3.2 C
Tetovo
E enjte, 13 Shkurt, 2025
BallinaOpinionDritan Goxhaj /KUR GURI I BUDALLAIT PESHON SA MALI

Dritan Goxhaj /KUR GURI I BUDALLAIT PESHON SA MALI

Ne shqiptarët kemi një shprehje interesante që, edhe kemi filluar ta përdorim shpesh këto 3
dekadad e fundit, ngaqë, si duket, edhe budallejtë ose janë shtuar në këto 3 dekada, ose
këto dekada kanë qënë koha e budallenjve, prandaj dhe na janë dukur më shumë.
Ajo shprehje është – Hedh një budalla një gur në pus, e gjithë fshati nuk e nxjerr dot.
U bë gati 6 a më shumë muaj që, ky personi të cilin e kemi Kryeministër të Republikës së
Shqipërisë, ka dalë me një ide të çmendur, për të krijuar në Shqipëri, Shtetin Bektashi.
Kështu, edhe para disa ditësh, në një vizitë tek Kryegjyshata Bektashiane në Tiranë, ky
person mbajti një fjalim të gjatë nga ata të stilit të vet, ku të humbet filli shpejt po mos ta
kesh mendjen, e të mbushet mendja që ky është “Rilindasi” që të gjithë kemi dëshiruar.
Dhe ky, vërtet, ashtu edhe e paraqiti veten në këtë fjalim si një rilindas që po bën kaq “të
mira” për Shqipërinë, por që ne shqiptarët nuk e kuptojmë (!). Dhe ja si tha: “Se çfarë nuk
dëgjon njeriu nga shqipet dhe shqipot kur i shkon mendja të bëjnë ndonjë gjë të re apo të
bëjnë ndonjë punë që të tjerët nuk e kanë bërë.”
Por le t’i marrim me rradhë e ndoshta e nxjerrim të nxjerrim nga pusi gurin e këtij
“punëmadhit” që e hodhi sërish në pusin tonë të përbashkët, që quhet Shqipëri.
Rama tha: “Bektashizmi nuk erdhi në Shqipëri me ushtarë”.
Ky ose nuk e ka idenë e histories, ose qëllimisht e tjetërson atë.
Bektashizmi ishte tarikat që Sulltani e përdori për gardën e tij pretoriane, Jeniçerët, të cilët,
për t’i pasur më shumë nën kontroll i futi në këtë tarikat totalisht, dhe duke qënë se jeniçerët
ishin pjesë integrale e forcave të armatosura të Perandorisë Osmane, dhe çdo batalion
jeniçerësh kishte nga një dervish me vete, ata aty ku vendoseshin ngrinin edhe teqet e tyre
për të praktikuar këtë tarikat të tyre të islamit, të cilin te ne e kemi të regjistruar si fe më
vete. Teqetë e para te ne janë ngritur nga këta jeniçerë, të cilët ishin ushtarë me rrogë, me
afat 10 vjeçar, ngjashëm si legjionet e sotme franceze.
E, jenicerët tek ne, nuk erdhën si forca paqëruajtëse, por si forca pushtuese; si dhe kur
mbaronin afatin e kontratës ktheheshin, duke përhapur fenë e tyre.
Ndaj kur Rama thotë se “Bektashizmi nuk erdhi me ushtarë” ose gënjen, ashtu si e ka
zakon, ose është vërtet injorant rreth kësaj teme.
Pastaj vazhdon, ku më poshtë tha: “Bektashinjtë janë vetëm, dhe nëse erdhën këtu 95 vjet
më parë si jetimë të një perandorie që iu tregoi derën, bektashizmi këtu nuk mund të vdesë
si një jetim që shqiptarët t’i tregojnë rrugën, sepse do të ishte vrasja me duart tona, të të
gjithëve ne, të një vlere shpirtërore, që siç është brenda nesh sot, duhet t’i përcillet brezave
jo vetëm në emër të një komuniteti fetar e përsëris, por në emër të një historie shqiptare”.
Rama që nuk e njeh fare Kushtetutën e këtij vendi duhet ta dijë se ajo, në neni 10 të saj, në
pikën 2 shkruan:
“Shteti është asnjanës në çështjet e besimit e të ndërgjegjes”.
Pra kjo do të thotë, se nuk është detyrë e shtetit që ky po e përdor si pronë private, që të
kujdeset për mbarëvajtjen e komuniteteve fetare, dhe për më tepër, të kujdeset që këto
komunitete të mos shuhen.
Zgjerimi i komuniteteve fetare, ose zvogëlimi i tyre në këtë vend, është problem vetëm i
vetë këtyre komuniteteve, dhe aspak i shtetit. Shteti nuk ndërhyn dot në çështje të besimit,
pasi mbijetesa e feve, jo vetëm në Shqipëri, por kudo në botë është çështje besimi personal
dhe jo plan qeveritar.
Pastaj, Rama vazhdoi duke thënë: “Historia e bektashinjve është në vetvete thirrja
imponuese për t’i dhënë selisë së Kryegjyshatës Botërore, përmes një statusi të ngjashëm
me atë të Vatikanit, fuqinë e një emblem, e cila nuk do të përçajë askënd, e cila nuk do të

