Selim ef. Shehapi, intelektual i shquar nga Tetova, zgjidhet deputet në Parlamentin e Shqipërisë. -Kuadro shqiptare zgjidhen në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tetovë, në Sektorin e financave, në Bankë etj. -Në koordinim me Ministrinë e Arsimit, hapen shkollat e para shqipe në Tetovë, si dhe dërgohen dhjetëra mësues dhe shumë libra.
Pranvera e vitit 1941 do të shënojë një kthesë historike, në të cilën shqiptarët në Tetovë dhe në disa qytete të tjera, për herë të parë morën të drejtën e qeverisjes. Në fillim vijnë kuadro të sektorëve të ndryshëm nga Shqipëria, për të ndihmuar në formimin e institucioneve të Bashkisë. Me këto ndryshime në qeverisje, njëri ndër intelektualët e shquar tetovarë, Selim ef. Shehapi do të zgjidhet deputet në Parlamentin e Shqipërisë. Sipas dëshmitarit të asaj kohe, Shefqet Sulejmani, mësues nga Tetova, për kompletimin e kuadrove të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe asaj të Paqes, ka ndihmuar kryetari i gjykatës, Feti Selenica, kurse me propozimin e Idriz Cërcërit, në këtë gjykatë do të angazhohen me punë shumë kuadro të reja shqiptare, kryesisht veprimtarë të organizatës “Besa”.
Në prokurori angazhohet Gani Luma, në hetuesi Shefqet Sulejmani, gjykatës në Gjykatën e shkallës së parë caktohen Idriz Cërcëri, Xheladin Palloshi, Mesud Musai dhe Nazif Biti. Në Gjykatën e Paqes emërohen Selim Efendiu, Sejfulla Sejfullai dhe Sadik Efendiu. Në sektorin e financave punësohen Ekrem Jegeni, drejtor, Naxhi Sulejmani, Hysein Xhaferi dhe Jusuf Bexheti. Në bankë punësohen Kadër Sulejmani, Abdyrrahman Tresi dhe Aleksandar Çerenko. Harun Dehari emërohet kryetar i komunës së Galeshnikut, rrethi i Gostivarit, ndërsa drejtor i kadastrës mbetet Çedomir Pançiqi. Arkëtar i Bashkisë caktohet Çiko Spiro, ndërsa shef për blerjen dhe shitjen e kafshëve Qemal Enisi. Bashkia e Tetovës kësisoj kompletohet me kuadro, ku për herë të parë shqiptarët e marrin në duart e veta pushtetin, përderisa në regjimin e mëparshëm në këto poste nuk ka pasur asnjë shqiptar.
Sipas Shefqet Sulejmanit, Selim Shehapi-Luma, si deputet i zgjedhur nga këto anë në Parlamentin e Shqipërisë, kishte udhëtuar për në Tiranë, me detyrë që të takohet me Mehdi bej Frashërin, që nëpërmjet tij të vërë kontakt edhe me ministrin e Arsimit, Ernest Koliqi. Gjatë takimit, ai kishte kërkuar që sa më shpejtë të merren masa për dërgimin e arsimtarëve më të mirë shqiptarë në Tetovë dhe në vendet e tjera të çliruara, që të hapen sa më shpejtë shkollat, si në qytete, ashtu edhe nëpër fshatra. Kjo kërkesë kishte hasur në mbështetje të plotë te autoritetet shqiptare, kështu që ministri Koliqi menjëherë kishte dhënë urdhër të prerë për zbatim në praktikë.
Shumë shpejtë, në Tetovë, Gostivar, Dibër dhe Strugë dërgohen pedagogët më të spikatur të Shqipërisë, dhe kështu ishin hapur edhe shkollat e para shqipe në historinë e shqiptarëve të këtyre anëve. Shkolla e parë shqipe në Tetovë është emëruar “Skënderbeu”, që ka qenë e vendosur në objektin i cili më vonë do të funksionojë si Universiteti i Punëtorëve, ndërsa tash aty janë vendosur shërbimet e Byrosë për Zhvillimin e Arsimit. Mësuesi i parë në Tetovë, sipas Shefqet Sulejmanit, ka qenë Spiro Popa, kurse pas tij vijnë edhe një numër i madh i mësuesve të tjerë, të cilët përhapin arsimimin në këto treva.
Selim Shehapi, kishte shkuar edhe disa herë në Shqipëri, me detyrë që t’i koordinojë punët me Ministrinë e Arsimit për dërgimin e librave në Tetovë. Atëherë arrijnë nga Shqipëria abetaret e para në gjuhën shqipe, “Lyra shqiptare”, një libër me këngë popullore, revista të ndryshme etj., të cilat së pari grumbulloheshin në një objekt përcjellës të shtëpisë së Hysein Xhaferit në Tetovë, kurse një sasi e tyre edhe në shtëpinë e Idriz Cërcërit.
“Menjëherë hapen shkollat e para fillore në gjuhën shqipe në qytet dhe në fshatra, ku puna merr një vrull të madh. Hapen edhe kurse për të rritur, ku dallohej mësuesi i ardhur nga Elbasani, Qemal Haxhihasani, i cili do të angazhohet me punën e tij të palodhshme, në bashkëpunim me shumë arsimtarë të tjerë”, ka shënuar mësuesi Shefqet Sulejmani, për ato ditë të rilindjes kombëtare në këto anë.
Sipas tij, me iniciativën e organizatës “Besa” hapet edhe Shtëpia e Rinisë, të cilën e drejton Hysein Xhaferi, duke treguar një aktivitet të ngjeshur. Blihen rekuizita muzikore e karrige, bëhet rregullimi i skenës, aktivizohet orkestra e mandolinave, hapet biblioteka e parë shqipe me emrin “Skënderbeu”, ku nëpunës i saj emërohet Setki Kiçiku, sigurohen afër 10 mijë ekzemplarë libra nga Tirana, ndërsa mësues i edukatës fizike caktohet Xhelë Karaxhenemi etj.
Organizata kombëtare “Besa” angazhon dirigjentin Gani Jahja nga Elbasani, i cili ka qenë shumë i aftë për orkestrën e mandolinave dhe të gjithë instrumenteve frymore, meqë një kohë kishte qenë i angazhuar në orkestrën e mbretit Viktorio Emanuel III në Romë. Nga fundi i vitit 1943, organizata “Besa” kishte vendosur që të formonte një orkestër me instrumente frymore, që do të drejtohej nga Gani Jahja. Ai angazhohet që të shkojë në Tiranë, për të blerë 20 lloj instrumentesh frymore, të cilat ishin të nevojshme për orkestrën. “Me ardhjen e dirigjentit Gani Jahja, orkestra dukshëm konsolidohet dhe tërheq shumë anëtarë nga radhët e rinisë”, ka theksuar mësuesi Sulejmani. (Shkëputur nga libri “Distinktivi tetovar” i autorit Ismail Arsllani, botuar më 2008).
/Në foto, majtas: Gjykata e Shkallë së Parë në Tetovë, me kuadro shqiptare/