Gjykata kushtetuese i thirr mediat për të ndjekur takimet protokollare, por nuk dëshiron t’i pranojë në ndërtesë.
“Gjatë hyrjes në Gjykatën Kushtetuese gazetarët u penguan që të hyjnë në gjykatë. Pse është kështu, nuk morëm përgjigje”, Jovica Paunovski, gazetar – TV21.
Takimi mes ambasadorit holandez, Dirk Jan Kop dhe kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Sali Murati, kaloi në fshehtësi.
Kjo nuk është hera e parë. Edhe në takimin e kryetarit të kësaj gjykate, Murati me ambasadorin e BE, Samuel Zhbogar, mediat u dëbuan nga ndërtesa e Gjykatës Kushtetuese kur temperaturat ishin nën zero.
Atëherë reagoi edhe Shoqata e gazetarëve prej ku e dënuan sjelljen e të punësuarve në Gjykatën kushtetuese ndaj gazetarëve.
“Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë e dënon sjelljen e të punësuarve në Gjykatën Kushtetuese, të cilët në mënyrë të palejueshme dhe joevropiane i trajtojnë ekipet e gazetarëve. Ky incident është i palejueshëm kur dihet se pikërisht Gjykata Kushtetuese duhet të jetë mbrojtësi kryesor i lirisë së të shprehurit. I bëjmë thirrje Gjykatës që në të ardhmen të sigurojë kushte dinjitoze për punë për gazetarët dhe të mos japë shembull negativ në shoqëri për sjelljen institucion – gazetarë”, thonë nga SHGM-ja.
Ndryshe Gjykata Kushtetuese është institucion publik i paguar nga qytetarët.