Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ), një prej gazetave kryesore të Gjermanisë, shkroi të enjten se lajmi në lidhje me shkatërrimin e më shumë se 190 tankeve dhe mjeteve të blinduara armene nga mjetet ajrore luftarake pa pilot të Turqisë, të përdorura nga Azerbajxhani në Karabakun Malor, shkaktoi tronditje në ushtrinë gjermane.
Artikulli i FAZ thekson se suksesi i dronëve turq në Azerbajxhan e detyroi ushtrinë gjermane të marrë masa, pasi Ministria e Mbrojtjes pohoi që sistemi i mbrojtjes ajrore të ushtrisë gjermane është i pamjaftueshëm për të parandaluar dronët luftarakë të Turqisë.
FAZ tërheq vëmendjen se Ministrja e Mbrojtjes, Annegret Kramp Karrenbauer, përgatiti disa sugjerime për të riprojektuar tërësisht sistemin e mbrojtjes ajrore në mënyrë që të kapërcehet ky problem.
Pasi vë në pah se Gjermania nuk ka bërë asnjë modernizim duke qenë se në vitin 2013 s’kishte nevojë për një sistem të mbrojtjes ajrore, artikulli i së përditshmes me seli në Frankfurt vijon me këto fjalë: “Tani, për shkak të kërcënimit të sulmeve të dronëve, sistemi i mbrojtjes ajrore duhet të ndryshohet urgjentisht. Forcat e armatosura nuk janë në gjendje të përsosur. Por ishte një befasi që u pohua se ushtria gjermane është pothuajse e pambrojtur nga sulmet e dronëve luftarakë.”
Kurse në fund të artikullit të FAZ bëhet ky vlerësim: “Gjatë luftimeve, dronët e armatosur të Azerbajxhanit, të prodhuar nga Turqia, shkatërruan mbi 190 tanke dhe mjete të blinduara të Armenisë. Ushtarët armenë u demoralizuan, ngaqë ishin të pambrojtur përballë këtyre sulmeve. Lajmet në lidhje me këtë shkaktuan tronditje në ushtrinë gjermane.”