7 C
Tetovo
E enjte, 28 Nëntor, 2024
BallinaLajmeEkspertiza private për “Besa Trans”, kontrollohen kushtet e autostradës

Ekspertiza private për “Besa Trans”, kontrollohen kushtet e autostradës

Hetimi privat pritet t’i konstatojë shkaqet e tragjedisë me autobusin e Besa Transit, me kërkesë të familjarëve të viktimave. Sot në autostradën “Struma” në Bullgari është bërë sërish ekspertizë në vendngjarje, nëntë muaj pas tragjedisë. Avokati i familjeve, Nikollaj Dimitrov, në një prononcim për agjencinë MIA, thotë se ekipi i ekspertëve pritet të kontrollojë nëse ka pasur rrethana shkak-pasojë, që kanë të bëjnë me autostradën dhe infrastrukturën rrugore, që ndoshta e kanë shkaktuar aksidentin.

“Kontrollohet sipërfaqja e rrugës, shenjat, treguesit dhe të gjithë elementët e tjerë, që mund t’i përgjigjen pyetjes se si ka ndodhur saktësisht aksidenti. Inspektimi do të tregojë se çfarë ka munguar në këtë pjesë të autostradës Struma, dhe nëse pikërisht kjo mangësi është shkaku kryesor i aksidentit”, deklaroi Nikolaj Dimitrov – avokat.

Më herët, autoritetet hetuese shtetërore bullgare kishin konstatuar se shkaku kryesor i tragjedisë ishte shpejtësia e madhe, e pa përshtatur me kushtet e rrugës. Hetuesit nga Sofja, konfirmuan se fajtor ishte faktori njeri, prandaj Prokuroria e atjeshme vendosi të mos ngrinte akuza.

“Familjet po pyesin qartë nëse fajin e ka vetëm shoferi i vdekur, apo ka ndonjë rrethanë tjetër, që ka çuar në aksidentin e tmerrshëm. Ata gjithashtu shtrojnë pyetjen se çfarë ka ndodhur me sendet personale dhe bagazhet e të ndjerëve, si dhe me sendet me vlerë dhe stolitë e arit që kishin në to, por që nuk ishin regjistruar nga autoritetet bullgare dhe askush nuk i ktheu”, tha Nikolaj Dimitrov – avokat.

Nuk dihet ende se kur ky hetim paralel do të nxirrte gjetjet fillestare për aksidentin. Ndërkohë, organet e drejtësisë vendase, në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar, kanë nisur parahetim për funksionimin e Stacionit të Kontrollit Teknik “Via-Komerc”, ku ishte regjistruar autobusi Besa Trans. Dyshohet se për shkak të parregullsive të konstatuara është sugjeruar mbyllja e stacionit më herët, por kjo ka ndodhur dy ditë pas aksidentit. Tani për tani ky rast nuk është duke u proceduar, pasi prokurorja Villma Ruskovska u pezullua nga detyra.

Tragjedia ku mbetën të vdekur 45 persona ndodhi më 23 nëntor të vitit të kaluar. /Alsat.mk

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments