15.8 C
Tetovo
E diel, 19 Maj, 2024
BallinaLajmeBotaDW / "Reporterët pa Kufij" dënojnë sjelljen e Edi Ramës ndaj gazetarit...

DW / “Reporterët pa Kufij” dënojnë sjelljen e Edi Ramës ndaj gazetarit Muka

Sjellja e Ramës zbulon një kuptim tejet problematik të kryeministrit për demokracinë dhe lirinë e shtypit”, thotë në një intervistë për Deutsche Wellen, Birger Schütz, zëdhënës i RSF, Gjermani.

Deutsche Welle: Javën e kaluar Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama pezulloi për tre muaj gazetarin Klevin Muka nga konferencat e shtypit të tij, pasi sipas tij pyetja e gazetarit ishte joetike. Si e gjykoni ju këtë veprim të Ramës?

Birger Schütz: “Reporterët pa Kufij” (RSF) e dënon deklaratën e Edi Ramës për përjashtimin e gazetarit Klevin Muka për tre muaj nga konferencat e shtypit të kryeministrit për gjoja sjellje joetike. RSF dënon gjithashtu arsyetimin e këtij hapi si masë për riedukimin e Mukës. RSF dënon edhe refuzimin e Ramës për të lejuar ministren e Jashtme, Olta Xhaçka t’i përgjigjet pyetjes së Mukës për konfliktin e interesit mes postit të saj si ministre dhe faktit që bashkëshorti i saj është investitor strategjik. Së bashku me pezullimin 60-ditor të një tjetër gazetareje në fillim të prillit, sjellja e Ramës zbulon një kuptim tejet problematik të kryeministrit për demokracinë dhe lirinë e shtypit. Një nga detyrat e medias është të monitorojë pushtetin – për shembull duke zbuluar marrëdhëniet problematike me klientët dhe konfliktet e interesit. Pyetja e Mukës synonte pikërisht këtë. Rama refuzoi t’i përgjigjej një pyetjeje me interes publik, së cilës duhej t’i përgjigjej. Pyetje të tilla si ajo e Mukës përbëjnë themelet e një shtypi të lirë. Në vend që të përjashtojë gazetarët nga konferencat e shtypit dhe t’i fyejë ata, Edi Rama duhet t’u përgjigjet pyetjeve dhe të punojë aktivisht për të përmirësuar lirinë e shtypit në Shqipëri. Kjo vlen aq më shumë kur Tirana dëshiron të bëhet pjesë e komunitetit të vlerave të Bashkimit Europian.

Birger Schütz, Reporterët pa kufi, Dega Gjermani

Edhe kancelari gjerman Olaf Scholz ka marrë shumë kritika javën e kaluar. Ashtu si Rama, ai u akuzua për arrogancë. Cilat janë ngjashmëritë dhe cilat janë dallimet mes sjelljeve të dy krerëve të qeverive?

E përbashkëta në përgjigjet e Scholz-it dhe Ramës është refuzimi për t’iu përgjigjur pyetjeve legjitime të gazetarëve. Megjithatë, konteksti në të cilin kanë ndodhur reagimet është i ndryshëm: Edi Rama prej kohësh ka një marrëdhënie tejet të tensionuar me gazetarët. Ai i sulmon publikisht redaktorët duke përdorur një fjalor agresiv, duke i quajtur ndër të tjera “kazan” dhe “parazitë” dhe nuk druhet t’i kërcënojë ata. Në marrëdhëniet me median, Rama përdor akuza, dhe fushatat e bulizimeve ndaj gazetarëve kritikë janë në rend të ditës. Olaf Scholz-i nuk ka një histori të tillë me median. Reagimi i tij ndaj pyetjes së gazetares u quajt nga disa media gjermane si “arrogant” apo “mendjemadhësi”. Por disa shohin te kancelari gjerman një problem të përgjithshëm komunikimi kur përcjell politikën e tij. Por ai nuk përdor masa disiplinuese nga gazetarët apo kërcënime aktive si në rastin e Edi Ramës. dw

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments