3.1 C
Tetovo
E shtunë, 21 Shkurt, 2026
BallinaOpinionDritan Goxhaj / DEKADENCË

Dritan Goxhaj / DEKADENCË

Para disa ditësh, në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Sekretari i Shtetit i Amerikës Marko Rubio përforcoi më qartë të gjitha ato që për një vit të presidencës Trump jemi munduar tia sqarojmë vetes kuptimin.

Tashmë Rubio, në emër të presidencës Trump dhe Amerikës e ndau mitin nga realiteti, slloganet nga struktura dhe thashethemet nga qëllimet perandorake. Rubio, ashtu si Trump më parë në fjalimet e tij, nuk tentoi të ndryshonte Perandorinë, por ai së bashku me Trump e bënë atë vulgarisht të ndershme.

Në Mynih Rubio e bëri të qartë se Trump nuk ka ardhur në pushtet për të shkatërruar Perandorinë – si mendojnë disa – por për ta racionalizuar atë.

Trumpin nuk e sollën në pushtet për të ndaluar luftërat, por e sollën për t’i bërë ato ekonomikisht më efikase për Perandorinë.

Dhe, në këtë rast kjo do të thotë se Perandoria nuk do ofrojë sovranitet e as do kthejë sovranitet aty ku ka humbur, por ajo thjeshtë do tarifojë sovranitetin e mbetur.

Në këto 35 vitet e fundit të gjithë ne kemi jetuar me një iluzion të sajuar po nga vetë ne, në lidhje me rolin e Amerikës në botë, ku i kemi imponuar bindjen vetes se ajo është një demokraci e qeverisur nga ligji, morali dhe të drejtat e njeriut.

Fuqinë e saj ushtarake e kemi përshkruar si mbrojtëse dhe dominimin e saj global si një domosdoshmëri bamirëse.

U krijua ky perceptim që zgjati kaq gjatë jo se ky ishte realiteti, por thjesht se dhuna u eksportua gjithnji në vende të tjera e jo te ne, sepse vuajtjet e të tjerëve u reduktuan gjithnji në statistika, sepse vrasjet dhe mizoritë u mbuluan me togfjalëshet “dëm kolateral”, “për nevoja të stabilitetit”, “ per te krijuar siguri”, etj.

Por i gjithë ky iluzion i krijuar ra brenda një kohe të shkurtër, ra i gjithi në këto dy vitet e fundit, menjëherë pas tetorit 2023.

Gjatë këtyre dy viteve genocidi, shkatërrimi, pastrimi etnik dhe vrasjet e 71.000 civilëve (të pranuar së fundmi edhe publikisht nga Izraeli – çfarë kanë për të thënë vallë tashti ata që i quanin gënjeshtra këto shifra?)- ku 25.000 prej tyre janë fëmijë, të vrarë nga ana e zionismit izraelit në Gaza, as nuk mund të mbuloheshin e as mund të filtroheshin.

Për herë të parë gjithë bota dhe edhe ne, pamë pa nevojën e ndonjë ndërmjetësi, por direkt se çfarë do të thotë mbështetje e pa kushtëzuar e Amerikës për shtetin zionisto-fashist të Izraelit.

Mbështetja që Amerika i dha këtij genocidi, ushtarakisht dhe diplomatikisht, shokoi më shumë se sa vetë vrasjet dhe genocidi.

Dhe lufta heroike e Hamasit në Gaza nuk nxorri në pah ndonjë gabim politik, por ajo rinxori në dukje sërish një ligj që Perandoritë e ndjekin si një model i parashikueshëm graviteti.

Dhe ky gravitet është momenti kur një fuqi, sado dominuese qoftë, humbet aftësinë për të reformuar veten, ose për t’i vënë vetes linja të kuqe.

Duke e sjellë në një pike, që një dijetar arab, Sejid Bekir al-Sadr, e ka përcaktuar si ligji i pasurisë: “Bollëku prodhon lodhje morale dhe në këtë moment shtrëngimi zëvendëson pëlqimin.

Dhe kjo pikë konsiderohet pika e dekadencës, ose Epoka e Dekadencës”.

Në këtë fazë, brutaliteti i përdorur nga Perandoria nuk bëhet për shkak të ndonjë gabimi, por bëhet me qëllim dhe është i pashmangshëm.

Pasi në këtë pikë të dekadencës, Perandoria nuk mund të qeverisë më nëpërmjet besimit, ashtu si ka bërë nga 1945 deri në vitin 1990, por ajo qeveris vetëm nëpërmjet forcës.

Dhe sa herë që kjo forcë e përdorur nga Perandoria na konvenon direkt neve, ne bëhemi me Perandorinë, bëhemi turq, gjermanë, rusë, kinezë dhe në fund amerikanë. Dhe, edhe pse mundohemi ta paraqesim atë si një qëndrim politik, ajo nuk është asgjë tjetër, vetëm se nevojë psikologjike.

Është një nevojë të cilën e mbulojmë si analizë, por që në fakt e bëjmë për kompesim, si një përpjekje për të gjetur një lloj konfirmimi të pritshmërive të paplotësuara nga Perandoria në trupin politik të dikujt tjetër.

Dhe sa herë që Perandoria e rradhës, ku jemi atashuar politikisht dhe psikologjikisht, thotë diçka jo të këndshme për një entitet politik për të cilin nuk kemi simpati, e lexojmë atë si një zbulim gjeopolitk.

Kur Perandoria bën marëveshje, ne e interpretojmë atë si fillimin e një rendi të ri.

Ndërsa kur ajo bën atë që di të bëjë më mirë, të ndërhyjë brutalisht nëpërmjet forcës, ne e justifikojmë si një “manovër taktike”.

Në këtë mënyrë të gjithë ne, duke u munduar të hiqemi filo amerikanë, jemi vetëm një shembull i një projeksoni periferik, duke i ushqyer vetes besimin se qendra e sistemit do të bëhet në një moment aleate e periferisë.

Është si të besosh se Perandoritë në momemte krize, ato do të bëhen të moralshme, sepse janë lodhur duke qënë të pamoralshme.

Dhe në këtë vitin e fundit, Peradoria në të cilëm ne jemi periferi e saj, ka treguar se ajo që e qujamë “Deep State (shteti i thellë)”, nuk është zhdukur, por thjeshtë është përshtatur.

Perandoria në këtë vitin e fundit nuk flet më për demokraci, por vetëm për stabilitet dhe siguri kombëtare.

Ajo nuk premton në asnjë moment vlera, por vetëm rezultate. Perandoria më në fund thjesht e çliroi sistemin e saj nga justifikimi, por ne sërish këtë e quajmë përmbysje sistemi.

Dhe si optimistë të pandreqshëm që jemi, menduam se ardhja e Trump në pushtet do të sillte një lloj Jalte të Re midis Perandorisë, Rusisë e Kinës, një Jaltë që do të përcaktonte një botë multilaterale.

Një histori e re e botës, të cilën një pjesë e mirë vazhdojnë ta besojnë se ndoshta do të vijë pas shkatërrimit që Perandoria do mundohet ti bëjë civilizimit iranian.

Dhe në këtë pikë, pamvarësisht fakteve që thonë të kundërtën, besimi se shaktërrimi mund të sjelli prosperitet, e redukton gjeopolitikën në dëshirë, dhe në këtë moment çdo lloj analize bëhet e pavlefshme.

Askush nuk guxon të mendojë e as të thotë se dhuna nuk sjell as stabilitet e as racionalitet edhe kur ajo ushtrohet nga Perandoria në të cilën ne jemi periferi. Por që kjo të thuhet e të pranohet duhet maturi.

Por maturia në periferi të Perandorisë zakonisht është një fenomen ekzotik, (që ka ardhur nga vise të largëta).

Dhe në këtë vitin e fundit shprehja “Amerika e Para” ka treguar se nuk do të thotë më pak Amerikë në botë, por krejt e kundërta – më shumë, më e ashpër dhe më e drejtpërdrejtë.

Në këtë vitin e fundit kërcënimi është kthyer në mjet të pedagogjisë morale, ndërsa aleatët në mallra shkëmbimi me një afat skadence.

Tashmë Peradnoria e ka paraqitur qartë se Rusia dhe Kina nuk mund të jenë partnerë të saj në një botë multilaterale, por probleme që duhen zgjidhur; Perandoria ka treguar se për këtë nevojë i duhet të instrumentalizojë Lindjen e Mesme, dhe po për të njëjtën arsye i është dashur e i duhet të disiplinojë Europën.

Ndërsa ne, si përherëm duke bërë tifozin për Perandorinë e radhës, shpresojmë se kësaj radhe Perandoria do na zgjidhë problemin e Kosovës duke “kastruar” Serbinë për ne, pa arritur të shohim se Trump i sheh krizat thjeshtë si çështje të maksimalizmit të pozicionit amerikan në botë, dhe jo me qëllimin për ta bërë atë një botë të drejtë.

Ky viti i fundit i Peradnorisë nuk duhet parë si një histori shpresash të tradhëtuara, por si një refuzim i vazhdueshëm i yni, për të parë realitetin në sy.

Kemi refuzuar e vazhdojmë të refuzojmë e të shohim se Trump nuk është alternativë, por një pasqyrë.

Kjo lloj shprese jo vetëm te ne por te të gjithë fqinjët në Ballkan, është treguesi më interesant sesi gjeopolitika nuk lexohet, por ajo vetëm imagjinohet.

Dhe imagjinohet se Peradoria është bërë e ndershme me ne, kur ndërkohë sa herë që një Perandori ndalon së pretenduari të jetë e moralshme, ajo thjesht është bërë e ndershme me veten, por jo me ne.

Dhe, duke qënë se kemi nevojë për ngushëllim, atëherë këtë gjë e shohim si shpëtim.

Dhe në këtë kërkim ngushëllimi i krijomë vetes gjithnji iluzionin e përhershëm se, duke zgjedhur Perandorinë mbi parimet, mendojmë se mund të ruajmë identitetin dhe dinjitetin.

20 shkurt 2026

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments