Klubet që kundërshtojnë vazhdimin e Serie A

194

Gjashtë klube, duke përfshirë Torinon, Sampdorian dhe Bolognan, kanë deklaruar kundërshtimin e tyre që edicioni në Serie A të vazhdojë.

SPAL-i, Brescia dhe Udinese janë klubet tjera që kundërshtojnë idenë që kampanja 2019\2020 të zhvillohet deri në fund, ka raportuar “Adnkronos”.

Sipas raportimeve klubet nuk kanë dëshirë të luajnë për shkak të rrezikut të pallogaritshëm nga Covid – 19.

Edhe Fiorentina e Parma janë përmendur në mesin e klubeve që kundërshtojnë vazhdimin e kampionatit, por nga këto klub kanë mohuar këtë.

“Këshilli i Serie A, që është takuar sot, në mënyrë unanime konfirmon synimin për të kompletuar edicionin 2019\2020, nëse qeveria lejon këtë. Këtë synojmë ta bëjmë duke iu përmbajtur të gjitha rregullave të shëndetit dhe sigurisë”, thuhet në një komunikatë të Serie A të publikuar pas këtyre raportimeve.

“Rifillimi i aktiviteteve sportive do të bëhet në përputhje me rregullat e paraqitura nga FIFA dhe UEFA, me vendimet e Federatës së Italisë dhe me protokollet mjekësore për ruajtjen e futbollistëve dhe të përfshirëve të tjerë”.

Serie A do të mbajë një takim të enjten ku do të diskutohet për këtë çështje.

Ndërkohë ministri i Sportit në Itali, Vincenzo Spadafora ka thënë se ende nuk është në gjendje të thotë që skuadrat e Serie A mund të kthehen në stërvitje më 4 maj.

“Në këtë moment unë nuk mund të konfirmoj kthimin në stërvitje më 4 maj. Sporti nuk është vetëm futbolli apo Serie A. Serie A është industri ekonomike, por ne po ashtu fokusohemi në anën e futbollit. Të mërkurën do të takohem me federatën që do të prezantojë protokollin e stërvitjeve. Do ta shqyrtojmë së bashku. Duhet të kuptojmë nëse futbolli është i gatshëm për të rifilluar stërvitjet. Por duhet ta kemi të qartë se rifillimi i stërvitjeve nuk nënkupton rifillim të kampionatit”, ka thënë Spadafora.