18.5 C
Tetovo
E shtunë, 27 Korrik, 2024
BallinaOpinionDenko Maleski: A do të ketë sanksione nga SHBA për presidenten dhe...

Denko Maleski: A do të ketë sanksione nga SHBA për presidenten dhe qeverinë e re të RMV-së?

Profesori universitar dhe ish-ministër i Punëve të Jashtme, Denko Maleski, në një kolumnë për portalin “Libertas”, shkruan se me veprimin e saj, duke mos shprehur emrin e ri kushtetues, por vetëm “Maqedoni”, presidentja e re i ka thyer këmbët e xhamit të Marrëveshjes së Prespës dhe se ndonëse te shumica e maqedonasve shkaktoi reagim pozitiv, megjithatë, tek ata qytetarë që janë të vetëdijshëm për pasojat e këtij hapi, shkaktoi ngritjen e vetullave, transmeton Portalb.mk.

“Ishte një moment sfide ndaj padrejtësisë që sipas ligjit ndërkombëtar i është bërë një shteti, i cili nën presionin e një tjetri duhej të ndryshonte emrin kushtetues. E thënë nga pozita e presidentes, ishte thirrje për qytetarët dhe punonjësit e administratës shtetërore që ta ndjekin shembullin e saj”, thotë Maleski.

Por duke refuzuar të thotë fjalët e plota të betimit që janë thënë nga kryetari i Kuvendit dhe duke refuzuar përdorimin e emrit kushtetues të vendit, sipas Maleskit, ajo i shpalli luftë Greqisë, duke thyer këmbët e xhamit të Marrëveshjes së Prespës me pikën më të rëndësishme për fqinjin jugor – emri i vendit tonë.

“Pason reagim grek që si gjithmonë do të ndihet më drejtpërdrejt nga qytetarët në pikat kufitare dhe nga qeveria në përkeqësimin e marrëdhënieve ndërshtetërore me Greqinë”, thotë ai.

Kur është fjala për fjalimin e saj, profesori shkruan se nuk ka dëgjuar asgjë thelbësore për pozicionin e presidentit në politikën e brendshme apo ndërkombëtare. Maleski konkludon se pas fjalimit të presidentes së re Siljanovska-Davkova, vendi tani ka dy fronte në të cilat do të duhet të mbrojë dinjitetin e vet – me Bullgarinë dhe me Greqinë, dhe shpreson që ajo dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, të kenë një strategji daljeje nga kjo situatë.

“Një konfrontim me dy shtete anëtare të BE-së do ta vërë vendin tonë pa dalje në det, me një strukturë komplekse etnike dhe një ekonomi të varfër, në një pozitë jashtëzakonisht të pafavorshme. Nuk mund të pritet mbështetje nga ata që bëjnë presion mbi të dyja palët për të nënshkruar Marrëveshjen e Prespës, përkatësisht Amerikën, por edhe Evropën dhe OKB-në. Përkundrazi. Në përpjekje për të mos u rrëmbyer nga vala e nacionalizmit populist, zyra e Presidentit amerikan lëshoi ​​një urdhër për sanksione ndaj atyre që punojnë kundër Marrëveshjes së Prespës, së bashku me Marrëveshjen e Ohrit dhe atë me Bullgarinë. A do të thotë kjo sanksione për presidentin dhe qeverinë e Maqedonisë?”, përfundon Maleski.

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova, gjatë dhënies së betimit, nuk e përdori emrin zyrtar “Maqedoni e Veriut” ashtu siç është rënë dakord me Marrëveshjen e Prespës, por e përdori vetëm emrin “Maqedoni”. Ajo madje që në fushatën parazgjedhore kishte sqaruar që do të mundohet të shmang emrin e ri zyrtar të shtetit, për çka kishte reaguar edhe pala greke. Ky hap i Siljanovskës dhe i partisë nga e cila ajo u mbështet, VMRO-DPMNE, ka hasur në reagim të ashpër të Greqisë dhe opinionit ndërkombëtar, duke ia kujtuar se vendi duhet ta respektojë Marrëveshjen e Prespës, nëse dëshiron të ecë përpara në rrugën eurointegruese.

Maqedonia e Veriut ka qenë kandidate anëtarësimi në BE që nga viti 2005. Por fillimi i bisedimeve të anëtarësimit u shty për shkak të konfliktit të emrit me Greqinë. Në vitin 2027 socialdemokratët qeverisës arritën një marrëveshje me Greqinë për ndryshimin e emrit, që në vitin 2019 edhe u zbatua. Athina këmbënguli për ndryshimin e emrit Maqedoni, pasi një rajon në veri të Greqisë mban po këtë emër. Ndryshimi i emrit në Maqedoni e Veriut solli edhe anëtarësimin e vendit në NATO dhe me këtë edhe hapjen e rrugës për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments