EVN arsyetohet për faturat: Do të ulen me kontrollin e energjisë së harxhuar

330

“Për EVN Maqedoni të gjithë konsumatorët janë të njëjtë dhe të gjithë pranojnë shërbim dhe trajtim të barabartë. Në përputhje me këtë janë krijuar kanale komunikimi dhe janë hapur zyra që konsumatorët të mund t’i marrin të gjitha informacionet e nevojshme”.

Kështu thuhet në arsyetimin e kompanisë EVN Maqedoni lidhur me ankesat e fundit të shumë qytetarëve, të cilët ankohen për fatura të kripura dhe paushall të harxhimit të energjisë.

“Elektrodistribuimi asnjëherë nuk do të ngarkojë detyrim monetar më të madh nga ajo që konsumatori ka harxhuar. Në rastin konkret, nuk ka ekzistuar mundësi që njehsori i konsumatorit të lexohet, prandaj në faturë janë shënuar vlera të supozuara në pajtim me dinamikën e konsumit të konsumatorit gjatë vitit. Më vonë kjo mund të korrigjohet me anë të leximit të fundit. Në qoftë se konsumatori vëren që ka pranuar faturë në të cilën ka më shumë ose më pak kWh nga ajo që deri në atë moment ka harxhuar, duhet të drejtohet deri te zyrat e pranimit të EVN pranë Qendrës Energo të Konsumatorëve, të lajmërohet në Qendrën për Marrëdhënie me Konsumatorët ose të paraqesë gjendjen nëpërmjet postës elektronike në [email protected]”, thonë në EVN Maqedoni.

Konsumatorët, të cilët mendojnë se kanë pranuar fatura për energji elektrike me vlerë më të lartë se konsumi i tyre, vazhdon më tej njoftimi, mund ta krahasojnë konsumin e shprehur në kWh të shënuar në faturat e tyre me konsumin në kWh të njehsorit të tyre. “Në qoftë se ekziston dallim në kWh, konsumatorët mund të drejtohen deri te Elektrodistribuimi me kërkesë për korrigjim ose të paraqesin gjendje të konsumit në Qendrën për Marrëdhënie me konsumatorët gjatë javës lexuese përkatëse”, thonë në EVN Maqedoni. Për konsumatorët të cilët për arsye të ndryshme kanë vështirësi gjatë pagesës së borxhit, EVN informon se ofrohen volitshmëri me qëllim që t’ju mundësohen mënyra të pagesës së borxhit.

“Në rastin konkret, konsumatorit i është mundësuar që ta paguajë borxhin në këstet më të ulëta. Përndryshe, edhe pse me Ligjin për Energjetikë, Rregullat e Rrjetit dhe Rregullat e Furnizimit, është e paraparë që leximi i njehsorëve duhet të bëhet një herë në vit, ndërsa ekipet e Elektrodistribuimi këtë e bëjnë për çdo muaj. Në këtë mënyrë, konsumatorët kanë mundësi të pranojnë informacione të sakta për konsumin e tyre. Në bazë të të dhënave të konsumit që fitohen gjatë leximit të njehsorëve, për çdo muaj përgatitet faturë për çdo konsumator veçmas”, thuhet në njoftimin e EVN Maqedoni.

Në ndërkohë, nuk kanë pushuar akuzuar e qytetarëve të shumtë kundrejt kësaj kompanie, të cilët akuzojnë se faturat e janarit janë disa herë më të larta se ato të dhjetorit. Madje, ka të atillë që thonë se, përkundër asaj se në një shtëpi, për shembull, familjarët janë në mërgim, faturat e llogarisë i kanë ardhur deri në 300 euro.