7.8 C
Tetovo
E martë, 26 Nëntor, 2024
BallinaLajmeFilluan aktivitetet për stadiumin e Tetovës, Kasami: Do ndërtohet stadium i ri,...

Filluan aktivitetet për stadiumin e Tetovës, Kasami: Do ndërtohet stadium i ri, pritet të jetë gati për tre vjet

Në Tetovë sot kanë filluar aktivitetet e para për ndërtimin e stadiumi të qytetit, kërkesë dhe nevojë e kamotshme e qytetarëve, planifikohet të ndërtohet stadium i ri ndërsa pritet të jetë gati për tre vjet, raporton Portalb.mk.

Kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami në një deklaratë për Gazetën Lajm tha se edhe dhe për rang nacional është stadiumi i dytë që do t’i plotësojë standardet e UEFA-s kategorisë së katërt për lojëra ndërkombëtare, ku këtu do të jetë jo vetëm shtëpia e Shkëndijës por edhe lojërat ndërkombëtare të ekipit të Maqedonisë së Veriut do të luhen këtu.

“Në bazë të dinamikës por edhe në marrëveshjes me kontraktuesin bëhet fjalë për dy diku deri në tre vite, brenda tre viteve duhet të përfundojë dhe të lëshohet në përdorim. Plani është që të ndërtohet nga themelet domethënë të jetë komplet një impiant i ri i futbollit”, tha Kasami.

Me rastin e shënimit të punimeve, u organizua ndeshje sportive si dhe koncert nga Elita 5 dhe Aida Doçi.

Kontrata për stadiumin e qytetit u nënshkrua me 18.03.2024 nga ana e NP ‘Tetova Transport’ dhe Shoqërisë për tregti dhe shërbime ‘E-Property’, pronar i së cilës sipas të dhënave që Portalb.mk siguroi nga Regjistri Qendror është Nazif Destani, djali i biznesmenit, Lazim Destani.

Vlera e kontratës së punimeve është 599.931.520 denarë (rreth 9.7 milionë euro), ndërsa vlera e TVSH-së është e shprehur veçmas në vlerë prej 107.987.673 denarë.

Me projektin janë të parapara edhe Qendra Sportive dhe Rekreative e qytetit si dhe terreni sportiv në fshatin Saraqinë.

Sipas kontratës, punimet duhet të mbarojnë brenda tre viteve nga data e hyrjes në punë të kontraktuesit pas lidhjes së kontratës.

Nga ana tjetër, Këshilli i Komunës së Tetovës me 15 mars 2023 ka sjellë vendim me të cilin jep garanci për realizimin e Projektit ‘Ndërtimi dhe rikonstruimi i objekteve sportive’ i cili menaxhohet nga ana e NP ‘Tetova Transport Tetovë’ se nëse gjatë realizimit të projektit kapital paraqiten rreziqe financiare të cilat nuk mund t’i mbulojë NP ‘Tetova Transport’, në rast të tillë Komuna e Tetovës do t’i marrë obligimet të cilat burojnë nga marrëveshja e nënshkruar.

Portalb.mk ka siguruar kontratën e plotë.

Në lidhje me atë se me çfarë mjetesh do të bëhet ky projekt, Kasami ka deklaruar se do bëhet me para të komunës, të cilat do sigurohen nga të hyrat e komunës prej pagesave të qytetarëve, ai theksoi se nuk është paraparë ndonjë hua. Megjithatë Komuna e Tetovës është në gjendje të rënduar financiare me borxhe.

Tenderi për rikonstruimin e stadiumit të qytetit u hap me 22 nëntor 2023, ndërsa për të njëjtin janë bërë një maratonë premtimesh.

Kryetari i Komunës së Tetovës gjatë vitit 2023 ka deklaruar disa herë për rikonstruimin e stadiumit, në nëntor, tetor, korrik dhe maj. Edhe vitin 2022 disa herë Kasami përmendi se pritej të kishte zgjidhje brenda atij viti. Rikonstruimin Kasami e përmendi edhe në debatet parazgjedhore.

Rikujtojmë që edhe kryetarja paraprake, Teuta Arifi për rikonstruimin e stadiumit bëri një maratonë premtimesh, në vitin 2013, më pas në vitin 2017 si dhe përsëri në vitin 2021, por kjo nuk u realizua në terren.

Përndryshe, stadiumi i Tetovës është në gjendje të shkatërruar dhe nuk plotëson standardet e UEFA-s, skuadra e qytetit “Shkëndija” ndeshjet evropiane i luan në Shkup.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments