13.1 C
Tetovo
E mërkurë, 17 Prill, 2024
BallinaOpinionFamiljarët e punësuar të politikanëve dhe mbledhësit e bërllokut

Familjarët e punësuar të politikanëve dhe mbledhësit e bërllokut

JETLIR BUJA

PTK-ja është në falimentim e sipër. Kjo u mësua qysh para një viti. E këto ditë po qarkullojnë lajmet për punësimet familjare nga zyrtarët e AAK-së në këtë ndërmarrje që duan ta plaçkitin duke e parë thjesht si gërmadhë që s’mund të shpëtohet. Pra, ata nuk janë aty që ta nxjerrin në ndonjë mënyrë nga kriza këtë ndërmarrje që dikur i shtonte buxhetit të vendit një shumë të madhe parash.

Të njëjtin marifet e kanë bërë të gjitha partitë e tjera parlamentare. Nuk kemi asnjë shembull se si të mbrohet interesi publik nga interesat private të politikanëve, aktivistëve dhe familjarëve të tyre. As Vetëvendosjen!

Askush nuk ka një propozim se si të ndalet apo të zvogëlohet apetiti i madh i aktivistëve politikë. Asnjë lider nuk ia doli t’i lidhte aktivistët e tij me anë të vargonjve të idealeve. Të gjithë aktivistët në një mënyrë a tjetrën, e morën angazhimin e tyre si të këmbyeshëm me një favor të mëvonshëm.

Por, të mos përsërisim klishetë e lodhëta. Nepotizmi industrial e klientelizmi nuk dëftojnë thjesht ligësinë dhe abuzimin e njerëzve të pushtetshëm. Ajo e kallëzon hapësirën e gjerë të krijuar/lejuar nga pushtetet e mëparshme për një veprimtari të tillë. Pjesa më e madhe e tregut të punës është e fiksionalizuar, e trilluar. Përmban punë të cilave nuk jua sheh hairin askush.

Të shtrojmë një pyetje themelore: Si është e mundur që të ketë vend për aq shumë të punësuar jashtë kritereve? Përgjigjja është e thjeshtë: sepse nuk ka rëndësi nëse i plotëson ose jo kriteret, puna në thelbin e saj është e panevojshme. Pra, që ta ilustrojmë: edhe nëse PTK-ja do të merrte një punëtor të vyeshëm e të aftë, puna e tij s’do të kishte kurrfarë funksioni.

Dhe njësoj si në rastin e PTK-së, abuzimi është i gjithanshëm. E vërteta brutale është se një pjesë e madhe punësh nuk kanë vlerë reale. E prandaj, janë të qasshme për nepotizëm, klientelizëm dhe marifete tjera të punë-marrjes. Ato nuk zgjidhin asnjë problem e nuk ofrojnë asnjë shërbim. Megjithëse, ose paguhen direkt nga taksat e qytetarëve, ose nga problemet që ata i kanë [donacionet nga jashtë].

Nuk është se të gjithë punësohen përmes formave klienteliste e nepotiste. Në fakt, shumica e njerëzve që unë njoh janë të zhdërvjelltë e të zotë, dhe ia dalin mbanë të marrin punë që paguhen sa pesëfishi i një pune reale pa ndihmën e askujt. I plotësojnë kriteret. E megjithatë, puna e tyre mbetet e trilluar. Prandaj, kur nuk pret ndonjë farë rezultati nga puna e një punëtori të tillë, logjika e tyre thotë ‘më mirë i afërti se i largëti’. Fundja, këto punë thjesht ofrojnë privilegje dhe nuk kërkojnë llogari.

Hapësira të këtilla të fiksionalizuara të punës ekzistojnë në çdo shoqëri tjetër demokratike, por në përmasa më të vogla. E ‘Demosi’ i këtushëm ishte aq i pagdhendur e vulgar sa u bë arkitekt i një hapësire gjigante për punët e panevojshme e për nepotizëm e klientelizëm. Ishte pikërisht ky ‘demos’ që lypte lehtësi në studim, diplomë, dhe prandaj iu çelën dyert e universiteteve, bile u çelën universitete tjera për të, kolegje private, u zgjerua administrata publike, mirëmbahen institucionet publike, dhe e fundit por më e rëndësishmja, u sajuan apo ekzagjeruan problemet e tij, që të tjerë të ushqeheshin duke u bërë kinse po i zgjidhnin ato.

T’i mendojmë mbledhësit e bërllokut që i shohim të varur te rimorkioja e kamionit e që ngarkojnë e shkarkojnë mbetjet e konsumit tonë. Puna e tyre ka vlerë reale. Por, paragjykoj se paguhet katër-pesëfish më pak se mesatarja e një pune të trilluar. Dhe në përgjithësi, njerëzit që kryejnë punë të tilla, e që jua shohim dobinë përditë, janë katandisur si skllevër, si alete që flasin.

Çka nëse do të futeshin mbledhësit e bërllokut në grevë? – siç pyeste historiani holandez Rutger Bregman. Do të na mbulonte bërlloku.

Çka nëse do të futeshin OJQ-të në grevë? Apo zëvendësministrat? Apo këshilltarët politikë të ministrave? Apo vetë ministrat? Apo profesorët universitarë? Apo punëtorët e Postës dhe Telekomit, e të RTK-së? Apo të tjerë punëtorë të rremë? Epo, do të na hiqej një pjesë e madhe e farsës!

P.S. Mllefi nuk duhet të na bëj qorr aq sa të mos shohim e vlerësojmë përkushtimin dhe zellin që mund të kenë plot njerëz të aftë në këto punë jofunksionale.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments