19.4 C
Tetovo
E diel, 28 Prill, 2024
BallinaOpinionDritan Goxhaj /Saqipi, Janulla dhe Partneriteti Privat Publik (PPP)

Dritan Goxhaj /Saqipi, Janulla dhe Partneriteti Privat Publik (PPP)

Tregimi humoristik

Saqipi është një burrë shtatlartë i pashëm, i martuar me Janullën e cila nuk është e pashme si Saqipi.

Nëse do thoja se janë dashuruar në rini do ju gënjeja, pasi ata nuk janë martuar me dashuri por me mblesëri, ashtu si ndodhnin rëndom atëhere një pjesë e lidhjeve dhe martesave, pavarësisht se të dy janë nga i njëjti fshat.

Saqipi rrjedh nga një familje fshatare bujqish. Gjyshi i tij ka qenë gjithë kohës që në rini e deri kur ndërroi pushteti në 1945 qehaja – argat i beut të fshatit, ndërsa i ati i Saqipit, duke mos pasur mundësinë të vazhdonte në gjurmët e të atit si argat i beut për shkak të ndryshimit të regjimit, u bë lopçar i kooperativës, dhe ndryshimi i regjimit në 1991 e gjeti brigadier në kooperativë. Janulla, nga ana tjetër, vinte nga një familje gjysmw minoritare, pasi gjyshi i saj dhe babai ishin arumun (vlleh) me kombësi greke, ndërsa e ëma e saj ishte me kombësi shqiptare.

Gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare gjyshi i Janullës ishte tregtar, por nga fundi i kësaj lufte, aty nga mesi i vitit 1944, iu bashkangjit batalioneve partizane të zonës.

Gjyshi i Saqipit nuk doli dot partizan pasi ai vuante nga një sëmundje e rëndë epileptike – humbte ndjenjat sa herë që shihte gjak.

Pas lufte gjyshi i Janullës u bë Kryetar Kooperative derisa doli në pension, kurse i biri, babai i Janullës, u bë Sekretar i Partisë për Kooperativën deri në ndërrimin e regjimit në 1991-in, e më pas edhe deputet në legjislaturën e re pas ndryshimit të regjimit.

Gjyshi i Saqipit ishte i zgjuar.

Pasi ndërroi pushteti, ai e porositi të birin, babain e Saqipit, që të ishte i kujdesshëm dhe ta shihte partinë njësoj si i ati i tij, gjyshi i Saqipit, beun.

Saqipi u rrit në fshat dhe, duke qenë se ishte i hedhur në trup, ai u angazhua në ekipet sportive të kooperativës, kryesisht në ekipin e futbollit.

Por edhe Janulla ishte e hedhur në trup dhe ajo luante në ekipin e volejbollit të kooperativës. Saqipi ishte një djalë i bukur ndërsa Janulla nuk ishte e bukur dhe nuk kishte ngacmime nga meshkujt as në shkollë e as nga ata të fshatit. Për më tepër të gjithë i trembeshin të atit të saj.

Babai i Saqipit, nën udhëzimet e gjyshit të Saqipit, i mbushi mendjen Saqipit që ta fejonin me Janullën, pasi kështu do ishin më afër pushtetit dhe partisë.

Saqipi, i cili në atë kohë sapo kishte ardhur nga ushtria, nuk e kundërshtoi të atin dhe, kështu, kjo mblesëri u arrit të bëhej, pasi i ati i Saqipit kishte ca kohë që ishte bërë edhe anëtar partie në organizatën bazë të partisë të kooperativës.

Kështu, edhe u martuan në një ceremoni ku mori pjesë pothuajse i gjithë fshati.

Saqipin në fillim nuk e tërhiqte fort Janulla pasi ai vërente bukurinë e jashtme, ashtu si pothuajse gjithë të rinjtë e asaj moshe por Janulla, e vetëdijshme se nuk kishte bukurinë e fytyrës që kishin shoqet e saj, e kompensonte këtë pjesë më bukurinë e saj të trupit, pasi ishte sportiste.

Gjithsesi, pas viteve 90 të dy hynë në fakultetin e sporteve, duke u bërë mësues të edukatës fizike për shkollat e ciklit të ulët. Saqipin vjehrri e angazhoi edhe te partia dhe e merrte me vete sa herë që kishte fushata elektorale.

Kështu, Saqipi ishte bërë një aset i shkëlqyer i partisë, edhe pasi partia e vjehrrit erdhi sërish në pushtet. Saqipi arriti të gjente një punë në ministri dhe, kështu, edhe u zhvendos familjarisht nga provinca në drejtim të Tiranës.

Në ministri Saqipi tërhiqte vëmendjen e të gjithëve pasi, jo vetëm që ishte i papërtueshëm për çdo punë, por ishte edhe një burrë i pashëm dhe i bukur.

Ai kishte tërhequr veçanërisht vëmendjen e ministres, e cila i kishte shumë qejf dhe kishte një dobësi të veçantë të rrethohej me meshkuj të bukur, meshkuj si Saqipi të cilët i konsideronte si të pa mësuar.

Dhe pa u vënë re, e mori Saqipin në kabinetin e saj dhe sa vinte dhe e mbante më afër vetes.

Një ditë të bukur e thërret në zyrë dhe i propozon detyrën e zv/ministrit. Saqipin nuk e mbante vendi. Ministrja i thotë: “Po pranove, kalo nga zyra e Sekretares së Përgjithshme të ministrisë”. Sapo doli nga zyra e ministres, Saqipi menjëherë mori Janullën në telefon dhe i tregoi për bisedën me ministren, ndërkohë që ecte si pa e kuptuar drejt zyrës së Sekretares së Përgjithshme të ministrisë.

Kur u afrua, e mbylli telefonin, e futi në xhepin e brendshëm të xhaketës, rregulloi pak kollaren dhe pantallonat dhe i ra derës duke pritur derisa nga brenda t’i thonin që të hynte. Pasi dëgjoi zërin hyr, ai ngadalë uli dorezën e derës dhe e shtyu atë po ashtu ngadalë duke futur brenda gjysmën e trupit dhe duke këkuar leje nëse mundej. Sekretarja e Përgjithshme sapo e pa i thirri në emër “Eja, Saqip, eja!”. Saqipi u fut, mbylli derën dhe po priste që ajo t’i thoshte të ulej, por sekretarja nuk e ftoj të ulej, por në fakt e pyeti direkt nëse do e pranonte detyrën apo jo. Saqipi u përgjigj i entuziazmuar që po.

Atëherë, ajo i bëri shenjë dhe i tha “Ok, hajde me mua” dhe e ftoi në një dhomë tjetër aty nëpërmjet një dere që ndodhej në anën tjetër të zyrës së saj.

Kur hyri aty, Saqipi pa disa thasë me grykë të lidhur me fjongo të kuqe.

Sekretarja me një buzëqeshje në fytyrë u kthye nga Saqipi, fytyra e të cilit kishte marrë një shprehi habie pasi nuk po kuptonte se ç’donte të thoshte e gjithë kjo.

Ajo iu drejtua Saqipit: “Në rast se do e mbash detyrën, atëherë duhet që topet (koqet) ti heqësh e ti fusësh në një nga këta thasët këtu”.

Saqipi në fillim kujtoi se kjo ishte një shaka, por kur pa që sekretarja nuk po qeshte e kuptoi që kjo ishte serioze.

U mendua njëherë për pak sekonda, por pastaj, pa e zgjatur, pranoi që t’i linte topet aty. Dhe sekretarja e uroi për detyrën e re dhe Saqipi doli i kënaqur nga ajo zyrë, shkoi aty ku i kishin caktuar zyrën e tij.

Saqipi rrinte deri vonë në zyrë dhe largohej nga ministria vetëm atëherë pasi ishin larguar ministrja dhe Sekretarja e Përgjithshme. Shkonte në shtëpi shumë i lodhur dhe nuk kishte fuqi për asgjë, as për gruan.

Kështu, Saqipi mbushi nja dy vjet në atë detyrë ku firmoste çdo gjë që i vinin përpara, pasi nuk kishte fuqinë të kundërshtonte asgjë, pasi topet i kish lënë të zyra e Sekretares së Përgjithshme.

Një ditë të bukur e thërret sërish në zyrë ministrja dhe, edhe në prezencë të Sekretares së Përgjithshme, i thonë Saqipit se prokuroria ka hapur një çështje për një tender që kishte firmosur ai.

Saqipi u çudit pasi kish bërë gjithçka që i kishin thënë dhe jo në kokë të vet.

Por ministrja duke parë hutimin e Saqipit i tha: “Kemi vendosur të të shkarkojmë nga detyra dhe të të largojmë nga ministria, pasi partia jonë, ti e di që e ka bërë të qartë, që përgjegjësia është individuale dhe jo kolektive e partisë për ato që ke bërë për partinë”.

Saqipit i kishte ikur zëri fare dhe, ashtu i pafuqishëm siç ndihej, mezi u çua, e pasi mori gjërat e tij te zyra u largua i mërzitur drejt shtëpisë.

Në darkë i tregoi Janullës për gjithçka. Ajo e shkreta u mundua ta ngushëllonte Saqipin, por ishte e pamundur, pasi Saqipi nuk reagonte fare, thuajse ishte prej druri.

Kaluan kështu disa kohë dhe një natë Janulla e mërzitur dhe frustruar nga mungesa e potencës së Saqipit e pyet: “Po ku i ke topet more?!’.

Saqipi u kujtua që i kish lënë në zyrë të Sekretares së Përgjithshme. Gjithë natën ndenji pa gjumë duke bërë xhiro në korridor, sikur të ishte i burgosur.

Të nesërmen që në mëngjes u vesh e shkoi te ministria e kërkoi takim me Sekretaren e Përgjithshme. Kur hyri në zyrë, para tij qëndronte një femër tjetër e jo ajo që kish qenë kur Saqipi kishte dorëzuar topet.

Kjo ishte një vajzë e re e cila e pyeti: “Si mund t’ju ndihmoj?”. Por Saqipi u vu në siklet e nuk dinte si t’ia shpjegonte kësaj vajzës hallin që kishte. Megjithatë, i shkoi në mendje dhe e pyeti nëse ishin akoma në atë zyrën tjetër ato thasët e mbyllur me fjongo të kuqe.

Sekretarja e re buzëqeshi pak dhe iu përgjigj që jo. I kishin hequr nga zyra dhe i kishin vënë në një vend tjetër, pasi ata që po vinin për thasët u bënë shumë, dhe i tregoi se ku të shkonte.

Saqipi arriti ta gjente vendin ku i kishin çuar thasët – në bodrumin e ministrisë. Kur Saqipi arriti te korridori i bodrumit, ai pa aty një radhë të gjatë me meshkuj të tjerë të të gjitha moshave që me rradhë hynin në zyrën në të cilën e kish drejtuar sekretarja e re.

Saqipit i bëri përshtypje se vetëm një pjesë e vogël e tyre, që mund të numëroheshin me gishtat e dorës, dilnin të gëzuar nga ajo zyrë e të qeshur. Pjesa më e madhe e atyre që dilnin prej aty ishin të mërzitur.

Saqipi priti me durim rradhën e tij dhe, kur hyri, ai nuk pa më thasë por një mori topesh të hedhura për tokë, shumica e të cilave ishin të rrudhura, të vyshkura e të thara.

Saqipi nuk po lëvizte sepse ai nuk i mbante mend topet e veta dhe e pa që ishte e pamundur t’i gjente ato që kish lënë në thes para dy viteve.

Kështu doli që aty. Ndjehej i rraskapitur nga ajo që i ndodhi e u largua ngadalë për në shtëpi, por më parë u soll vërdall rrugëve të Tiranës, duke menduar se si do ia shpjegonte Janullës që i kishte humbur topet.

Arriti në shtëpi në mbrëmje vonë dhe u ul në divan pa folur fare. Janulla e pyeti se ku kish qenë gjithë ditën. Saqipi filloi t’i tregonte ku kish qenë dhe çfarë kishte bërë.

Janulla e dëgjonte me vëmendje, pa e kuptuar se ç’lidhje kishte kjo që po i tregonte i shoqi, dhe e pyet: “Po pse i kërkoje topet atje?!”. Saqipi i tregon për takimin me Sekretaren e Përgjithshme kur kish pranuar detyrën, por tashmë topet e tij kishin humbur.

Janulla u ngrit në këmbë e i drejtohet me një ton qortues: “Po tashti, si do ja bëjmë?”.

Saqipi e pa në sy dhe ngriti supet, por pastaj tha: “Më lër të mendohem e të tregoj nesër, se sonte po shtrihem se jam i lodhur”.

Të nesërmen u çua me vonesë dhe përtesë nga krevati dhe po mendonte si të bënte.

Kur Janulla u kthye në shtëpi, i tha që e kishte gjetur zgjidhjen.

“Hë!” – i tha ajo. “Po ja” – i tha Saqipi, “Do e bëjmë me PPP”.

“Po ç’është PPP-ja, mo?” – e pyet ajo.

“Partneritet Privat Publik” – i përgjigjet Saqipi.

“Po si funksionon kjo?” – e pyet Janulla.

“Po ja”, i thotë Saqipi. “Kur unë u bëra zv/ministër, të kujtohet si e diskutuam dhe më the që të lodhnin punët e shtëpisë”? “Po”, – i thotë ajo. “Atëherë e vendosëm që të kontraktojmë një pastruese e cila na bën punët. Pra, morëm një private që të bëj punët tona. Këtë gjë do bëjmë edhe tashti, i thotë Saqipi, do kontraktojmë një privat që të bëjë atë punë sa herë të kemi nevojë.”

Ky është Partneriteti Privat Publik – Ne jemi publiku dhe ai që do bëjë punën është privati.

Ps: Ju betohem që nuk ka lidhje me realitetin.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments