Kryetari i LSDM-së, Venko Filipce, në konferencën e sotme për shtyp akuzoi se qeveria e udhëhequr nga Hristijan Mickoski po e shtyn me vetëdije vendin në izolim për të mbrojtur bandën kriminale dhe për të bllokuar rrugën evropiane të vendit.
“Identiteti kombëtar maqedonas nuk kërcënohet nga pakicat në Kushtetutë. Identiteti kombëtar maqedonas kërcënohet nga krimi dhe korrupsioni. Hristijan Mickoski dhe grupi i tij kriminal VMRO duhet ta kuptojnë se qytetarët e shohin shumë qartë se çfarë po bëjnë. Ata qëllimisht duan ta izolojnë vendin nga Evropa për të mbajtur bandën e tyre kriminale në pushtet. Përfshirja e pakicave në Kushtetutë për të respektuar të drejtat e tyre nuk është kërcënim për identitetin kombëtar maqedonas. Përkundrazi, është forcim i identitetit tonë kombëtar”, tha Filipce.
Filipce sqaroi se vazhdimi i rrugës evropiane do të thotë zbatim i standardeve dhe drejtësisë evropiane.
“Sepse vazhdimi i rrugës evropiane do të thotë zbatim i ligjeve dhe drejtësisë evropiane. Do të thotë një prokurori publike evropiane para së cilës ata nuk do të jenë në gjendje të komandojnë as nga foltorja e parlamentit dhe as përmes paraqitjeve të tyre publike televizive. Do të thotë fund i tenderëve të manipuluar, punësimeve partiake, parave shtetërore, kombëtare dhe të qytetarëve. Mickoski dhe grupi i tij po e bllokojnë me vetëdije të ardhmen evropiane të Maqedonisë për të vazhduar vjedhjen e parave të popullit. Dhe pikërisht për këtë arsye identiteti kombëtar u shërben atyre vetëm si justifikim për të ruajtur pushtetin dhe për të vazhduar me interesat e tyre kriminale”, tha Filipçe.
