Mali i Zi është shteti i rajonit që ka ujin e pijshëm me cilësinë më të lartë, tregojnë të dhënat e platformës World Population Review, të cilat i referohen vitit 2024. E fundit në rajon renditet Maqedonia e Veriut.
Cilësia e ujit të pijshëm është matur përmes Indeksit të Performancës Mjedisore (Environmental Performance Index – EPI) të Universitetit Yale. Ky indeks ndjek 40 tregues performance, ndër ta edhe “Sanitizimi dhe uji i pijshëm”, me qëllim identifikimin e vendeve me performancën më të mirë mjedisore në botë. Treguesit shtesë që ndjek EPI-ja përfshijnë shëndetin mjedisor, zbutjen e ndryshimeve klimatike, cilësinë e ajrit, menaxhimin e mbeturinave, biodiversitetin, gjendjen e fondit të peshkut dhe të tjerë.
EPI-ja e mat cilësinë e ujit përmes treguesit “vite të standardizuara jete të humbura për shkak të invaliditetit në 100.000 banorë (shkalla DALY), si pasojë e ekspozimit ndaj ujit të pasigurt për pije”.
Sipas shkallës DALY, vlerësimi prej 100 u jepet vendeve me ujin më të pastër dhe më pak të ndotur, ndërsa vlerësimi 0 u jepet 5 përqindëshit të vendeve me ujin më të ndotur për pije në botë.
Cilësia e ujit, veçanërisht cilësia e ujit të pijshëm, është ndoshta parakushti më i rëndësishëm për mbijetesën jo vetëm të njerëzimit, por edhe të të gjithë jetës tokësore në Tokë. Përkundër rëndësisë së saj, cilësia e ujit nuk është e garantuar dhe ndryshon ndjeshëm mes vendeve në botë, nën ndikimin e faktorëve natyrorë dhe atyre të shkaktuar nga njeriu.
Matja e sigurisë së ujit të pijshëm në çdo pjesë të një shteti është thelbësore, pasi e ndihmon shtetin të përcaktojë ku duhet t’i drejtojë përpjekjet e tij për të siguruar shëndetin afatgjatë të qytetarëve të tij dhe qëndrueshmërinë e furnizimit me ujë.
(Marrë nga TRT Balkan)
