14.8 C
Tetovo
E martë, 30 Prill, 2024
BallinaOpinionDilaver Goxhaj /SA TË GËNJYER ISHIM!, BRE BURRË (!)

Dilaver Goxhaj /SA TË GËNJYER ISHIM!, BRE BURRË (!)

Intervistë me ish refugjatin prej Prishtine në Korçë, Ismet Myftar
Berishën dhe të bahkëshorten e tij, Nailen. Prishtinë 20 dhjetor 2001,
(Intervista është realizuar në familjen e tyre, te Lagja e Trimave)
         D. Goxhaj: Kur dhe si u larguat nga Kosova?
I.Berisha: Jemi larguar nga shtëpia, nga Prishtina dhe Kosova rreth
nji javë pas fillimit të bombardimeve nga NATO-ja. Na nxorri policia serbe
nga shtëpitë, ashtu, me çka ishim veshur. Vetëm paret munda me i marrë
me vete. Morëm fëmijët dhe na detyruan të shkonim në stacionin e trenit,
në Prishtinë. Atje ishte grumbulluar pothuaj e gjithë popullsia e Prishtinës.
Nuk dinte askush se ku po na çonin. Treni që ndaloi për ne erdhi pas 2-3
orësh pritje.
Nailia (ndërhyn): Më fal Ismet! Në se të kujtohet mirë, treni i parë që
erdhi pas 2–3 orësh ishte për Nish. Nuk guxuam me hyp në të. Në orën 02
të mesnatës erdhi treni tjetër që hypëm, apo jo? Asaj kohe ishim nën
zhurmat e krismave të kundërajrorëve si dhe zhurmave e avjonave dhe
shpërthimi i bombave të tyre. Në tren kish mizëri njerëzish.
Ismaili (vazhdon): Po, sak. Atje ku na zbritëm, mësuam se quhej
Bllacë. Në Maqedoni. Nuk kisha qenë atje ndonjëherë më parë. Ndejtëm
atje rreth një javë. Ishim si mos më keq. Dhë në një prej ditëve erdhën do
persona e na thane, se do të na dërgonin diku gjetkë, për më mirë. Na
hypën në autobuza. Gjithçka e drejtonte Milicia Maqedone. Edhe ata nuk
na thanë se ku do të na çonin. Ishim gjithë frikë. Askush prej nesh nuk
fliste. U nisëm aty nga mbrëmja. Aty nga mesnata mbritëm në një vend që
na thanë se është doganë. Pasi kaluam kufirin maqedon dhe ndaluam
përsëri, në një doganë tjetër, aty mësuam se ishim në Qaf – Thanë.
Gjithcka flitej shqip. E kuptuam se po na çonin në Shqipëri. Me të thanë të
drejtën, Bacë, u frikësova edhe më keq, por nuk i tregova Nailes. E din pse
nuk iu shpreha Nailes? Me thanë të drejtën, nuk dëshiroja me shku në
Shqipëri. Nailia pyeti një gru se për ku shkojshim, dhe më tha gjithë
kënaqësi: “Ismail, jena tuj shku në Shqipni!” Dhe une i thashë: “Më mirë do
të ishte të na çonin në Beograd se sa në Shqipni”. Kjo më pa gjithë habi,
por nuk foli.
           D.Goxhaj: Pse kjo dëshirë a frikë, si me e qujt?

I.Berisha: Me thanë të drejtën, për Shqipninë në ato vitet e fundit
kishim dëgjuar shumë gjana të këqija. Pata lexuar në gazetat tona, në
Prishtinë, se Shqipnija ka veçse rebela. Madje, në njanën prej tyne pata
lexuar se, do hajna prej Tropoje patën shkuar në një familje të një fshati të
Gjakovës dhe i kishin lyp 25 mijë Dojç Marka, ndyshe, i patën thanë të zotit
të shpisë, do të të vrasim djalin dhe ashtu patën ba. Kështu shkrunte
gazeta. Po ka rrejt ajo, po të rrej dhe unë. Qashtu, besa. Jo vetëm unë, por
të gjithë ata çka unë pata bisedu për Shqipninë, ashtu mendojshin ato vite.
D.Goxhaj: Si vazhdojë “odisea” e juaj më vonë?
I.Berisha: Udhëtum goxha gjatë, gati tri orë. Kur zbritëm nga
autobuzët ishte mëngjes, rreth orës pesë ose gjashtë. Sakë. Qashtu ishte.
Unë me fëmijët e mi zbrita i pari dhe isha po i pari, që hyna në një sallë
sporti, për ku na drejtuan. Nuk dijshim ku ishim.
D.Goxhaj: Sa fëmijë kishit me vehte?
I. Berisha: Të tre i kishim, dy djemtë dhe vajzën, 11, 9 dhe 6 vite.
D.Goxhaj: Po, dhe. . …?
I. Berisha: Sa hyna mbrenë pashë një mori bukë të rumbullakta e të
mëdhaja, të cilat po qesnin avull. Ndjeva një farë ngrohtësie. Disa nuse të
reja na dolën përpara. Fjalët ngrohëse të tyre ishin fjalët e para që ndigjoja
prej gojës së shqiptareve të Shqipnisë. M’u duk sikur më flisnin nana dhe
motrat e mia. Nuk kisha ndëgjuar kurrë zëra aq të ngrohtë e aq shqipe të
pastër. Një pritje e ngrohtë, që s’di si me ta tregu. Ato momente besova se
edhe për ne shqiptarët paska Parajsë. Ndoshta edhe nga që kishim një
javë që as hanim, as pijshim e as flinim. Nuk e di. Qysh aty fillova të
mallkoja vehten pse e pata aq jashtë zemre vajtjen në Shqipni. Sa të
gënjyer ishim!, bre burrë.
Nailia (ndërhyn): Kur pamë atë mikëpritje na iku frika që na kish
shoqëruar ato ditë. Dhe hera herës shikojsha nga Ismaili, për më i thanë:
Ja që nuk asht ashtu si më the; por ky, me azalla se shihte prej meje, dhe
merrej me fëmijët.
Ismaili: E shifsha me bisht të synit por nuk dojsha me u kthy prej saj,
se e kuptojsha cfarë dejshe me më thanë… Na sistemun me u ul, duke na
dhënë bukë të ngrohtë dhe djath. Nga e folmia e tyre kuptova se ishin
toskë, me nje lloj të folme krejt ndryshe prej nesh, por që e kuptojsha
shkëlqyshëm cdo fjalë. Pas pak e mësuam se ishim në Korçë. Pasi na lanë
2–3 orë me u shlodh, erdhi policia dhe na morri me 5 a 6 komba, por ata
sikur ishin ma të mirë se kombat tanë, e merrshin ma shumë njerëz.

D.Goxhaj: Duhet të kenë qenë mikrobuza.
            I. Berisha: Po besa. Na zbritën në afërsi të një shkolle fshati. Ora
ish aty rreth tre pas dite. Na thanë se ishim në fshatin Vranisht. Nuk kishim
zbritur ende prej kombeve, kur u mblodhën shumë fshatarë. Më shumë gra
se burra! Ata na rrethun dhe nuk po flisnin, veçse na shifnin, tuj i pasë sytë
plot me lotë! Kjo na bani edhe më shumë përshtypje. Shikojshim njani-
tjetrin ne kosovarët, dhe po habitshim me ndjenjat që shprehnin sytë e
vendasve. Këtë gjë nuk kam për ta harruar kurrën e kurrës. Thashë me
vete: Gjaku qan për gjakun! U kujtonja cfarë i pata thanë grus në doganë,
dhe më vinte përsëri turp prej vedit që iu pata shprehë grus në atë mënyrë,
“se do të ish më mirë me shku në Beograd”! Më dukej sikur më patën
dëgjuar deri këtu në Korçë. Dikush prej fshatarëve mundohej me na
buzëqeshë, por e shihnja se e kishin të pamundur. Ne prej Kosove
shikonim njani-tjetrin dhe, nuk po të rrej aspak, habiteshim. Por kjo zgjati
shumë pak. Heshtjen e thyejti një grua, e cila mësuam se ishte mësuese. U
afrua drejt meje dhe pasi më përshëndeti, më pyti: “Sa fëmijë keni?” “Tri, – i
thashë,- si dhe unë e gruja”. “A dëshironi me ardhë e me u strehu te familia
jeme?”, më pyti. “Falmnerës!”, i thashë…
Nailia (ndërhyn): Pastaj ajo gruja m’u drejtua mua, duke më thënë
se ishte mësuese dhe: “Nxënësit e mi kanë dëshirë me taku moshatarët e
tyne prej Kosove. A mund të më prisni dhjetë minuta me i marrë e me i çu
fëmijët në klasë”. Dhe nuk priti as përgjigjen teme, por mori për dore dy
djemtë dhe iku me ta me të shpejtë drejt hymjes së shkollës. Ne po prijsnim
në kambë. Nuk u vonua shumë dhe u kthyen të tre.
D.Goxhaj: Sa familje ishit gjithsej që shkuat në Vranisht?
I. Berisha: Ishim rreth njëzetë familje. Përveç meje ish Hakifi nga
Millosheva e Obiliqit (Kastriot) me dhjetë familje të fisit të tij; një mësues
prej Vuçiterne, Destan e quanin, së bashku me familjet e tre djemve të tij;
Ismet Kutlleshi prej Podujeve (Besjana) me tre familje, kushrinj të tij; ishin
dy familje nga Bregu i Diellit të Prishtinës dhe tre familje prej Mitrovice.
D.Goxhaj: Ku u strehuat përfundimisht dhe sa qëndruat atje?
I. Berisha: Mësuesja na mori e na çojti në shpinë e saj. I shoqi i saj
pat qenë kryetar i kooperativës në kohën e Enverit. Ai quhej Gëzim Kavolli,
ndërsa të shoqen e thërrsnin Fiqo, mësuese. Kur shkuam në shtëpi,
Gëzimi nuk ndodhej atje. Fiqua nuk na la me heq as këpucët, por na shtyni
me zor mbrena me gjith këpucë. Na qerasi me gjithfarë të mirash, pastaj na
tregoi se ku do të flinim. Na liroi dhomën ma të mirë, atë ku ata flijshin qysh
kur ishin martu. U lajtëm në dush dhe ramë e fjetëm si të vdekun. Kur erdhi
i shoqi në mbramje, na foli gjithë buzëqeshje dhe na tha: “Ma ka hudh

gruja. Do të kisha dëshirë që unë me u marrë, por ja që ajo u tregue ma e
shkathët se unë. . . Do të rrini te unë, na tha, jo një muaj e dy, por me vite
të tana, deri sa të bahet mirë me u kthy në Kosovë. Mos kini dert, do të
hamë së bashku e do të jetojmë së bashku. Ju nuk duhet të merakoseni
për asgja, se gjithçka do ta përballoj unë me familjen teme. Unë do të ngrej
edhe një shtëpi me dy dhoma dhe ajo do të jetë e jueja tanë jetën, nëse
dëshironi. Edhe kur të shkojsh për Kosovë, edhe mund me e shit, nuk ka
problem, ajo do të jetë e juaja. Ju u kanë përzënë nga vatani, por mos u
sikletosni, çdo gja do ta kalojmë së bashku, të mirat dhe të këqijat. Jemi
vëllazën. Pastaj, atje kena një ushtri të tanë që Lufton, dhe kushedi sa
djem e burra të tjerë do t’u bashkohen atyne”.
Nuk po u besoja veshëve për çka dëgjoja. Edhe deri këtu paskan
dëgjuar për UÇK-në!, thojsha me vedi dhe, po e them për herë të pare: në
atë moment më erdhi turp prej vedit që nuk isha dhe unë në UÇK.
D.Goxhaj: Dhe a ta ndërtoi shtëpinë?
I. Berisha: Si jo, madje për pakë ditë, me materiale pothuajse të
gatshme.
D.Goxhaj: Si ja kaluat në Vranisht?
I. Berisha: Në Vranisht ndejtëm gati 4 muaj. Javën e parë pothujse e
kalum nat e ditë me gjumë. Ishim shumë të lodhun nga udhëtimi, por më së
shumti nga qëndrimi në Bllacë, ku pothujse nuk patëm fjetë as një natë,
pasi binte shi gjatë tanë kohës dhe ishim jashtë. Ngroheshim në zjarre, ku
tymi na pat qitë edhe sytë prej vendi.
Të nesërmen e ditës së parë në Vranisht u zgjujta rreth orës 10, dhe
shkova në shitore për të blerë cigare, pasi nuk e pashë që Gëzimi më pat
lënë në dhomë një stekë me cigare. Kur dola prej shitores, fshatari i parë
që më takoi në rrugë, më pyeti se a e pata njohun ma herët Gëzim
Kavollin. Jo, i thashë, po pse më pyt? “Sepse ke ardhë te njeriu ma i mirë e
ma i nderumi i fshatit tone”. Eh, sa m’u bë qejfi!
D.Goxhaj: Po me fshatarët e tjerë a pate mundësi të takoheshe e të
bisedoje?
I. Berisha: Çfarë të të them. Nuk guxojshe me dalë në rrugë se,
porsa na takojshin neve prej Kosove na ktheshin me zor nga shtpijat e
tyne. “Ktheu për nji kafe”, na thoshin dhe nuk na lëshojshin pa u shkuar në
shtëpi. Mund të them pa droje, se gati në gjysmën e shtëpive të Vranishtit
kena qenë mysafirë. Porsa fillonte muhabeti, dilte kafeja bashkë me rakinë.
Atje mësova me pijt edhe rakinë, dhe, të them të drejtën, atje u shëndosha
se kam qenë shumë shëndetlig. Kur nuk kalonin as disa minuta, fët e fët

