8.2 C
Tetovo
E martë, 27 Shkurt, 2024
BallinaLajmeRajonDASH, i ashpër me Kosovën/ Veprimet në veri minojnë përpjekjet e Perëndimit...

DASH, i ashpër me Kosovën/ Veprimet në veri minojnë përpjekjet e Perëndimit drejt normalizimit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënuan të premten ashpër veprimet e Qeverisë së Kosovës “për të hyrë me forcë në ndërtesat e komunave në veri të Kosovës”.

Me anë të një deklarate, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken u shpreh se kjo qeveri i ndërmori këto veprime në kundërshtim me këshillat e Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë të Kosovës.

“Këto veprime kanë përshkallëzuar në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme tensionet, duke minuar përpjekjet tona për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do të kenë pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe me Kosovën”, thotë deklarata.

“I bëjmë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të ndryshojë kurs dhe të gjitha palëve të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm që do të ndizte tensionet dhe do të nxiste konfliktin”, përfundon deklarata.

BE-ja dënon përplasjet në veriun e Kosovës

Bashkimi Evropian dënoi ashpër përplasjet në veriun e Kosovës “të iniciuara nga përpjekja e kryetarëve të sapozgjedhur të komunave për të hyrë në ndërtesat komunale”.

Dënojmë fuqishëm sulmet ndaj patrullave të misionit civil të BE-së në Kosovë, EULEX, të cilit duhet t’i lejohet të zbatojë mandatin e tij në mënyrë paqësore, thuhet në reagimin e Be-së në të cilin theksohet se “të gjithë duhet të ndërmarrin veprime për të shtensionuar situatën dhe për të rivendosur qetësinë menjëherë. BE-ja nuk do të pranojë asnjë veprim të mëtejshëm të njëanshëm ose provokues dhe ruajtja e paqes, dhe siguria në terren duhet të jetë përparësi”.

BE-ja ritheksoi se zgjedhjet e fundit të pjesshme në veriun e Kosovës nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjatë dhe se një zgjidhje e tillë mund të gjendet vetëm përmes një dialogu real ndërmjet të gjitha palëve të interesit, që përfshijnë Kosovën, Serbinë dhe komunitetin serb të Kosovës, nën lehtësimin e Bashkimit Evropian.

Grupe qytetarësh serb u përplasën të premten me policinë e Kosovës e cila tha se po ndihmonte kryetarët e rinj të tre komunave të banuara me shumicë serbe në veriun e vendit, për të hyrë në zyrat e tyre.

Policia hodhi gaz lotsjellës në hyrje të komunës së Zveçanit për të shpërndarë turmën e cila hodhi shashka dhe gurë mbi pjesëtarët e policisë, ndërsa i vuri flakën të paktën një makine të policisë.

Kryetarët e Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviçit, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit të këtij viti, u betuan një ditë më parë nëpër shkolla e ndërtesa të tjera publike në këto komuna, për shkaqe sigurie.

Një muaj më parë autoritetet e Kosovës organizuan zgjedhjet për kryetarë të katër komunave të banuara me shumicë serbe në veri me gjithë refuzimin e subjekteve politike serbe që të marrin pjesë në proces pa themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës dhe zyrtarët në Beograd kundërshtojnë rezultatin e këtij procesi zgjedhor.

Mediat në Serbi thanë se presidenti serb Aleksandar Vuçiç nënshkroi një urdhër për ngritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë së Serbisë në nivelin më të lartë dhe ka urdhëruar lëvizjen e njësive në drejtim të vijës kufitare me Kosovën.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shtuar përpjekjet për të ndihmuar zgjidhjen e mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi, nga frika e paqëndrueshmërisë së mëtejshme në Evropë, ndërsa vazhdon lufta në Ukrainë./ VOA

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments