BallinaLajmeKodi Penal në Bruksel, transparenca ku mbeti? A po konsultohet Evropa para...

Kodi Penal në Bruksel, transparenca ku mbeti? A po konsultohet Evropa para se të konsultohen qytetarët?

www.telegrami.mk

Ministria e Drejtësisë paska vendosur që Projekt-Kodin e ri Penal dhe Projektligjin për Procedurën Penale t’ia dërgojë Komisionit Evropian për mendim. Në parim, konsultimi me institucionet evropiane është legjitim dhe madje i nevojshëm, sidomos kur bëhet fjalë për harmonizimin e legjislacionit me standardet e Bashkimit Evropian.

Por këtu lind një pyetje që Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, duhet t’ua sqarojë qytetarëve: a është konsultuar fillimisht opinioni juridik vendor, a janë bërë publike draftet dhe a është informuar Kuvendi për përmbajtjen e tyre?

Sepse një Kod Penal nuk është dokument teknik që mund të trajtohet vetëm si çështje komunikimi ndërmjet një ministrie dhe Brukselit. Ai përcakton se cilat veprime janë vepra penale, si dënohen funksionarët, si trajtohet korrupsioni dhe deri ku shtrihet mbrojtja juridike e qytetarit.

Komisioni Evropian ka të drejtë të vlerësojë harmonizimin me legjislacionin evropian. Por Brukseli nuk mund ta zëvendësojë Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, ekspertizën vendore dhe debatin publik.

Edhe Komisioni i Venecias mund të përfshihet në vlerësimin e aspekteve që lidhen me sundimin e ligjit, garancitë juridike dhe të drejtat themelore. Këto institucione nuk janë alternativa kundër njëra-tjetrës, por kanë mandate të ndryshme.

Prandaj, çështja nuk është pse projektet shkojnë në Bruksel. Çështja është pse qytetarët dhe përfaqësuesit e tyre duhet të presin që fillimisht të dëgjohet mendimi nga jashtë, ndërkohë që ende nuk kanë pasur mundësi të njihen siç duhet me përmbajtjen e draftit.

A po ndërtojmë legjislacion vendor me standarde evropiane, apo po krijojmë një praktikë ku fillimisht kërkojmë vulën e Brukselit dhe vetëm pastaj hapim debatin në shtëpi?

Evropa mund të japë mendim, ekspertizë dhe rekomandime. Por përgjegjësia për ligjin, përmbajtjen e tij dhe pasojat që do t’i bartin qytetarët mbetet këtu, në institucionet e vendit.

Ministria duhet të publikojë draftet, të sqarojë procedurën e konsultimit dhe të tregojë se kur do të përfshihet Kuvendi. Kjo do të ishte dëshmi e transparencës, jo thjesht një komunikatë për harmonizim evropian…www.telegrami.mk

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments