Ish gjenerali Klark tash biznesmen është takuar në Shkup me Zaevin dhe Ali Ahmetin

40

Ish komandanti i NATO-s, gjenerali amerikan Vesli Klark, në Shkup ka takuar kryeministri Zoran Zaev, por edhe kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, njofton Portalb.mk.

Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut nëpërmjet kumtesës informojnë se në takim u diskutua për realitetin e ri për Maqedoninë e Veriut dhe rajonin pasi vendi dhe disa vende të tjera të Ballkanit Perëndimor janë anëtare të NATO-s.

“Kryeministri Zaev theksoi anëtarësimin në NATO si realizim i qëllimit strategjik të vendit që përcakton pozitën gjeostrategjike të Maqedonisë së Veriut në rajon dhe në planin ndërkombëtar, si dhe përfitimet nga sigurimi i sigurisë që krijuan kushte dhe nxitën një numër të madh të investimeve të huaja dhe progresin ekonomik. Ish gjenerali i SHBA-ve dhe ish komandant i forcave të përbashkëta të NATO-s për Evropë, Vesli Klark, theksoi se deri më tani, pasi përfundoi karriera e tij ushtarake, ai është plotësisht i përkushtuar si biznesmen për të mbështetur zhvillimin e vendeve në rajon dhe vendeve të Evropës Juglindore për sa i përket lidhjes së tyre ekonomike me investitorët nga SHBA dhe Evropa, dhe veçanërisht në mbështetjen e qeverive në luftën kundër korrupsionit dhe ekonomisë hije.

Si ekspert me përvojë për rajon dhe politikat për tërheqjen dhe mbështetjen e investitorëve të huaj në Maqedoninë e Veriut, ish gjenerali Klark tha në takim se në periudhën e ardhshme ai do të stimulojë interesin e kompanive amerikane për të investuar në vendin tonë”, thuhet në kumtesën e Qeverisë.

Edhe BDI, ka dërguar kumtesë në lidhje me takimin e gjeneralit Klark me kryetarin e tyre, Ahmeti. Sipas BDI-së, Klark i ka thënë Ahmetit se ka pasur rol legjendar në ndërtimin e këtij shtetit dhe se Ahmeti është një legjendë e gjallë.

“Keni pasur rol legjendar në ndërtimin e këtij shteti, ju z. Ahmeti jeni një legjendë e vërtetë. Keni ndërtuar një parti e cila po shndërrohet në kurriz të stabilitetit të vendit. Transformim fascinant për këtë vend që mund të përfundonte në jostabilitet, u bë një shtet i fuqishëm i stabilitetit”, është shprehur kështu Klark, kumton BDI.

Ahmeti dhe gjenerali Klark, sipas kumtesës, kanë biseduar edhe për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO, ndihmën që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë dhënë në këtë drejtim, rolin konstruktiv të vendit, ndërtimin e shoqërisë së barabartë si dhe sfidat që vendi i ka në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian.