent i Beogradit nuk iu intereson fare as përgjigja ime, as e vërteta, as debati i shëndetshëm demokratik, por iu intereson vetëm ushqimi i sherrit, mbajtja ndezur e konfliktit, shfrytëzimi dhe jo prerja e thonjve e krizës në veri të Kosovës. Ato thonj ju interesojnë dhe kjo është tragjedia e Kosovës sot. Sepse kështu numërojnë me mend sa vota shtojnë, sa kundërshtarë politikë dobësojnë, sa armiq të jashtëm dhe të brendshëm pjekin në hellin e demagogjisë nacional folklorike për ta nginjur miletin me lugë bosh”, u shpreh Rama.

Kujtojmë se pas publikimit të një interviste të kryeministrit Edi Rama për Financial Times vetë gazetari që e shkroi, njoftoi lexuesit për një lapsus në citimin që redaksia i kishte bërë një fjalie të Ramës.

Fillimisht citohej se sipas Ramës, “Kosova është një pikë e nxehtë dhe me kalimin e viteve është bërë një tokë e askujt ku kombinohen të gjitha llojet e krimeve”. Gazetari sqaroi më pas se Kryeministri i referohet veriut të Kosovës dhe jo shtetit të Kosovës.

“E kemi ndryshuar këtë artikull për të sqaruar se kryeministri shqiptar po diskutonte problemet në veri të Kosovës, jo në të gjithë vendin”, sqaronte gazetari i Financial Times, Marton Dunai në rrjetin social X./tvklan.al

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments