Covid-19 në vendin tonë, asnjë rast vdekjeje gjatë 24 orëve të fundit

299

Shkon në 828 numri i të infektuarve nga CoVid-19 në vend. Në 24 orët e fundit janë regjistruar 68 raste të reja nga 404 teste të bëra. Në Kumanovë janë regjistruar 18 të infektuar, në Shkup 15 raste, Prilep 14, Strugë 10, Veles 6, në Tetovë 2 dhe nga një rast në Gostivar dhe Koçan. Ministria e Shëndetësisë njofton se nuk ka viktima të reja.

Në nivel qytetesh numri më i madh i të prekurve nga virusi Korona është në Shkup ku deri tani janë regjistruar gjithsej 312 raste, më pas Kumanova me 200 raste, Prilepi me 72, Strugë 43, ndërsa në Dibër 10 ditët e fundit nuk ka lëvizur bilanci i të infektuarve. Deri tani janë bërë gjithsej 8.057 teste për CoVid-19. Bilanci i viktimave është 34.

Lidhur me mosrespektimin e masave shtrënguese, MPB-ja ka kumtuar se gjithsej 138 qytetar nuk e kanë respektuar ndalesën për lëvizje, 121 prej tyre janë arrestuar. 77 persona janë vendosur në izolim, ndërsa 335 të tjerë kanë nënshkruar deklaratë për vetëizolim. Lidhur me personat që gjenden në vetëizolim, policia gjatë 24 orëve të fundit nuk janë evidentuar raste të cilat nuk e kanë respektuar masën. Sektori për Punë të Brendshme në Shkup ka evidentuar një rast vjedhjeje gjatë orës policore. Të dyshuarit janë arrestuar dhe po merren masa në përputhje me dispozitat ligjore.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe tha se masa prej 24 orëve ndalesë për lëvizje gjatë fundjavës, do të vlejë edhe javën që pason ndërsa më pas do të shqyrtohet mundësia e lehtësimit të masave. I pyetur për shtimin e masave shtrënguese bashkëngjitur me fundjavën për shkak të festave, Filipçe tha se po shqyrtohet mundësia që javën e ardhshme të shtohet edhe dita e hënë në orën policore të vikendi, respektivisht ndalesa për lëvizje të vlejë nga e premtja në orën 16 deri të martën në mëngjes.