Apelacioni e ka konfirmuar aktgjykimin lirues për ish-kryeministrin Nikolla Gruevski, i cili ishte i akuzuar në rastin “Talir 2”. Kjo do të thotë se VMRO-DPMNE-së i kthehet akti i pronësisë për selinë e partisë, me vlerë prej 14 milionë eurosh, si dhe pasuria me vlerë prej 2 milionë eurosh, e cila ishte e ngrirë për vite me radhë.
Gjykata e Apelit në Shkup, në interes të opinionit dhe mediave, njoftoi se, duke vepruar lidhur me lëndën penale KZh-711/26, të njohur në opinion si “Talir”, pas mbajtjes së një seance jo publike më 26.08.2026 dhe shqyrtimit të shkresave të lëndës, si dhe duke marrë parasysh propozimin e Prokurorisë së Lartë Publike të Shkupit, ka marrë aktgjykim me të cilin e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Themelore Publike të Shkupit dhe e ka konfirmuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore Penale të Shkupit.
Në vendimmarrjen e saj, Gjykata ka vlerësuar se veprimet e ndërmarra nga i akuzuari N.G. nga Shkupi, në cilësinë e personit përgjegjës në personin juridik, kanë qenë brenda kompetencave të tij dhe se Prokuroria Themelore Publike e Shkupit nuk ka paraqitur prova se veprimet e të akuzuarit kanë qenë në kundërshtim me Ligjin për financimin e partive politike.
Gjatë procedurës, Prokuroria Themelore Publike e Shkupit, si paditëse e autorizuar, nuk ka arritur të dëshmojë përtej dyshimit të arsyeshëm se GP “Beton” kishte statusin e subjektit që, në momentin e lidhjes së kontratave me partinë politike, kryente shërbime publike në kuptim të ligjit të lartpërmendur. Për këtë arsye, nuk ka ekzistuar ndalesë ligjore që “Beton” t’i dhuronte mjete financiare partisë politike, dhe as nuk ka ekzistuar detyrim që i akuzuari, si person përgjegjës i partisë politike, t’i kthente ato mjete, njoftoi Gjykata e Apelit.
Para tre vitesh, situata ishte krejtësisht ndryshe, pasi atëherë shteti ishte një hap larg kalimit në pronësi të tij të të gjithë pasurisë së partisë, sepse ekzistonte një aktgjykim i shkallës së parë që e shpallte fajtor Gruevskin.
Në atë kohë, Gjykata Penale e dënoi ish-kryeministrin Gruevski me gjashtë vjet burg, ndërsa Kiril Bozhinovskit iu shqiptua një dënim me kusht. Gjykata kishte urdhëruar edhe konfiskimin e pasurisë së partisë.
Megjithatë, banesat dhe tokat nuk kaluan kurrë në emër të shtetit, pasi aktgjykimi u rrëzua në Apelacion për shkak të ndryshimeve kontroverse të Kodit Penal.
Pas rikualifikimit të aktakuzës, gjykimi filloi nga e para. Ndërkohë, nga ndjekja penale u shpëtua Bozhinovski, për të cilin vepra penale parashkroi, ndërsa ndjekja penale ndaj Gruevskit dhe partisë vazhdoi.