shtronin diçka për me ngranë. Ishin interesant! Po ç’pastërti, more vëlla!
Kur largoheshim, na jepshin për më marrë qumësht për fëmijët, fruta,
perime, mirëpo ku t’i çojsha, pasi ato nuk na mungojshin te Gëzim Kavolli,
por dhe më dukej sikur po e ofendojsha qëllimisht.
D.Goxhaj: Po në qytetin e Korçës a mundët të shkonit?
I. Berisha: Po more. Më ka shëtit Gëzimi, duke më marrë me tanë
familjen, çdo javë. Madje, kam shku disa herë edhe vetëm me familjen, kur
mësova nga me shku e si me shku. Më ka bërë përshtypje se në të
shumën e rasteve, kur ulsha me grun a vetëm, me pi kafe a diçka
freskuese nëpër kafiterit e Korçës, porsa më dallojshin nga e folmia se isha
prej Kosove, nuk pranojshin me m’i marrë parét.
D.Goxhaj: Ç’farë të ka bërë më shumë përshtypje gjatë qëndrimit në
Korçë dhe Vranisht?
I. Berisha: Pastërtia dhe regullsia e qytetit, sjelliet e kulturuara të të
gjithë njerëzve! Nuk di si ta them, por mbi të gjitha më ka bërë përshtypje jo
veç zgjuarsija e atyne njerëzve, por edhe mënyra se si të mbushnin
mendjen, mor vëlla! More, qoftë edhe me një puntor të regullimit të rrugëve,
po të ulshe e të bisedojshe me të, të kthjellte më mirë ai se çdo politikan i
Kosovës! Në daçë për politikën në përgjithësi, në daçë për UÇK-në.
Thojsha me vedi: “Si ka mundësi që këta kanë kaq besim te UCK-ja?” Dhe
druhesha se mos më pysnin, se pse nuk pata shku në luftë. Por shyqyr që
nuk ma bani kush atë pyetje. U jam shumë mirënjohës që nuk më vuni
kush në asnjë rast në pozitë të vështirë me atë pyetje. Sa të kujdeshëm që
ishin!
D.Goxhaj: Kur u kthyet në Kosovë?
            I. Berisha: Jena kthy në Korrik të atij viti. Na kanë sjellë tre
autobusë me na marrë. Doli i gjithë fshati me na përcjellë. Shumica nga ne,
por edhe prej tyne qanim. Sa njerëz të dashur!
Na çuan në Korçë, ku ndejtëm gati një javë, sa ardhën e na muarrën
helikopterat e na suallën në Kukës. Atë javë, derisa erdhën helikopterët, na
vinin nga Vranishti familjarët ku kishim qenë, na vizitoshin e na sillnin
bostana.
Nailia (ndërhyn): Kur do të iknim prej Vranishtit desha me i lanë një
kujtim Fiqiretit, dhe hoqa njanën prej unazave të mia dhe i thashë ta
mbante kujtim prej meje. Ajo më shihte në fytyrë dhe qante, duke më
thënë, se ju nuk dihet se si do ta gjeni shtëpinë në Kosovë, prandaj mos
len kurgja këtu. Me zori ia lash atë kujtim.

 D.Goxhaj: A u kërkoi kush prej fshatarëve në Vranisht të paguanit
qëndrimin gjatë atyre katër muajve?
I. Berisha: E ke me gjithë mend, a ban hajgare? As unë dhe as një
familje shqiptarësh prej Kosove, që ishim në Vranisht, nuk u kemi paguar
as edhe pesë cent atyne fshatarëve. Gjithçka është përballun prej familieve
që na kanë mbajtë. Asnji fjalë nuk po shtoj, pasha Allahun!
D.GOXHAJ: A mbani lidhje me familien e Gëzimit?
I. Berisha: Po. I marr shpesh në telefon. Madje, në një rast ka ardh
edhe djali i tij në Kosovë dhe ka ndejt një natë. Kam bërë në jetë me shku
këtë verë, me i vizitu.
D.Goxhaj: Ju faleminderit për intervistën.
I. Berisha: Ju faleminerës juve që më mundësuat me shpreh
mirënjohjen për ata njerëz aq të mirë, që pashë, jetova e njoha në Korçë.
Çdo e keqe e paska nji të mirë. Po mos pat ndodh ajo luftë, kurrën e kurrës
nuk do ta besojsha se shqiptarët e Shqipnisë janë aq të mire!
 
 Prishtinë, 20 dhjetor 2001

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments