Komisioni Evropian ka deklaruar se çdo glorifikim i kriminelëve të luftës është në kundërshtim me vlerat themelore evropiane dhe nuk ka vend në Bashkimin Evropian apo në vendet kandidate për anëtarësim.Reagimi i Brukselit vjen pas vdekjes së ish-komandantit të forcave serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiq, i cili vdiq të enjten në Hagë. Mlladiq pritet të varroset në Serbi.
“Glorifikimi i kriminelëve të luftës është në kundërshtim me vlerat më themelore evropiane dhe nuk ka vend në BE apo në vendet kandidate për në BE”, deklaroi Komisioni Evropian.
Nga Brukseli theksuan gjithashtu se përgjegjësia për çdo rol të mundshëm të institucioneve serbe në organizimin e varrimit i takon autoriteteve të Serbisë.
“Nëse Ratko Mlladiq varroset në Serbi, u takon autoriteteve serbe të konfirmojnë çdo rol që mund të kenë në organizimin ose varrimin e Ratko Mlladiqit”, thuhet në reagimin e Komisionit Evropian.
Ministri serb i Drejtësisë, Nenad Vujiç, kishte njoftuar se Mlladiq do të varroset me nderime të plota shtetërore.
Ratko Mlladiq ishte dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Hagës për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë. Ai u shpall fajtor, ndër të tjera, për gjenocidin në Srebrenicë, persekutimin dhe dëbimin e boshnjakëve dhe kroatëve, terrorizimin e civilëve gjatë rrethimit të Sarajevës dhe pengmarrjen e pjesëtarëve të OKB-së në vitin 1995.