kërcënojë askënd, e cila nuk do të vërë në diskutim sovranitetin territorial, integritetin
territorial të Republikës së Shqipërisë”.
T’i japësh stauts të ngjashëm me Vatikanin, do të thotë t’i japësh të drejtën e një shteti, pra
ta shpallësh shtet ashtu si ka deklaruar vetë edhe më parë.
Por shpallja e një shteti tjetër brenda Shtetit Shqiptar bie ndesh me kushtetutën e këtij vendi
sërish, pasi ajo, në Nenin 1, pika 2 e saj shkruan: “Republika e Shqipërisë është shtet unitar
dhe i pandashëm”.
Dhe krijimi i çdo lloj shteti tjetër brenda territorit të këtij shteti aktual ligjërisht e cënon
sovranitetin dhe integritetin e këtij vendi.
Sepse po qe se nuk do të ishte kështu, si thotë Rama, atëherë le të na thotë ky i
“gjithëdituri” e “punëmadhi” se përse qeveritë e Shqipërisë dhe po ata njerëz që shpallën
pamvarësinë e këtij vendi i luftuan edhe me armë tentativat e armiqve të këtij vendi për të
krijuar Republikën e Franceze në Korçë më 1916 ?!
Po e njëjta luftë u bë nga po nga ata njerëz që shpallën pamvarësinë edhe ndaj shpalljes së
Republikës së Vorio Epirit më 1914.
Po kështu, edhe ndaj Republikës së vetshpallur të Mirditës më 1921.
Në rast se të gjitha këto republika shtete njësoj si kjo që propozon Rama, nuk do e cënonin
sovranitetin e Republikës së Shqipërisë, a nuk mendoni se ata burra që luftuan për
pamvarësinë e këtij vendi, e që sakrifikuan jetën e familjet e tyre për këtë vend, do i kishin
lënë të ekzistonin?!
Por Rama vazhdoi me fjalimin e tij edhe duke e cekur unitetin e shtetit, me qëllimin e vetëm
të manipulimit. Duke thënë: “Shqipëria është shtet unitar, do të thotë nuk është shtet
federal”.
Populli ynë ka një shprehje tjetër që thotë “ Djalli fshihet në detaje”
Dhe pikërisht këtë po bën edhe Edi Rama, ai, në fillim citon kushtetutën si për të na
mbushur mendjen se nuk bëhet llaf për ndarje ose copëzim të Shqipërisë me këtë ide, dhe
pastaj hyn direkt në mashtrimin e tij fenomenal, kur thotë “Edhe Italia është shtet unitar, nuk
është shtet federal por i ka nja 3 realitete brenda saj me statuse të tilla”.
Edhe këtu e fillon duke cituar, pa ju referuar kushtetutës së Italisë, e cila, në Nenin 5 të saj
thotë pikërisht që Italia është shtet unitar.
Dhe pastaj Rama fut djallin në detaje, ku e pason duke thënë se” edhe Italia i ka nja tre
realitete të tilla.”
Dhe këtu të gjithë që e kanë dëgjuar ose që po më lexoni tashti, do të thoni që po, është
Vatikani shtet, por edhe San Marino në Itali.
Por këtu qëndron i gjithë mashtrimi i Ramës.
Dhe këtë mashtrim ai nuk e bën se është injorant, por thjeshtë një manipulator dhe
mashtrues ordiner.
Është e vërtetë që ato qytete-shtete ndodhen në Itali, por ato nuk janë krijuar pasi është
krijuar shteti Italian, ato kanë qënë para krijimit shtetit Italian.
Italia u krijua mbi territoret e Shtetit Papal, duke ja marrë të gjitha ato dhe duke e reduktuar
atë në atë që është sot vetëm Vatikan City, i cili nuk e njihte shtetin e krijuar italian që nga
1861.
Vetëm në vitin 1929 Vatikani arriti një marëveshje për njohje reciproke midis dy vendeve.
Po kështu edhe San Marino është krijuar për herë të parë në vitin 301, kur mori
pamvarësinë nga Perandoria Romake, dhe pasi u pushtua më pas nga Shteti Papal i
Vatikanit e rifitoi pamvarësinë nga Vatikani në vitin 1291, ndërsa në vitin 1600 shpalli
kushtetutën e vet.
Ashtu si shihet këto realitete që i përmend qëllimisht Rama për të mashtruar, kanë ekzistuar
shumë më përpara se të krijohej shteti unitary italian.

Dhe, duke qënë se Italia i ka gjetur ato, dhe nuk i ka zhbërë dot, i ka pranuar të ekzistojnë
brenda Italisë si shtete më vete, duke pasur shërbimin e tyre diplomatik e financiar.
Dhe këto shërbime pretendon t’i ketë edhe ky Shteti Bektashi I Ramës. Dhe në këtë
moment do të thotë që ka pamvarësi nga shteti Shqiptar, gjë që kjo cënon sovranitetin e
këtij vendi, dhe unitetin e tij.
Italia, pas shpalljes së Republikës, e ka vënë në kushtetutë që është shtet unitar, dhe prej
atëhere a keni dëgjuar që Italia t’i ketë dhënë ndonjë copë vendi, ose ndonjë entiteti
çfarëdo, statusin e këtyre dy republikave që i gjeti e nuk e gjetën?!
Jo, nuk ka ndodhur.
Pastaj, Rama vazhdoi duke shprehur shqetësimin: “Nuk mund të më akuzojë njeri që po bëj
diçka në favor të një pale”.
Por do thotë lexuesi: Pse Rama e ka këtë shqetësim? Kjo i vjen se, me sa kuptohet, dikush
do i ketë cituar pikën 3 të Nenit 10 të Kushtetutës së Shqipërisë, ku thuhet: “Shteti njeh
barazinë e bashkësive fetare”.
Pra, po ja dhe njërit komunitet fetar një status special në çfardo lloj forme, je i detyruar t’ia
japësh edhe të tjerëve.
E imagjinoni dot që, pas disa kohësh, të gjitha bashkësitë fetare të fillojnë të kërkojnë
zbatimin e Kushtetutës për këtë pikë se cfarë mund t’i ndodhi në këtë rast kësaj Shqipërisë
sonë?!
Qartësisht, në sa më sipër, Rama ka shkelur totalisht Kushtetutën e këtij Shteti Shqiptar me
artikulimin e kësaj ideje.
Por, edhe bashkësia fetare, Kryegjyshata Botërore e Bektashijve në këtë rast ka shkelur
Kushtetutën, duke propaganduar realizimin e këtij Shteti Bektashi, duke shkelur pikën 6 të
Nenit 10 të saj, i cili shkruan: “Bashkësitë fetare janë persona juridikë. Ato kanë pavarësi në
administrimin e pasurive të tyre sipas parimeve, rregullave dhe kanoneve të tyre, për sa nuk
cenohen interesat e të tretëve”; por në këtë rastin e shpallur nga Rama, cënohen interesat e
të tretëve.
Por, cënohen edhe interesat tona shtetërore.
Po cënohet interesi ynë kombëtar.
Ndaj çdo kush që e përkrah këtë lloj ideje është duke i shërbyer interesave antishqiptare
për zhbërjen e sovranitetit të këtij shteti kombëtar shqiptar.
Në këtë rast do të duhej që të ndërhynte Prokuroria, sepse të gjithë ata që i venë pas kësaj
ideje, me në krye Ramën, kanë shkelur Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Por këtu te ne Prokuroritë, që nga themelimi i këtij shteti pluralist kanë qënë gjithnjë, e
vazhdojnë të jenë pjesa fundore e zorrës së trashë të pushtetit.
Do kisha pasur dëshirë që Ramën, si dhe gjithë ata që i venë pas kësaj ideje, në këtë rast t’i
konsideroja si tradhëtarë, por nuk e bëj dot. Pse?
Ramën nuk e quaj dot tradhëtar se, që të tradhëtosh duhet më parë të jeshë Shqiptar, e ai
nuk është shqiptar as për fis e as për farë.
Ndërsa të tjerët, që u janë errësuar sytë, disa nga mos dija, e disa nga interesi personal,
ose lidhja partiake apo edhe përkatësia fetare, t’i thërrasin mendjes e të mos bëjnë
shqipfolësin në shërbim të antishqiptarëve.
Komuniteti fetar Bektashij mund të marri çfarëdo statusi të dojë, por asnjëherë statusin e
shtetit.
Sepse ky guri që po hedh Rama është i rëndë sa mali.
E po u bë, jo vetëm që nuk e nxjerrim dot nga ky pusi ynë, por ai po hedh një gur edhe
shumë të madh në këtë pus.
E than fare.
Ndaj ta ruajmë Pusin (Shqipëri) që na e lanë amanet të parët tanë dhe Rilindasit e vërtetë.

Dhe këtu do t’i huazoj pak Fishtës disa vargje nga një poezi e tij, por me një ndryshim të
vogël:
Pra, mallkue njai bir Shqyptari,
qi këtë gjuhë (VEND) të Perëndis’,
trashigim, që na la i Pari,
trashigim s’ia len ai fmis.
28 janar 2025

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments