Pas fitores së Donald Trump, pasuritë e 10 njerëzve më të pasur në botë, një listë e dominuar nga miliarderët amerikanë të teknologjisë, u rritën në mënyrë rekord.
Sipas Indeksit të Miliarderëve të Bloomberg, 10 më të pasurit në botë fituan gati 64 miliardë dollarë dje, rritja më e madhe ditore që kur është lançuar indeksi në vitin 2012.
Elon Musk, personi më i pasur në planet, pati rritjen më të madhe me një shtesë prej 26.5 miliardë dollarësh në pasurinë e tij, e cila tani është 290 miliardë dollarë. Përfitues të tjerë ishin Jeff Bezos, themeluesi i Amazon dhe personi i dytë më i pasur në botë, i cili i shtoi 7 miliardë dollarë pasurisë së tij prej afro 230 miliardë dollarësh dhe Larry Ellison, president i kompanisë softuerike Oracle, historikisht një mbështetës republikan, i cili e rriti pasurinë e tij me 9 miliardë dollarë., duke e çuar në 193 miliardë dollarë.
Anëtarë të tjerë të dhjetëshes së parë, pasuria e të cilëve është rritur, përfshijnë bashkëthemeluesin e Microsoft, Bill Gates, ish-CEO i Microsoft, Steve Ballmer, dhe bashkëthemeluesit e Google, Larry Page dhe Sergey Brin.