11.9 C
Tetovo
E martë, 7 Maj, 2024
BallinaLajmeBotaCila është përmbajtja e marrëveshjes sekrete që po diskutohet, Ukrainë – Rusi...

Cila është përmbajtja e marrëveshjes sekrete që po diskutohet, Ukrainë – Rusi / Pse është e papranueshme edhe për Kosovën?!

Deri më tani të gjitha llogaritë si shqiptarë i kemi bërë se shqiptarët do të dalin fitimtar apo të paktën përfitues nga lufta e Rusisë në Ukrainë.

Por, një skenar që është shfaqur kuluareve dhe që është përmendur rrëshqitazi në media, përveç se për Ukrainën duket kritik, ai t’i ngjethë mishtë edhe për Kosovën.

Sipas këtij skenari lufta në Ukrainë do të marrë fund, por pasja nuk do të jetë e sigurt.

Ndarje në dysh e Ukrainës?

Humbëse e padiskutueshme është Ukraina, e cila në këtë rast do të ndahej përgjysmë. Ky është njëri prej skenarëve më negativ, që edhe luftën aktuale e nxjerrë të pakuptimtë, sepse as Putini nuk do të kishte synuar më shumë, edhe sikur t’i ofrohej paqe në fillim, apo sikur të kishte pasur mbase sukses në pushtim. Kjo i bie që Ukraina të ndahet, sipas rrjedhës së lumit Dniepër.

Por, shpresat janë që ky plan të mos pranohet nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe, megjithëse nuk është e qartë se sa është vendimtar qëndrimi i tyre, nëse presidenti ukrainas Zelenski e pranon ofertën.

Natyrisht deklarata e presidentit të SHBA-ve nuk mund të largohet, me një frymë, as duke e injoruar. Presidenti amerikan Joe Biden, ishte më i qartë se kurrë, me krimet e Rusisë dhe të Putinit. Ai kërkoi që Putini të ndalet duke theksuar se ai nuk mund të qëndrojë më në pushtet, dhe që nënkuptonte një thirrje për rrëzimin e diktatorit Putin, të cilin ai e quajti kasap.

Sigurisht kjo e ka rënduar gjendjen psikologjike të Putinit dhe të Shtabit të tij, i cili duket mjaft i interesuar për një marrëveshje, nga e cila ai përfiton.

Por, sa mund të përfitojë ai dhe Rusia?! Krimenë po e mban të pushtuar një krahinë të tërë, dukshëm më të madhe se sa Kosova.

Por, çështja është se sa do të bëjë lëshime presidenti i Ukrainës, Zelenski, një shpirt humanist, një aktor më parë, dhe sa ai mund t’i rezistojë provokimeve dhe trysnive që i bën regjimi i Putinit, duke vrarë shumë civil të pafajshëm, përfshirë edhe qindra fëmijë, shkatërrimin e infrastrukturës, dhe një total dëmesh ekonomike, që tashmë i ka tejkaluar vlerat e 560 miliardë dollarëve, siç vlerëson Ministria e Financave e Ukrainës.

Ka disa ditë që vetë presidenti Zelenski është dakorduar për disa çështje si statusi neutral i Ukrainës, për të cilin këmbëngulë Putini.

Bisedimet pritej të rifillonin sot në Turqi, ku rolin e ndërmjetësuesit e ka ish oligarku rus, Roman Abramoviç, ish pronar i Çelsit, ekipit të futbollit anglez – londinez.

Si shkruan revista The Times, Volodimir Zelenski ka sinjalizuar se është i gatshëm të bëjë kompromis për t’i dhënë fund pushtimit rus të Ukrainës, duke përfshirë miratimin e një statusi neutral, me pjesëmarrjen në bisedimet e paqes që do të rifillojnë të hënën në Turqi.

Duma ruse me ligj për mbrojtjen me luftë të “ukrainasve, bjellorusve…”

Negociatori ukrainas David Arakhamia ka thënë të dielën se Rusia dhe Ukraina ranë dakord për një video-telefonatë për të zhvilluar negociata personalisht këtë javë në Turqi, duke filluar nga e hëna ose të martën. Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, Rusia ka deklaruar se bisedimet ka shumë të ngjarë të fillojnë të martën, pasi e hëna sipas besëtytnisë së tyre është vetëm si ditë udhëtimi.

Bisedimet e mëparshme, të mbajtura në Bjellorusi dhe në Turqi kanë dështuar. Në Turqi u mbajtën në nivel të ministrave të jashtme, ndërsa kësaj radhe pritet që të paraqiten në videokonferencë presidenti Zelenski dhe pushtuesi rus, Putin, por nuk dihet se kur mund të ndodhë kjo.

Ministri i Jashtëm i Rusisë Lavrov, që ka marrë pjesë në raundin e kaluar në bisedimet në Turqi, ka thënë se takimi Putin-Zelensky nuk është i nevojshëm derisa çështjet kryesore të mos sqarohen. Një deklaratë të ngjashme e pat dhënë edhe më parë Kremlini.

Kërkesa për bisedime u rrit, pasi deklaratat e bëra nga presidenti amerikan u konsideruan të ngutshme.

Presidenti Zelenski, veç neutralitetit ka kërkuar që ai të garantohet nga palët e treta dhe marrëveshja të hidhet në referendum.

Në ndërkohë Parlamenti rus – Duma është duke u përpjekur që ta miratojë një ligj, që mbron të gjithë ata, që ajo apo Ligji i konsideron ‘bashkatdhetar’, pra një listë se cilët popuj “jetojnë historikisht në Rusi”, e besohet se do të përfshijë bjellorusët dhe ukrainasit.

Kjo sipas Sergej Sumlenny-it, një ekspert për Evropën Lindore, nënkupton krijimin e një kornize ligjore, e cila do t’i jepte Rusisë të drejtë të ndërhyjë ushtarakisht në mbrojtje të ‘bashkatdhetarëve’! “Termi bashkatdhetar është “formulim” rus për “një qytetar rus që jeton jashtë vendit”, shkruan Sumlenni dhe pretendon se Projektligji “krijon një bazë ligjore për një ndërhyrje ushtarake në pothuajse çdo vend”.

Sipas burimeve të pakonfirmuara, që i përcjellë eksperti i tregjeve Emanuel Bajra, besohet se Putini, e ka hedhur poshtë “letrën-dorëshkrim të Zelenskit me pikat kryesore nga të cilat Ukraina nuk bën kompromis”.

Por, pas kësaj Zelenski, i ka zbutur edhe më qëndrimet e tij, duke i ofruar marrëveshje për krahinën e madhe të Donbasit, ku ndodhen edhe dy krahinat, të cilat Rusia i ka njohur si të pavarura, tri ditë pra nisjes së pushtimit, Lunhani dhe Donjetski.

“Zelensky gjysmë-dorëzohet sot duke deklaruar që ai është i gatshëm për kompromis për zonën e Donbasit”, shkruan Bajra duke i thirrur në burimet e tija.

Sipas Bajrës, Putini nuk e konsideron këtë si kompromis pasi që ai objektiv e ka ta marrë gjysmën e Ukrainës.

Rreziqet për Kosovën nga një marrëveshje në mes të Ukrainës dhe Rusisë.

Nisur nga të dhënat se çfarë marrëveshje po diskutohet në Turqi, Bajra vlerëson, se nëse arrihet një zgjidhje e atillë është shqetësuese për Kosovën, pasi shteti ynë nuk është pjesë e BE-së, e as e NATO-s.

Burimin e të keqes Bajra e sheh tek fakti, që po negociojnë tri shtete, përfshirë Serbinë dhe dy të tjerat kanë raporte të shkëlqyera me Serbinë, Franca dhe Turqia.

Madje vet ministri i Jashtëm rus Lavrov, ka kërkuar që të Serbia të ndërmjetësojë në bisedimet Ukrainë-Rusi.

“Serbia, Franca dhe Turqia po punojnë në mënyrë diskrete për ta akomoduar një marrëveshje në mes të Rusisë dhe Ukrainës”, thotë Bajra.

Ai parashikon, se në rast se arrihet një marrëveshje, dhe veçanërisht me ndërmjetësim edhe të Serbisë, “Marrëveshja Rusi-Ukrainë do të përdorej si model për një marrëveshje Kosovë-Serbi”.

Sipas tij, në këtë pikë janë angazhuar edhe shefi i shërbimit të Serbisë (BIA-s) Bratisllav Gashiçi dhe agjentë të kundërzbulimit ushtarak serb, të cilët janë në komunikim të rregullt me rusët, turqit dhe francezët.

Modeli marrëveshjes për Ukrainën

Sipas atyre informacioneve që ka siguruar Bajra, pikat kryesore të marrëveshjes në diskutim janë këto:

“-Rajoni i Donbasit të lëshohet me qira nga Ukraina dhe Rusia ta menaxhojë për një kohë të pacaktuar sikurse Britania e Madhe kishte mbajtur Hong-Kongun për dhjetëra vite.

-De-militarizimi i Ukrainës dhe që Ushtria Ukrainase të mos ketë rritje mbi nivelin vet-mbrojtës dhe pa pasur mundësi rritjeje në një ushtri moderne që i tejkalon 10k ushtarë.

-Ukraina kurrë të mos i bashkohet NATO-s.

-Ukrainës i mundësohet që të anëtarësohet në BE.

-Turqia bëhet interlokutore e ruajtjes së vijës ndarëse të dy ukrainave dhe ushtarët turq kanë të drejtë vetëmbrojtjeje dhe sulmi nëse kufiri sulmohet nga njëra ose pala tjetër.

-Ishulli i Krimesë i jepet Rusisë, por Turqia mbron ujërat ukrainase përreth ishullit.

-Gjuha Ruse zyrtarizohet si gjuhë e dytë kombëtare e dy ukrainave.

-Caktohet një “Buffer-Zonë” në mes të vendeve të NATO-s dhe Federatës Ruse.

-Baza e Sevastopolit ndahet në dysh, një pjesë e merrë menaxhimin Federata Ruse dhe pjesa tjetër menaxhohet nga Ukraina dhe Turqia.”

Rezultatet e pritura në këtë rast:

“1. Në fund fituese e krejt kësaj është Turqia.

2. Ukraina humb shumëçka dhe sakrifikohet si entitet i qëndrueshëm politik, sovran e shtetërorë.

3. Federata Ruse merrë atë çka ka dashtë për një kohë të gjatë.

4. BE-ja pranon çfarëdo zgjidhje që e arrijnë palët në dialog.

5. SHBA-të dhe Britania e Madhe nuk e pranojnë një marrëveshje të tillë.

6. Franca prapë e përçan aleancën perëndimore duke e përdorur Turqinë si mashë të nxehtë.

7. BE-ja heq një pjesë të sanksioneve ndaj Rusisë si gjest pajtimi me Rusinë.

8. Të gjitha këto në emër të “Paqes”.

* Parmandojeni modelin e njëjtë të aplikimit në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Unë e di se kush do të jetë humbës: Kosova!”

E vetmja shpresë në këtë rast, për t’mos u realizuar ky skenar, në dobi të Rusisë, dhe që favorizon Serbinë, është dështimi i bisedimeve, nga i cili rezultat, procesi zgjatet, por në dobi të arritjes së një zgjidhje të arsyeshme për Ukrainën, dhe ku shqiptarët nuk mund të sakrifikohen!

Besoj, se amerikanët dhe britanikët, bartësit kryesor të mbështetjes së luftës në Ukrainë, nuk do të lejojnë të ndodhë një skenar dëshpërues, në dëm të Ukrainës dhe në dobi të Rusisë, pavarësisht kërcënimeve të Putinit me sulme bërthamore.insajderi.org

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments