8.2 C
Tetovo
E martë, 27 Shkurt, 2024
BallinaLajmeKosova merr garanci nga SHBA-ja se s’do të ketë asociacion që cenon...

Kosova merr garanci nga SHBA-ja se s’do të ketë asociacion që cenon sovranitetin

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka takuar emisarin e Departamentit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, prej të cilit ka marrë garanci se nuk mund të formohet kurrfarë asociacioni apo ndonjë mekanizëm tjetër që cenon sovranitetin dhe rendin kushtetues të vendit. Por opozita ka kritikuar Qeverinë se Marrëveshja e Ohrit po reduktohet në themelimin urgjent të Asociacionit.Garancitë e shprehura ndër vite nga ana e zyrtarëve amerikanë për pushtetarët kosovarë sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i janë dhënë edhe kryetarit aktual të Kuvendit, Glauk Konjufca.

Gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara, kryeparlamentari të martën ka takuar emisarin e Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Në takimin, të cilin e ka quajtur përmbajtjesor, Konjufca tha se kanë diskutuar për zhvillimet aktuale politike, procesin e dialogut e Marrëveshjen e Ohrit, si dhe hapat e mëtejmë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

“Ritheksuam qëndrimin e shtetit të Kosovës, por edhe garantimin e Departamentit të Shtetit, se nuk mund të formohet kurrfarë asociacioni apo ndonjë mekanizëm tjetër që cenon sovranitetin, pavarësinë, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Konjufca në Facebook.

Ai ka shtuar se me diplomatin amerikan ndanë pikëpamje të njëjta që të vazhdojnë të punojnë së bashku për agjendën e përbashkët të anëtarësimit të Kosovës në strukturat euroatlantike dhe organizata ndërkombëtare, e po ashtu edhe për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Por përfaqësues të opozitës thonë se marrëveshja po reduktohet në themelimin urgjent të Asociacionit. Deputeti i Lidhjes Demokratike, Avdullah Hoti, ka shkruar se Kosova tashmë është betonuar në “status quo”.

“Ai që e kishte kundërshtuar me dhunë këtë Asociacion, e që kishte marrë mbështetje qytetare për këtë kundërshtim, tani do ta zbatojë në praktikë. Pesë vendet mosnjohëse të BE-së nuk kanë ndryshuar qëndrim edhe pas arritjes së Marrëveshjes së Ohrit. Në javën e ardhshme fillon dialogu në Bruksel për zbatim të marrëveshjes. Dialog për njohje reciproke nuk ka askund dhe nuk pritet të ketë”, ka shkruar Hoti.

Me marrëveshjen e propozuar nga Bashkimi Evropian, Kosova mori përsipër obligimin që siguron një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë. Edhe pse nuk përmendet specifikisht Asociacioni, kryeministri e ka pranuar se marrëveshja e përfshin edhe atë, duke iu referuar nenit 10 që flet për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve nga dialogu i kaluar.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments