24 vite më parë, pikërisht më 9 korrik, policia maqedonase ndërmori aksion për të larguar flamurin shqiptar nga godina e Komunës së Gostivarit, protestë e cila pati edhe pasoja fatale në njerëz. U vranë 3 protestues që u shpallën dëshmorë të 9 korrikut, kurse u plagosën më shumë se 100 të tjerë.
Kishte edhe shumë protestues të arrestuar, mes të cilëve edhe vet kryetari i atëhershëm i komunës, Rufi Osmani, i cili më 27 Janar të vitit 1997, solli vendimin për vendosjen e flamurit shqiptar dhe atij turk, në godinën e komunës, përkrah atij maqedonas, duke dashur që të pasqyrojë pasqyrën multietnike të qytetit që ai drejtonte.
Ja historia e ngjarjes
Pikërisht më këtë datë para 24 viteve, qytetarët shqiptarë të Gostivarit u mblodhën përpara kuvendit komunal të Gostivarit, për të protestuar në mënyrë paqësore kundër heqjes së flamurit shqiptar, sfidë kjo e cila u shoqërua me ushtrimin e dhunës, forcës dhe shtypjes të shtetit të Maqedonisë ndaj popullatës shqiptare. Në gjithë këtë situatë, shkas i dhunës së shfrenuar policore e ushtarake, ishte flamuri kombëtar shqiptar që ishte vendosur përpara ndërtesave komunale në Gostivar dhe Tetovë si dhe nëpër komunat tjera ku dominonin shqiptarët.
Përpjekja më serioze e realizuar në mënyrë paqësore dhe demokratike për ngritjen e nivelit të barazisë ndëretnike në Maqedoni, u shfaq që në zgjedhjet lokale të vitit 1996 nga të cilat dolën përfaqësues politik të zgjedhur në mënyrë demokratike. Në mbledhjen e parë punuese të Këshillit të parë plural komunal, në një procedurë legale juridike, më 27 Janar të vitit 1997 ngritën flamurin shqiptar para godinës së komunës së Gostivarit. Por, vendimi për përdorimin e flamurit shkaktoi reagimin e menjëhershëm të qeverisë së Maqedonisë. U aktivizua edhe Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë, e cila më 21 maj 1997, u deklarua se me këtë akt “kërcënohej sovraniteti i shtetit dhe kërkoi heqjen e flamurit kombëtar shqiptar”.
Më 8 korrik të vitit 1997, në orët e vona të natës, Kuvendi i Maqedonisë miratoi ligjin, përmes të cilit u lejua zyrtarisht përdorimi i kufizuar i flamujve të nacionaliteteve, pra edhe i flamurit të shqiptarëve, por vetëm për përdorim në dimensionin privat dhe kulturor. Ky vendim i parlamentit, pa respektuar afatet e fuqizimit, u zbatua në praktikë pak orë pas aprovimit të së njëjtit. Manifestimi i protestës nisi si pasojë e heqjes në orën 1 e 30 të mëngjesit, të datës 9 korrik, të flamurit kombëtar shqiptar nga forcat speciale të policisë maqedonase. Dy orë pas heqjes së flamurit, forcat e policisë arrestuan rreth 30 veprimtarë politikë shqiptar, përfshi këtu edhe kryetarin e atëhershëm të komunës së Gostivarit, Rufi Osmani.
Pasojat e ngjarjeve të përgjakshme të 9 korrikut ishin tragjike dhe të përgjakshme, ku u vranë tre shqiptar, edhe atë Shpend Useini nga fshati Forinë, Nazmi Saliu nga fshati Turçan i Vogël dhe Milaim Dauti nga fshati Dobërdoll. U plagosën me qindra të tjerë, u keqtrajtuan pa mëshirë çdo qytetarë jomaqedonas që gjendej duke lëvizur nëpër rrugë. Ngjarjet e përgjakshme të 9 korrikut, u shoqëruan edhe me pasoja afatgjate. Nga rrahja dhe keqtrajtimet ç’njerëzore të policisë, brenda kësaj kohe, ndërruan jetë edhe shumë qytetarë të tjerë shqiptarë.
Pas miratimit të ligjit për simbolet kombëtare të nacionaliteteve, garnitura e atëhershme komunale më 29 korrik të vitit 2005 vendosi flamurin kombëtar përpara godinës komunale. Në ndërkohë, në vitin 2011 në vendlindjet e tyre u vendosen bustet e dëshmorëve të 9 korrikut, Nazmi Saliu dhe Milaim Dauti.
Aksioni policor përfshiu edhe Tetovën Në Tetovë, ashtu si në Gostivar, përveç largimit të flamurit kombëtar prej përpara godinës komunale, ky akt u shoqërua me shkatërrimin nga ana e forcave policore të lokaleve të komunës dhe të pajisjeve që gjendeshin aty. Pas ngjarjeve të 9 korrikut, për ta arsyetuar tërë ngjarjen, u organizua procesi gjyqësor i Gostivarit, i cili përfundoi më 16 shtator 1997. Në këtë proces Gjykata themelore e Gostivarit shpalli fajtorë kryetarin e komunës së Gostivarit, Rufi Osmani, duku ia shqiptuar 14 vite burg, gjegjësisht 7 vite burg në instancën e dytë gjyqësore. Në këtë gjykim, u bë e qartë se në këtë sistem nuk ka vend për politikë vizionare, e cila ofronte modele më të mira për marrëdhëniet ndëretnike. Pas miratimit të ligjit për amnisti në vitin 1999, Rufi Osmani lirohet nga burgu, duke kaluar afërsisht 2 vite në burgjet e Maqedonisë. U dënua edhe kryesuesi i këshillit Komunal, Refik Dauti, ndërsa ndëshkime pati edhe për kryetarin e atëhershëm të Tetovës, Alajdin Demiri si dhe kryesuesin e këshillit komunal Vebi Bexheti.