Një diplomat britanik ka vdekur në Hungari, pasi është infektuar me koronavirus. Steven Dick, zëvendësambasador në Budapest, ka qenë 37 vjeç.
Dick, i cili ka punuar disa vite në Kabul dhe Riad, ka marrë postin në Hungari vitin e kaluar. Nuk është ende e qartë nëse ai ka pasur probleme të mëparshme shëndetësore.
“Steven ka qenë një diplomat i përkushtuar dhe e ka përfaqësuar vendin e tij me aftësi dhe pasion të madh. Ai do t’iu mungojë të gjithëve që e kanë njohur dhe kanë punuar me të”, tha sekretari i Jashtëm britanik, Dominic Raab. Të mërkurën, numri i viktimave në botë nga sëmundja që e shkakton koronavirusi, COVID-19, ka kaluar 20,000.