KE: Të lejohet hyrja e kompanive private në transportin hekurudhor dhe të përshpejtohet ndërtimi i Korridorit 8

43

Në fushën e transportit dhe rrjeteve trans-evropiane të transportit, vendi është mesatarisht i përgatitur, me ç’rast progres i kufizuar është bërë vitin e kaluar, vlerëson Komisioni Evropian në Raportin e fundit për progresin e reformave të Maqedonisë së Veriut për vitin 2021, transmeton Portalb.mk.

Kritikat nga raporti i vitit të kaluar përvijohen edhe këtë vit në lidhje me tema specifike të transportit. Kështu, Komisioni Evropian kërkon të zbatohen reformat në sektorin hekurudhor, ashtu që të hapet tregu për hyrje të kompanive të reja që mund të operojnë në hekurudhat tona. Liberalizimi në fushën e transportit hekurudhor është një kërkesë e BE-së nga vitet e kaluara, ndërsa aktualisht monopolin e ka kompania shtetërore Hekurudhat e RMV-Transporti.

Është bërë përparim i kufizuar në hartimin e planit aksionar, që do të plotësojë Strategjinë Kombëtare të Transportit 2018-2030, kurse nuk është krijuar asnjë organ i pavarur për hetimin e aksidenteve hekurudhore.

Në fushën e Sistemeve Inteligjente të Transportit, edhe në Raportin e fundit kërkohet miratimi i legjislacionit të BE-së dhe përpjekje për të miratuar kornizë strategjike për zbatimin e Sistemeve Inteligjente të Transportit (SIT). Deri më tani është zbatuar vetëm segmenti i autostradës Demir Kapi-Smokvicë, ndërsa sistem i tillë duhet të vendoset përgjatë gjithë autostradës të Korridorit 10.

Sa i përket pikave të përbashkëta kufitare hekurudhore, Komisioni Evropian vëren se marrëveshja me Greqinë mbetet e panënshkruar, ndërsa ajo që u nënshkrua me Kosovën nuk ka rezultuar me hapjen e një kalimi të tillë në Blace-Elez Han.

Kritikat më të drejtpërdrejta në Raportin për progresin e reformës për vitin 2021 jepen për ndërtimin e hekurudhës drejt Bullgarisë. Kërkohet që urgjentisht të përmirësohet realizimi i punimeve në Korridorin 8 hekurudhor.

“Duhen përpjekje shtesë dhe urgjente për të përshpejtuar progresin në të gjitha fazat e korridorit hekurudhor dhe në seksionet e tjera prioritare të rrjetit, si në fushën e hekurudhave ashtu edhe në atë të rrugëve”, thuhet në raportin e KE-së.

Komisioni Evropian gjithashtu thekson se nuk është bërë përparim në miratimin e planit pesëvjeçar për mirëmbajtjen e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore.

Meta.mk javën e kaluar kërkoi qëndrim nga Qeveria e RMV-së për kritikat e tilla në fushën e transportit dhe korridoreve trans-evropiane, por deri më sot nuk ka arritur asnjë përgjigje për pyetjet e parashtruara.almakos.com