Kosova merr vendimin, nga e hëna hapen të gjitha shkollat e arsimit parauniversitar

43

Kosova merr vendimin, nga e hëna hapen të gjitha shkollat në vend.

Nëpërmjet një postimi në rrjete sociale, ministrja e Arsimit në Kosove, Arbërie Nagavaci, ka njoftuar se nga e hëna në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar mësimi do të zhvillohet në shkolla, pa kufizime sa i përket pjesëmarrjes fizike të nxënësve.

Postimi i plotë:

Nga e hëna, me 19 prill, në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar mësimi do të vazhdojë pa kufizime për pjesëmarrje fizike të nxënësve në shkolla.
Në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, IKSHPK-në e Ministrinë e Shëndetësisë kemi marrë vendim që nxënësit të rikthehen në objekte shkollore.
Komunat dhe shkollat do të vendosin të punojnë sipas njërit nga skenarët A, B ose C, varësisht prej situatës me pandeminë.
Komunat kanë njoftuar se janë të gatshme të vazhdojnë procesin mësimor sipas këtij vendimi, ndërsa gjatë fundjavës do të vazhdohet me dezinfektimin e objekteve shkollore dhe do të jenë gati për vazhdimin e mësimit me pjesëmarrje fizike të nxënësve.
Ftoj nxënësit, mësimdhënësit, prindërit dhe të gjithë akterët e përfshirë në procesin mësimor, që të respektojnë me përpikëri masat kundër pandemisë.
Shëndet e suksese!