Deputeti gjerman, Peter Beyer, ka thënë se situata në veri e ka shtyrë që të vije sërish në Prishtinë.
Beyer, theksoi se ka biseduar me shumë persona për situatën që është duke mbretëruar në veri të vendit.
“Po është e vërtetë, jam rikthyer në Kosovë, këtë herë është një vendim spontan që e mora. Dhuna në veri më shtyu që spontanisht të vije në Prishtinë për të biseduar me shumë persona për zhvillimet në veri”, tha Beyer në Klan Kosova.
Fundjavën e kaluar në Prishtinë ka qëndruar Manuel Sarrazin, emisar gjerman për Ballkanin Perëndimor. Sarrazin erdh pas futjes së kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet e tri komunave veriore, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit.
“Porosia ime sot është që ne nuk do të lejojmë që këto mundësi, këto shanse që i ofron marrëveshja e Ohrit të hidhen poshtë për shkak të ndonjë vendimi të marrë”, ka thënë Sarrazin në Kosovë.
Ndërkaq, javës që vjen, Kosovën pritet ta vizitojnë emisarët perëndimorë, Gabriel Escobar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Miroslav Lajcak i Bashkimit Evropian.
Beyer: Jam i dëshpëruar, BE-ja duhet ta kritikojë Serbinë.
Deputeti gjerman, Peter Beyer, ka thënë se është i dëshpëruar me Bashkimin Evropian, me mënyrën qysh po sillet ndaj Serbisë.
Beyer, tregoi se Serbia po shkelë marrëveshjen e fundit, dhe siç tha ai, mungoi kritika nga BE-ja për këtë.
“Serbia ka votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Kjo është një shkelje e qartë e marrëveshjes. Nuk duhet penguar ose votuar në mënyrë aktive kundër pjesëmarrjes së Kosovës në organizatat ndërkombëtare”, tha Beyer.
Deputeti gjerman potencoi se të dyja palët detyrohen të zbatojnë marrëveshjen e Ohrit.
“Mua më ka dëshpëruar Bashkimi Evropian, se nuk erdhi zëri, për të kritikuar Serbinë. Ta dërgojë një mesazh të qartë, është diçka e barabartë, është diçka e ndërsjellë, të gjithë detyrohen për të bërë ato në çfarë janë zotuar në marrëveshjen e Ohrit, përndryshe është e vështirë të shkohet tutje”, shtoi ai.
“Duhet të përdorim ndikimin tonë te Beogradi që edhe në atë mënyrë që edhe ata të luajnë një rol konstruktiv në të ardhmen”.