18.9 C
Tetovo
E premte, 29 Mars, 2024
BallinaEkonomiHAPEN MILIONA VENDE PUNE NË SHBA

HAPEN MILIONA VENDE PUNE NË SHBA

Një numër rekord prej 4.5 milionë punëtorësh amerikanë lanë punën në nëntor, një shenjë besimi dhe dëshmie tjetër se tregu i punës në Shtetet e Bashkuara po rikthehet fuqishëm nga recesioni i shkaktuar nga koronavirusi.

Departamenti i Punës gjithashtu njoftoi të martën se punëdhënësit publikuan 10.6 milionë vende pune në nëntor, nga 11.1 milionë të postuara në muajin tetor, por që vazhdon të jetë një shifër e lartë krahasuar me standardet historike.

Punëdhënësit punësuan 6.7 milionë njerëz në nëntor krahasuar me 6.5 milionë të punësuar në tetor, thuhet në një raport të Departamentit amerikan të Punës, të publikar të martën mbi të dhënat mujore të tregut të punës.

Nick Bunker, drejtor i departamentit të hulumtimeve në kompaninë “Indeed”, e cila poston vende të hapura pune, vuri në dukje se largimet nga puna ishin të larta në industrinë e hoteleve dhe restoranteve me paga të ulëta. “Numri i lartë i largimeve do të thotë se punëtorët kanë fuqi më të madhe negociuese, e cila ka të ngjarë të nxisë rritjen e pagave”,tha ai. “Rritja e pagave ishte shumë e fortë në vitin 2021, dhe kjo mund të ndodh edhe në vitin 2022”, shtoi ai.

Megjithatë, Departamenti i Punës mblodhi të dhënat përpara përhapjes së gjërë të variantit Omicron të koronavirusit në Shtetet e Bashkuara. “Ndërsa çdo valë e njëpasnjëshme e pandemisë shkaktoi më pak dëme ekonomike, ekziston ende një rrezik për tregun e punës nga rritja aktuale e rasteve të koronavirusit”, tha zoti Bunker.

Tregu i punës po rimëkëmbet nga recesioni i shkurtër, por intensiv i koronavirusit. Në fillim të pandemisë së COVID-19, qeveritë urdhëruan bllokime, konsumatorët qëndruan në shtëpi dhe shumë biznese u mbyllën ose shkurtuan orarin e punës. Punëdhënësit larguan nga puna më shumë se 22 milionë njerëz në mars dhe prill të vitit 2020 dhe shkalla e papunësisë arriti nivelin 14.8%.

Por shpenzimet masive të qeverisë dhe fushata e vaksinimit çuan në një rimëkëmbje të ekonomisë. Punëdhënësit në Shtetet e Bashkuara kanë hapur 18.5 milionë vende pune që nga prilli i vitit 2020, duke e lënë ende vendin me 3.9 milionë vende pune më pak se sa kishte para pandemisë. Raporti i dhjetorit për tregun e punës, që do të publikohet të premten, pritet të tregojë se ekonomia krijoi pothuajse 393,000 vende të reja pune, sipas një sondazhi të firmës së të dhënave, “FactSet”.

Shkalla e papunësisë ka rënë në 4.2%, afër asaj që ekonomistët e konsiderojnë punësim të plotë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments